Projekti më i rrezikshëm për veriun dhe për trashëgiminë natyrore të Shqipërisë:
Në Shqipëri, çdo disa vite shpiket një ligj i ri që shitet si “shpëtim” dhe “zhvillim”, por që në thelb fsheh një kurth të pastër grabitjeje.
Sot, ky kurth mban emrin e butë, por vrastar:
“Paketa e Maleve”.
Pas kësaj fjale të bukur dhe të përkëdhelur, fshihet një plan i ftohtë:
Të hiqet nga duart e banorëve të veriut ajo që është më e shtrenjta, më e shenjta, më e lashta – bjeshkët, kullotat dhe pyjet.
Ky ligj është një sulm i hapur, i drejtpërdrejtë, një atentat i mirëmenduar kundër trashëgimisë kolektive, kundër mënyrës së jetesës që malësori e ka ruajtur me shekuj dhe kundër paqes sociale në zona që kanë mësuar të jetojnë me balancë mes njeriut dhe natyrës.
Çfarë parashikon kjo paketë?
Me fjalë të thjeshta:
Përdhosjen e pronave të përbashkëta.
Ato prona që historikisht i ka pasur fshati – kullotat e bagëtive, pyjet për dru, livadhet alpine – nuk do të jenë më nën kontrollin e komunitetit.
Me një firmë të vetme, me një procedurë të turbullt e të fshehtë, ato mund të jepen me 1 euro për “investitorë fantazmë”.
Kush janë këta investitorë?
Njerëz që shfaqen vetëm në letra, kompani guacka, klientë politikë të radhës, njerëz pa rrënjë në këto troje.
Ndërsa banorët e fshatrave, që kanë derdhur djersë e gjak për t’i ruajtur këto male nga erozioni, nga shkatërrimi dhe nga pushtuesit, përjashtohen.
Shndërrohen nga pronarë shekullorë në të huaj në trojet e tyre.
Pasojat e kësaj pakete do të jenë tragjike:
Privatizimi i kullotave – Blegtorët nuk do të kenë më ku të çojnë bagëtitë.
Një tokë që ka qenë për gjithë fshatin, papritmas bëhet “pronë private” dhe fshatari ose do të paguajë qira, ose do të largohet.
Shkatërrimi i natyrës – Për një investitor të etur për fitim, nuk ka pyll, nuk ka shteg, nuk ka ekosistem.
Ka vetëm beton, rezort dhe asfalt.
Një “zhvillim” që sjell fitim vetëm për xhepa të caktuar dhe shkatërrim të pariparueshëm për natyrën.
Konflikte sociale – Kur një fshat i tërë humb kullotat, ndodh përplasje.
Kur banorët përjashtohen nga e drejta që u takon, ndodh revoltë.
Ky ligj nuk sjell paqe, por përçarje, ndasi dhe dhunë.
Varfërimi i mëtejshëm i banorëve vendas – Ata do të shndërrohen në shërbëtorë në trojet e tyre.
Në vend që të jenë pronarë, do të jenë roje të pronave të investitorëve.
Historia përsëritet – plaçkitja ka vetëm forma të reja:
Nuk është hera e parë që Shqipëria shet pasurinë e vet për një copë bakër.
Dikur u shitën hidrocentralet, u shitën kromet, u shiten detet dhe brigjet për koncesione të dyshimta.
Tani ka ardhur radha e maleve.
Dhe gjithmonë skema është e njëjtë:
E quajnë “zhvillim” atë që është grabitje, e quajnë “modernizim” atë që është plaçkitje e natyrës, e quajnë “mundësi për komunitetin” atë që është varrosje e të drejtave të tij.
Por ky ligj është më i rrezikshmi nga të gjitha, sepse prek vetë zemrën e veriut.
Malet nuk janë vetëm sipërfaqe toke; ato janë identitet, traditë, histori.
Të preknin kullotat e malësorëve është të prekësh kodin e jetesës së tyre, është të prekësh themelet mbi të cilat ata kanë ndërtuar shoqërinë.
Bjeshkët nuk janë mall tregu – janë trashëgimi kombëtare:
Të quash bjeshkën “pronë të lirë tregu” është një fyerje e rëndë.
Bjeshkët janë fryma e kombit, janë gjurmët e barinjve që kanë ecur aty brez pas brezi, janë shenjat e historisë që nuk mund t’i mbulojë asnjë fletë koncesioni.
Ato nuk janë mall që blihet me një euro dhe shitet me miliona.
Ato janë trashëgimi kombëtare që nuk mund të shitet me ligj të turpshëm.
Thirrje për këshilltarët bashkiakë në veri:
Këshilltarë, mos u bëni vegla të kësaj tradhtie.
Ju nuk jeni aty për të firmosur shkatërrimin e komunitetit tuaj.
Çdo votë që jepni pa regjistrim paraprak të pronave, pa konsultim me komunitetin dhe pa garanci për zonat e mbrojtura, është një damkë turpi që do t’ju ndjekë gjithë jetën.
Mos harroni:
Një firmë e juaja sot mund të ndezë përçarjen e nesërme.
Një votë e juaja sot mund të shkaktojë varfërimin dhe shpërnguljen e brezave që do të vijnë.
Jo “paketë zhvillimi”, por paketë plaçkitjeje:
E ashtuquajtura “Paketa e Maleve” nuk është një projekt i bardhë, por një maskë e zezë për grabitje.
Ajo nuk është shpresë, por shkatërrim.
Nuk është zhvillim, por zhdukje.
Prandaj, thirrja është e qartë dhe e prerë:
✋ Stop kësaj pakete kriminale në veriun e Shqipërisë!
Nëse ky ligj kalon, do të mbajë mbi vete mallkimin e brezave që do të pyesin:
“Ku ishit ju, kur na i shitën bjeshkët?”
Burimi/facebook


Leave a Reply