Nga Avokat Arben Llangozi
“Të Paprekshmit e drejtësisë” Gjykatës e Prokurorë që ligjin e njohin vetëm kur u pëlqen, ndërsa Artur Metani dhe ILD-ja i shikojnë nga larg!
Në Shqipëri, sistemi i drejtësisë është kthyer në një skenë ku aktorët kryesorë gjyqtarët dhe prokurorët kanë marrë rolin e “të paprekshmëve”. Ata ecin në rrugët e ligjit me një arrogancë të tillë, saqë duket sikur ligji nuk u prek fare. Në fakt, për ta, ligji është një libër që mund ta lexojnë ose ta përdorin si peshqir, sipas dëshirës.
Për qytetarin e thjeshtë, drejtësia është një betejë e pafund, procese të zvarritura, akuza pa prova, arrestime të pabazuara, vendime që shkaktojnë dhimbje, humbje dhe tragjedi njerëzore.
Ndërkohë, ata që duhet t’i mbajnë këta aktorë përgjegjës Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, është kthyer në një entitet që më shumë duket si dekor sesa si autoritet. Heshtja, mungesa e veprimeve konkrete dhe kontrolli i dobët i kanë dhënë gjyqtarëve dhe prokurorëve një siguri të rrezikshme, që askush nuk do të kërkojë llogari për asnjë vendim, për asnjë gabim, për asnjë abuzim.
Në këtë sistem, ku drejtësia është një fjalë boshe, janë krijuar dy kaste, njëra që sundon me pushtet dhe një tjetër që vuan pa fund padrejtësinë.
Dhe kështu, një ide e tmerrshme është bërë realitet i përditshëm, “Edhe po të shkelësh ligjin, mos u shqetëso, nuk ka kush të të ndëshkojë.”
Ky është mesazhi që qytetarët e marrin nga zyrat e gjykatave, nga prokuroritë, nga sistemi që duhet t’i mbrojë ata.
Po çfarë ndodh me qytetarin që kërkon drejtësi? Ai mbetet i pafuqishëm, i dëshpëruar, dhe shpesh i dëmtuar. Ai sheh një sistem të korruptuar, të pandëshkueshëm, ku drejta është privilegj i pakëve dhe ligji një mjet shantazhi apo përfitimi personal.
Në këtë skemë, gjyqtarët dhe prokurorët që abuzojnë me pushtetin e tyre janë mbrojtur nga heshtja e inspektorëve dhe nga një sistem që i mbron më shumë ata sesa qytetarët.
Ky realitet nuk është thjesht një dështim institucional. është një tragjedi morale që kërcënon themelet e shtetit të së drejtës. Është një turp kombëtar që duhet të shqyrtohet me përgjegjësi dhe urgjencë.
Nëse nuk ndërmerren masa drastike, drejtësia do të mbetet një fjalë e zbrazët, një mit që përdoret vetëm për të mashtruar publikun dhe për të mbuluar aferat e atyre që duan të jenë mbi ligjin..
Burimi/Facebook


Leave a Reply