
“The Guardian”
Kreu i socialistëve, i cili garon në zgjedhjet e së dielës, ka kërkuar këshillat e ish-kryeministrit britanik për modernizimin dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE
Tony Blair pritet të shkelë në një territor të panjohur pas kësaj fundjave, nëse ashtu siç pritet, Partia Socialiste do të rezultojë fituese në zgjedhjet në Shqipëri. Opozita i ka ofruar Blair-it rolin e këshilluesit në një qeveri, në botën e ashpër e të rrëmujshme të politikës ballkanase.
Muajin e kaluar, lideri socialist, Edi Rama, u takua me Blair-in në zyrën e tij, në Mayfair. Ende nuk është firmosur një kontratë formale, por kryesocialisti pret që Blair ta këshillojë mbi modernizimin dhe reformat që do të ndihmojnë vendin e ngecur në varfëri, duke e përgatitur për një anëtarësim të shpejtë në BE.
Në videon e realizuar gjatë takimit të tyre, ish-kryeministri britanik, i buzëqeshur i thotë Ramës: “Do të jem i kënaqur nëse ofroj ndimën time. Jam shumë i interesuar për vendin tuaj”.
“Nëse ne fitojmë, do të jemi shumë të kënaqur të punojmë me Blair-in, duke u mbështetur te këshillat e tij për organizimin e qeverisë së re dhe riorganizimin e politikës shqiptare. Partia jonë frymëzohet nga vizioni i laburistëve të rinj dhe i Tony Blair-it. Blair ishte shumë i qartë kur tha se dëshironte të na ndihmone dhe unë e besoj”, shprehet ish-kryebashkiaku i Tiranës.
Ish-drejtori i Komunikimeve i Blair-it, Alastair Campbell, gjithashtu ka qenë në Shqipëri për të këshilluar Partinë Socialiste mbi strategjinë zgjedhore. PS-ja, e cila aktualisht rezulton e para në sondazhe, pritet që të rikthehet në pushtet për herë të parë që pas 2005-s. Campbell tha se kishte qenë në Shqipëri disa herë gjatë vitit të fundit. “Edi Rama e konsideron periudhën e qeverisjes së Partisë Laburiste nën drejtimin e Tony Blair si një nga historitë e suksesit të qendrës së majtë në Evropë”, u shpreh Campbell.
Blair mbetet një figurë popullore në rajon, për rolin që pati në mbrojtjen e shqiptarëve etnikë në Kosovë, në sajë të planifikimit të bombardimeve të NATO-s mbi ish Jugosllavinë, në vitin 1999.
Një zëdhënës i Blair-it e përshkroi interesin e tij për Shqipërinë si të “vërtetë”. “Ashtu siç është raportuar në mediat shqiptare, zoti Rama është shprehur se nëse ai bëhet kryeministër, do t’i pëlqente që z. Blair ta këshillonte mbi modernizimin e qeverisë dhe implementimin e agjendës së reformave. Z. Blair ka shprehur kënaqësinë për të ndihmuar Shqipërinë dhe rajonin. Për të, kjo është shumë e rëndësishme, pasi konflikti në Kosovë ka qenë një periudhë e rëndësishme e qeverisjes së tij”, deklaroi zëdhënësi.
Por, sipas Lutfi Dervishit, drejtorit ekzekutiv të “Transparency International Albania”, impakti i Blair-it në votimet e së dielës do të jetë minimal.
“Tony Blair është mjaft popullor këtu falë luftës së Kosovës, por nuk mendoj që ai do të ketë shumë ndikim, sepse historia e fitoreve elektorale është përcaktuar në terrenin vendas, kështu që janë dinamikat lokale faktori kyç në këto zgjedhje”, thotë Dervishi.
Pas zgjedhjeve të fundit në 2009-n, socialistët kanë bojkotuar parlamentin për 18 muaj, duke e akuzuar kryeministrin Sali Berisha, e njëkohësisht mjekun personal të diktatorit Enver Hoxha, për mashtrime me zgjedhjet.
Fushata aktuale ka qenë paqësore deri më tani, por ka raportime për blerje votash dhe parregullsi në procesin e regjistrimit, të cilat janë publikuar nëpër media.
Ka pritshmëri të mëdha që Rama të fitojë mbi Berishën, i cili e ka dominuar jetën politike në Shqipëri për më shumë se dy dekada. Një sonazh i fundit ka nxjerrë aleancën e Ramës dominuese me 50% të votave kombëtare dhe 7 pikë përpara nga koalicioni i Berishës./ Dorina Gjuzi
Gazeta Dita
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply