Gent Bejko është një regjisor, aktor, producent dhe shkrimtar i njohur shqiptaro-kanadez, me një karrierë të gjatë në fushën e teatrit, televizionit, kinemasë dhe edukimit artistik.
I lindur në Fier, Gent Bejko u diplomua në degën e Regjisë në Universitetin e Arteve në Tiranë në vitin 2002, duke u bërë një nga zërat më të rinj dhe më të spikatur të skenës shqiptare të asaj kohe. Ai gjithashtu është regjisori me moshën më të re i cili ka vënë në skenë një shfaqje repertori në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë.
Pas disa sukseseve të hershme, përfshirë krijimin e grupit të njohur të humorit “The SHBLSH” dhe sitcom-it të parë shqiptar “Radio Raio”, Gent Bejko drejtoi një sërë projektesh që shënuan periudha të rëndësishme në historinë e televizionit dhe komedisë shqiptare.
Përpos televizionit, kinemaja po ashtu është një pjesë e rëndesishme e rrugëtimit artistik të Gent Bejko. Ai ka fituar disa çmime ndërkombëtare prestigjioze duke renditur
çmimin “Filmi më i mirë” me “The Perfect Couple” në Tirana 48-Hour Film Project në vitin 2010 dhe nominuar në Miami International Film Festival në vitin 2011; çmimin “Filmi më i mirë me montazhin e regjinë më të mirë” me “The cousin” në Tirana 48-Hour Film Project në vitin 2012, nominuar gjithashtu në FilmPalooza në Los Angeles; çmimi “Skenari më i mirë” me filmin me metrazh të shkurtër “I should have counted until 4” nga New York Film Academy në vitin 2014. Po në të njejtin vit, filmi “Alphonso” u zgjodh për të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Vancouver. Gent Bejko gjithashtu ka fituar çmimin për “Regjinë më të Mirë” në Ferizaj Theatre Fest (2011) dhe çmimin “Shfaqja më e Mirë” në Festivalin e Teatrit të Dibrës (2008).
Gent Bejko rendit mbi 16 shfaqje teatrale në Shqipëri dhe jashtë saj, përfshirë disa të shkruara dhe prodhuara nga ai. Shfaqjet e tij janë shfaqur në festivale dhe teatro në Francë, Greqi, Poloni, Itali, Kroaci, si dhe në skenat më të mëdha të Shqipërisë.
Prej vitesh, Genti jeton mes Kanadasë dhe Shqipërisë, ku ka vijuar veprimtarinë artistike me projekte të reja në teatër, film dhe edukim. Ai mori pjesë në “Fringe Festival 2015” në Montreal. Gent Bejko është gjithashtu anëtar i ACTRA në Kanada, duke ka ndërtuar një profil të respektuar në industrinë filmike kanadeze.
Përpos regjisë dhe aktrimit, Gent Bejko gjithashtu është piktor dhe artist vizual. Punimet e tij janë të mbushura me narrativë, simbolikë dhe ngjyrime dramatike që shpeshmbushin elementë mitologjikë, kulturorë shqiptare dhe peizazhe urbane. Disa prej titujve të punimeve të tij janë: Skanderbeg’s Wine, Eagle’s Thought, Lost Train, The Heroe’s Wife, War & Love Chambers, Trisdemon, Zanzakiel, Angel’s Birth dhe të tjera që pasqyrojnë një qasje të pasur me imazhe psikologjike dhe emocionalisht të prekur.
Krahas krijimtarisë së tij artistike, Gent Bejko është njohur për përkushtimin në edukimin e brezave të rinj të aktorëve dhe për saktësinë në përzgjedhjen e kastit, duke ndihmuar shumë talente të reja të hyjnë në botën e artit.
Me një përvojë të pasur dhe të larmishme, Gent Bejko vijon të promovojë artin dhe kulturën shqiptare jashtë kufijve të saj si edhe të ndërtojë ura bashkëpunimi mes artistëve shqiptarë dhe kanadezë.
——
Ambasada e Shqipërisë në Kanada
Burimi/Facebook/Albanian News


Leave a Reply