Me këtë njeri që e quajnë Spiro Kondi më kanë afruar lojnat e njëhershme dhe hallet e vona, si edhe tani vjershërimet e tij. “Lojnat” që kur ishim fëmijë e loznim me “topa lecke” në “Sheshet e Konde” mbi fshatin tonë, më pas kur u rita e u bëra burrë mërgimtar dhe veja në shtëpinë e Leko Kondit, që ishte i ati,-më i moshuari i fshatit,-për ta pyetur për “rrënjët” e fshatit tim, sa nisa që të shkruaj kujtimet e mia të trishta, teksa “morëm udhët e ujqërve” e emigruam , duke e braktisur Piqerasin “e bekuar nga Zoti, vetë dora”!…
Dhe ja tek me afrohet ,-nga herë e më tepër, i biri i “Orakullit” (si e quajta unë), për të më lexuar vjershat e tij të derteve të vona. Ashtu si m’i thoshte edhe i ati, pasi mbaronte rrëfimet e tij, qysh kur ishim akoma në fshat, po edhe në Pire të Greqisë, ku edhe aty veja e gjëje dhe nuk më linte të dilja nga dera e shtëpisë së tij atje, pa më lexuar edhe një vjershë, sikundër ma bënë edhe Spiroja tani, tek rrufisim kafenë shqeto tek Katina në “Bar Bufe Piqerasi”. Vjersha dertesh e hallesh të pambaruara, ca më të mira se ato që mi thoshte i ati i tij i mënçur. ..
E fillonte që nga ëndërrimet: “Një ëndër të bukur dua të blej/Të jetë e gjallë dhe të më flas!…”, Ose për zullumqarët e rinj e të vjetër: në vjershën “Gjysmat”: “Aq thellë u futët ju në shtet/Sa shtetin nga shteti e nxorët!”. Në një vjershë tjetër, jeta i ngjan si një “lëmsh” ku filli mblidhet, ashtu si pa u kuptuar dhe që i krijohen edhe hollime, po edhe “nyje”, që ai nuk mundet t’i shpleksi gjatë gjithë jetës , gjersa të “vejë në botën tjetër”. Por në një tjetër vjershë, ku trishtimi i poetit merr “plasërime tronditëse” dhe e thotë me vargje ”gjëme”, tek “NATO e Dytë”, e cila përfundon me këto vargje:”E kemi të mbrojtur(vendin,-M.Gj), nga çdo metër katror/Por, pronë, pronari, s’morri kurrë në dorë/Mos vallë na duhet dhe një NATO e dytë,/Një të mbroj kufijtë e tjetra tapitë?!”
Po, më i lebetitur mbetesh kur ai lexon me tone sarkastike, vjershën “Më duan të gjallë!” që mua më “nxjerrë mallin” e romanit fantastiko-satirik të Nikollaj Gogolit, nga koha e bujkrobërisë ruse, “Frymë të Vdekura”, që bën fjalë për Çiçikovin, i cili , kur vinte koha e votimeve , “ngjallte edhe të vdekurin!”, duke mbledhur në Këshillin e Guvernës Ruse, çertifikatat e të vdekurve, si të ishin banorë të gjallë, të cilët nuk ç’regjistroheshin asnjëherë , sepse ja ku duheshin për të figuruar “si frymë të gjalla” në numërim! “Kam vdekur prej kohësh,-shkruan poeti ynë Kondi,-jam në tjetër jetë/Se kur kam gabuar, nuk di as vet/Jam akoma gjallë, rrugëve në Shqipëri/…Në librat e shtetit, figuroj i shkruar/Një gomë kërkoj unë, për tu ç’regjistruar./Më jepni , ju lutem, një çertifikatë!/Nuk rron kaq njeriu, nuk shkon kurrë kaq gjatë/…Fati im i keq është një rast i rrallë/Ç’farë po ndodh me mua?/ Kush më do të gjallë?!”
Mbetem shtangur, nga kjo “dozë satire”, groteske dhe e “farmakosur” njëkohësisht, e pa nxjerrë nga mëndja njerëzore, as nga fantazia e romanit të Gogolit Rus. Po nga një rast konkret: Kur gjyshi i së shoqes së poetit, që në fillimet e shekullit të kaluar figuronte ende i gjallë nëpër rregjistrat e Gjëndjes Civile (!?), sepse , ja që “duhej ngadonjëherë,-thoshnin vulëmbajtësit, shpesh e dendur,- sa herë vinte koha e votimeve, edhe pse i vdekuri “prehej në botën e përtejme”…
“Më le pa gojë , o Spiro,-i komentonte një lexuese e facebookut,-dhe më lëvize trurin!” (Ollga Tobi). Ndërsa bashkëfshatari ynë Kristo Qendro, komentonte kështu:”Unë e kam jetur këtë…Vjersha është e mbështetur në një histori të vërtetë”… “Në shenjë ke qëlluar! Llafë të madh ke thënë, o Spiro,-i shkruan Jani Qesari”. “Ka shumë Art e Filozofi, në vargun tënd rrëqethës, Spiro Kondi,- komenton shkrimtari Shqiptaro-Amerikan Petro Pali”…”Bukur, Spiro, – thotë edhe Fabulisti Gjivogli,-Së shpejti të urojë botimin e një libri!”….
