Supremja vendosi se ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit njëkohësisht është i ndaluar
Gjykata Supreme e Kosovës bëri të qartë se nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat e qeverisë së Kosovës që janë deputetë, është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese. Ky vendim i Gjykatës Supreme u kundërshtua ashpër nga qeveria e Kosovës në detyrë, që vendimin e cilësoi “arbitrar dhe të njëanshëm”. Çështja e funksionit të ministrave që njëkohësisht janë edhe deputetë u ngrit nga një vendim i Gjykatës Supreme, e cila e shpalli të paligjshëm dhe e shfuqizoi një udhëzim administrativ të nxjerrë nga ministri në detyrë i Financave në qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati.
Qeveria e Kosovës në detyrë e kundërshtoi aktgjykimin e Gjykatës Supreme, duke e cilësuar atë si të pabazuar në ligj dhe arbitrar dhe tha se ndihet e “shqetësuar”. “Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj respektimit të rendit kushtetues dhe ligjor, si dhe ndaj funksionimit të pandërprerë të institucioneve të shtetit. Vendimet e institucioneve të drejtësisë duhet të respektojnë frymën e ligjit dhe të jenë të mbështetura në standarde të qarta juridike, e jo në interpretime të njëanshme apo të motivuara politikisht”, thuhet në reagimin e qeverisë.
Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se “Gjykata Supreme ka konstatuar qartazi se ministrat e certifikuar si deputetë, në çdo nxjerrje vendimi veprojnë në shkelje të rëndë ligjore, kanë uzurpuar dhe po ushtrojnë funksionet në mënyrën e paligjshme dhe arbitrare pas përfundimit të mandatit”. “Në emër të interesit publik dhe rendit demokratik kushtetues, Lidhja Demokratike e Kosovës deri më tani ka ushtruar 17 kallëzime penale kundër ish-ministrave që kanë vazhduar të marrin vendime si ministra në detyrë, ndonëse ishin certifikuar si deputetë”, thuhet në reagimin e LDK-së, e cila bëri të ditur se të mërkurën, siç thotë, “do ta deponojë këtë vendim të Gjykatës Supreme në Prokurori” si dëshmi e argumentimit në këto 17 kallëzime penale. Edhe politikanë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) thanë se, bazuar në vendimin e Gjykatës Supreme, tregohet qartë se “në këtë qeveri ligji injorohet për interesa personale. Diktatura nuk kalon”, shkroi deputetja Blerta Deliu-Kodra.
Lexo artikullin të plotë: https://www.dw.com/…/gjykata-supreme-n%C3%AB…/a-73291695

Burimi/Facebook/DW Shqip


Leave a Reply