Në çdo kërkim për lumturi, njeriu endet shpesh pas iluzioneve të një jete të përkryer, një botë pa të meta, pa mungesa, pa vështirësi. Por jeta nuk është e ndërtuar mbi përsosmëri, ajo është një rrugëtim përmes të papërsosurës, një kalim përmes një terreni të thyer dhe me shumë të papritura, një balancim i vazhdueshëm midis dëshirave dhe realitetit.Kahlil Gibran na mëson se: “Njerëzit më të lumtur nuk janë domosdoshmërisht ata që kanë më të mirën nga gjithçka, por ata që bëjnë më të mirën nga ajo që munden”
Mendimi i Kahlil Gibran-it që sjell në vëmendje këtë urti, se lumturia nuk vjen nga posedimi i më të mirës, por nga përkushtimi për ta bërë më të mirën me çfarë kemi, është një prej atyre të vërtetave të thjeshta që mbart peshën e një filozofie të thellë jetësore.
Ky pohim na kujton se lumturia nuk është një destinacion i kushtëzuar nga pasuria, perfeksioni apo rehatia, por një qëndrim ndaj jetës. Është aftësia për të parë bukurinë në të papërsosurën, për të nxjerrë kuptim nga e zakonshmja dhe për ta përjetuar të tashmen me pranueshmëri dhe mirënjohje.
Në një botë ku gjithçka matet me krahasim dhe konsum, ky mesazh është një thirrje për kthesë të brendshme, më pak ankth për atë që mungon, më shumë vëmendje për atë që tashmë kemi. Nuk është fjala për të hequr dorë nga ëndrrat, por për të mos e shtyrë lumturinë si një shpërblim të së ardhmes.
Gibran, si një poet i shpirtit dhe i ndjenjës njerëzore, na kujton se njeriu i lumtur është ai që zgjedh të jetojë me dashuri, pavarësisht rrethanave; që ushqen dritën në vetvete edhe kur jashtë është errësirë. Dhe kjo është ndoshta mënyra më fisnike për të ndërtuar një jetë me kuptim.
Ky mendim është një ftesë për t’u kthyer kah vetja, për të parë me sy mirënjohës atë që kemi dhe për ta shndërruar të përditshmen tonë, me gjithë të metat dhe papërsosuritë e saj, në një burim kuptimi dhe dashurie. Jo përmes përmbushjes së kushteve ideale, por përmes qëndrimit të brendshëm, që e sheh jetën si një dhuratë, e jo si një pengesë për të qenë të lumtur.
Albert Vataj
Burimi/Facebook/Infopress Al


Leave a Reply