Nga Avokat Arben Llangozi
Institucioni që në teori duhet të garantojë të drejtën e qytetarëve mbi pronën, të japë siguri juridike dhe të ndihmojë në zgjidhjen e të drejtave pronësore, sot është kthyer në simbolin më flagrant të korrupsionit administrativ në vend. Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) është sot një ndër institucionet më të kontestuara në Shqipëri, dhe jo pa arsye por se për një veprim të thjesht duhen para .
Korrupsioni nuk ka nevojë për prova të fshehta ai është i dukshëm dhe i institucionalizuar.
Në çdo qytet të Shqipërisë, qytetarët mund të tregojnë histori të njëjta, pritje të gjata, vonesa të qëllimshme, dokumente që “humbin” në sistem dhe shërbime që zyrtarisht duhen të jenë falas ose të thjeshta, por që praktikisht nuk merren dot pa paguar nën dorë, ose pa ndërhyrjen e të ashtuquajturve “sekserë”.
Ky korrupsion i përditshëm, i zakonshëm, i heshtur, nuk është më veprim individual. Ai ka marrë përmasa të organizuara, që nga sportelet e thjeshta, deri në nivelet më të larta drejtuese të këtij institucioni. Brenda mureve të ASHK-së, ka lindur një ekonomi paralele, ku qytetari ose paguan për të marrë shërbim, ose pret pafundësisht në radhë për të takuar drejtorin , duke u përballur me arrogancën dhe shpërfilljen e administratës me qëllim korrupsionin administrativ.
Shembuj konkretë nga përditshmëria
Për një “oirigjinë” pasurie, qytetarëve shpesh u kërkohet pagesë nën dorë një shërbim që duhet të lëshohet përmes sistemit elektronik, por që “vonesat teknike” e kthejnë në një rrugë pa dalje pa pagesë nën dorë.
Për një vërtetim pronësie, që zyrtarisht duhet të lëshohet brenda pak ditësh, qytetarët drejtohen nga punonjësit te “miqtë” e tyre jashtë zyrës sekserë që kanë akses të privilegjuar në sistem dhe “shpejtojnë” dokumentin nëse paguan në të kundërt nuk ka zgjidhje por vetëm sorollatje.
Për legalizime, rasti është edhe më i rëndë. Në shumë zona, njerëzit kanë ndërtuar shtëpi prej dekadash, por për të marrë një certifikatë ligjore që e kthen banesën në pronë, detyrohen të paguajnë ryshfet me shuma të konsiderueshme, përndryshe dosja e tyre ngelet “në proces”.
Në vitet e fundit “ASHK” ka kaluar disa reforma të shpallura si “revolucionare” digjitalizim, bashkim institucionesh, shkarkime drejtorësh. Por realiteti në terren nuk ka ndryshuar. Në vend që të ndalë korrupsionin, ai është sofistikuar, është strukturë, është normë.
Në vend që të forcojë besimin e qytetarit te shteti “ASHK” e ka varfëruar edhe më shumë ndjesinë e drejtësisë dhe barazisë përpara ligjit.Një sistem që dëmton shtetin, investitorin dhe qytetarin.
Kadastra është hallkë e rëndësishme për çdo zhvillim ekonomik, ajo duhet të garantojë që prona të jetë e sigurt ligjërisht, që investitorët të mos përballen me pasiguri, që qytetarët të mos zvarriten për të drejtat e tyre. Por kur kjo hallkë kthehet në një mullinj korrupsioni, dëmtohet i gjithë shteti.
Kadastra është kthyer në një problem kombëtar, dhe nuk mund të trajtohet më si një çështje e vogël e një zyre lokale. Duhet të hapen hetime të gjera për pasurinë e zyrtarëve, për lidhjet e tyre me sekserët, për abuzimet sistematike që janë bërë mbi kurrizin e qytetarëve të thjeshtë.
Pa mik, pa para, nuk merr dot as një vërtetim për oborrin tënd.Kadastra është një shtet më vete, ku ligji nuk ka vlerë po nuk e pagove.”
Në një shtet ku prona është një nga konfliktet më të ndjeshme, një institucion si ASHK nuk mund të mbetet jashtë vëmendjes publike. Ai ka nevojë jo për reformim letre, por për spastrime reale, hetime penale dhe riorganizim total.
Ndryshe, do të vazhdojë të mbetet jo Agjencia Shtetërore e Kadastrës, por Agjencia Shtetërore e Korrupsionit.
Burimi/Facebook


Leave a Reply