Po. Ashtu them edhe unë. Që jemi përpara një ZËRI POETIK. Se, ky vjershëtor nuk është më si ati i tij që vargëzonte, megjithatë bukur, por disa shkëllëzim më së larti. Vjershat e tij kanë, jo vetën ritmikën poetike, po edhe vlerën letrare e atë sociale. Në poezitë e mësipërme ka një rrjedhë meditacioni që zhvillohet e nuk përsëritet rëndom në vargje që rimojnë. Bile në disa syresh përcillen mesazhe të rëndësishme të aktualitetit Shqiptar. Prek e shtjellon dy nga fenomenet tona më të dukshme: problematikën e pronës, si edhe fenomenin e korrupsionit që luftohet hapur e përsëri ndjehet, si një “gangrenë”. Autori i këtyre poezive shprehet se “Prona nuk ka shkuar ligjërisht tek i Zoti…Se Ligji 7501 është i njëanshëm , duke favorizuar artificialisht ata banorë që ishin aktualisht në fshat ato ditë (disa syresh të lajmëruar enkas!?). Kjo është qesharake,-thotë poeti… Duke lënë jashtë banorët autokton, ata qe ishin larguar me detyra të ndryshme diku gjetkë, a syrgjynosur nëpër burgje e internime, si edhe ata që banonin ndërkohë nëpër qytete e përcilleshin (jashtë këtij ligji), me një dhome e një guzhinë atje ku ishin: ”në Filifistunë!”. Pra, një pabarazi, pabesi a dredhi, -si mund ta qajmë,-shprehet Spiro Kondi. Po vallë,-shton ai,- nëqoftëse këtë farë ligji “së prapthi” e miratoi Qeveria e Tranzicionit e Bufit, ata që erdhën në pushtet më pas, a nuk mund ta ndreqnin , qoftë edhe me klauzola e paragrafe, që kjo shtrese e “të përjashtuarve” të rikthehej në fshatin e tij, ose në pronën e tij , sikundër luftonte Bashkfshatari ynë Aleks Vranai në Komisionin “Pronësi me DrejtesI” ose si e “ngrinte zërin Kryetari i Partisë Republikane Sabri Godo, që “Prona të shkoj tek i Zot”, po jo ama të përjashtohet një shtrese e tërë njerëzish, në nivelon ZERO të pronësisë”! A mjafton, ju lutem, i nderuari gazetar i ynë, ajo fjalë që e thotë tani, Z. Berisha, se me këtë ligj “kemi bërë edhe gabime?!”…
Problematika tjetër serioze që përcjell ky autor i “pazëshëm “ gjer me sot, është po kaq i rëndësishëm, social e politik, që ka të bëje me korrupsionin , si edhe me “shit-blerjen” e vetës, si fenomen anti-demokratik. “Ajo vjersha “E dua të gjallë”,-thotë poeti,- është një e vërtetë e dhimbshme, paksa qesharake , po tronditëse, që “therrë gjer në palcë” të drejtën e votës, për të qenë kushdo i lirë të shprehet për atë forcë politike që do dhe që e shpie me përpara Shqipërine tonë të dashur,-përfundon vjershëtori Kondi,- e jo të përseritet kjo “tablo”, si te komedia e Gogolit,-sikundër the Zotrote, miku ynë i nderur,-bashkë me fenomenin e “Çiçikovizmit”… Sepse edhe ne sot kemi “Çiçikovët” tanë!, që mase e merë,-më së fundi,-edhe “Çerifikatën e Vdekjes” të gjyshit të saj, zonja ime,-që me keqardhje,-i bekuari njeri,-është kalbur në dhe, e përsëri e leqendisin!”…
Po shpesh POETI MËRGIMTAR I PIQERASIT bëhet i heshtur e i brengosur, sidomos kur e “djeg malli” e i pikon loti për mërgimtarët e njëhershëm. Teksa bie fjala për ato familje që u ndanë nga fshati ynë 300 vite më parë dhe krijuan “PIQERASIN BINJAK”, me emrin VILLA BADESSA…”Ju ikët nga bregu,-shkruan ai,-në të tjera brigje/Luftuat me dallgët, gjersa gjetët shtigje/Mallin e pashuar morët me vete,/Lagur mbeti loti, njomur nga dy dete…”
Lotë mërgimtari, që nuk shterrin akpma , këto të Spiro Kondit…
Piqeras, në ditën e fundit të gushtit 2025
Burimi/Facebook


Leave a Reply