Kënga e shpirtit shqiptar në hapin e një ylli të ri.
Nga një tokë e largët, mbi gjelbërim dhe erë të lirë, lind një yll që nuk shuhet.
Një rreze që shndrit në sytë e të gjithëve, që ngroh zemrat dhe zgjon kujtimet e vendlindjes.
⭐ Është Missy Gojçaj, lulja e diasporës, buzëqeshja që sfidon largësinë, një këngë e gjallë që shëtit nëpër lugje, si zëri i lahutës në mëngjeset e pranverës.
Artiste në lulëzim, amanet i brezave dhe frymëmarrje e një kombi që nuk harron. Premtim për të ardhmen, mall për atdheun në zemrat e mërgimtarëve.
E lindur në Amerikë, por me rrënjë të thella në dheun e të parëve, ajo mban Malësinë si flamur në shpirt.
Çdo notë që këndon, çdo hap mbi skenë ndërton një urë mes së shkuarës dhe së tashmes, mes legjendave të lashta dhe brezave të rinj.
⭐ Me xhubletën që valëvitet si flamur shqiponje nën diellin e mëngjesit, dhe me zërin që kumbon si kushtrim nga majat e maleve, Missy është jehona e traditës.
Në artin e saj nuk ka vetëm melodi, ka rrëfime. Nuk është vetëm interpretim, është mision: të mbajë ndezur zjarrin e zakoneve, këngëve dhe krenarinë tonë.
Mbi të gjitha, ajo është edhe një valltare që me çdo hap sjell jetë e dritë në zemrën e Malësisë. Para komunitetit shqiptar në Amerikë, ajo vallëzon si zana që zbret nga malet, e veshur me xhubletën ilire, të cilën e trashëgojnë malësorët dhe krenohen shqiptarët.
⭐ Krenaria dhe lumturia e Missy-t nuk shfaqen vetëm në dëshirën për të kënduar, por edhe në emocionin dhe mesazhin që përcjell kënga e saj shqipe.
Dashuria për vendlindjen e bën të këndojë me vetëbesim, pasion dhe përkushtim, si një këngëtare ambicioze, plot vullnet dhe dedikim.
Missy Gojçaj premton të bëhet një artiste e madhe në rrugën e artit, një artiste malësore dhe një ikonë e artit shqiptar.
Hapat e saj të parë në art nuk janë garë për famë, por shprehje e pasionit për të dhënë më të mirën e asaj dhuntie me të cilën Zoti e ka bekuar – zërin për të kënduar.
Siç thotë fjala e urtë: “Bukuria është drita në sytë e atij që e sheh.”
Kur e shoh këtë vogëlushe me xhubletë, ndjej mirënjohje dhe krenari për sakrificat e heshtura dhe përkushtimin e gjatë të nënës së saj, Florës, që ka mëkuar një shpirt të bukur dhe një vizion për jetën.
Së shpejti, Missy do të na dhurojë këngën e re “Jam si zanë Malësie”, një margaritar i folklorit tonë.
Fjalët janë shkruar me zemër nga unë, muzika ka marrë frymë nga dora e djalit tim, Arsid Çeka, dhe është veshur me orkestrimin mjeshtëror të Andi Unazës.
Çdo tingull pulson me shpirtin e Malësisë, çdo varg është frymëmarrja e saj.
Missy, udhëto si drita që nuk shuhet!
Malësia të mban në zemër, ashtu si ti e mban në shpirt.
Yjet lindin në qiellin e pafund, por vetëm pak prej tyre shndrisin brez pas brezi – dhe ti je një prej tyre. 🌿🎶🔥
Burimi/Facebook


Leave a Reply