Nga Étienne de La Boétie, pjesë nga “Diskurs mbi robërinë vullnetare” (1577)
Do të dëshiroja thjesht të kuptoja se si ndodh që kaq shumë burra, kaq shumë fshatra, kaq shumë qytete, kaq shumë popuj, ndonjëherë vuajnë nën një tiran të vetëm, i cili nuk ka ndonjë fuqi tjetër përveç asaj që ata vetë ia japin; i cili mund t’u bëjë dëm vetëm në atë masë sa ata janë të gatshëm ta durojnë; i cili nuk do të mund t’u bënte asnjë dëm, fare, po të mos preferonin vetë ata ta duronin – në vend që ta kundërshtonin…
Sigurisht, është një situatë tronditëse! Por, është kaq e zakonshme saqë njeriu duhet të pikëllohet më shumë dhe të çuditet më pak kur sheh një milion njerëz që shërbejnë në mjerim, me qafën nën zgjedhë, jo të detyruar nga ndonjë shumicë më e madhe se ata, por, thjesht – siç duket – sepse janë të kënaqur dhe të magjepsur vetëm nga emri i një njeriu të vetëm, fuqinë e të cilit nuk kanë pse ta kenë frikë, sepse ai është ashiqare një person i vetëm, cilësitë e të cilit ata nuk mund t’i admirojnë për shkak të çnjerëzores dhe brutalitetit që ai tregon ndaj tyre…
Gjithë ky shkatërrim, kjo fatkeqësi, ky rrënim, nuk vjen mbi ju nga armiq të huaj, por nga ai një armik që ju vetë e bëni aq të fuqishëm sa është; për të cilin shkoni me trimëri në luftë, për madhështinë e të cilit nuk ngurroni të ofroni trupat tuaj deri në vdekje …
Nga të gjitha këto poshtërime, të cilat as kafshët e egra nuk do t’i duronin, ju mund ta çlironi veten nëse përpiqeni – jo duke vepruar, por thjesht duke dashur të jeni të lirë. Vendosni të mos shërbeni më, dhe menjëherë jeni të çliruar. Nuk ju kërkoj të vini duart mbi tiranin për ta përmbysur, por vetëm të mos e mbështesni më; atëherë do ta shihni se si një Kolos i madh, të cilit i është hequr piedestali, bie nga pesha e vet dhe copëtohet …
Nga muri i Agron Shala
Burimi/Facebook/Elona Caslli


Leave a Reply