RREAGIM PUBLIK…
Qëndrimet e mia janë publike.
Nuk i negocioj, nuk i shes, nuk i tërheq!
Jam drejtues i portalit Window.al, menaxher i ALB Media dhe moderator në Radio Projekt 21.
Ku prej 1 viti politika është terreni i emisioneve të mia.
Por para se të jem drejtues portalesh e moderator, jam qytetar me vetëdije.
Kam studiuar juridik – që të njoh ligjin dhe të dalloj padrejtësinë.
Kam studiuar edhe psikologji – që të kuptoj mendjen e individit dhe shoqërisë, manipulimin, frikën, mashtrimin dhe atë që nuk thuhet dot me fjalë.
Prandaj, kur flas në publik, nuk flas as nga inati, as nga militantizmi, as nga interesat e dikujt tjetër. Flas nga një bindje e thellë se ky vend ka nevojë për zëra që nuk ulin kokën, për njerëz që nuk e ndërrojnë të vërtetën me një mesazh privat, për qytetarë që nuk e shesin mendimin për një rrogë a një mik në qeveri.
Po ua them troç të gjithëve që më shkruani në privat: mos harxhoni kohë me mua. Mua nuk më shantazhon askush! As me frikë, as me para, as me premtime. Unë nuk jam as i Ramës, as i Berishës, as i ndonjë hijeje që endet korridoreve të pushtetit, duke kërkuar ndonjë portal për t’i shpërlarë emrin. Unë jam i lirë – dhe kjo është pasuria më e madhe që kam.
Nuk ka ditë që të mos më vijnë mesazhe të tipit: “Mos u merr me këtë çështje se është delikate”, “Zbut tonin ndaj këtij personi se ka mbështetje”, “Mos prek këtë temë se është nën kontroll”… E pra, unë këto i konsideroj përçmime, jo këshilla. Sepse janë përpjekje për të më kthyer në atë që unë kurrë nuk do të jem: një zë i heshtur, një gojë që flet me porosi, një pendë që shkruan për të kënaqur shefat. Unë nuk kam shefa!
Në një vend ku drejtësia është kthyer në karikaturë dhe media në aparat propagandistik, unë zgjedh të qëndroj në anën tjetër. Zgjedh të flas kur të tjerët heshtin, zgjedh të godas kur të tjerët rrinë në pritje të direktivave nga lart. Dhe nëse kjo më bën të pashoq, më bën edhe të pathyeshëm.
Të kesh studiuar juridik do të thotë të kesh radarë për pabarazinë dhe abuzimin. Të kesh studiuar psikologji do të thotë të dallosh menjëherë kur përballë ke një manipulues, një frikacak apo një gënjeshtar të rafinuar. Dhe për fatin tim – apo për fatin tuaj – unë i njoh të dyja.
Nuk më intereson as ku bën pjesë tifozeria e radhës, as kush është “në modë” në pushtet, as çfarë partie do ta ketë dorën mbi thesarin nesër. Mua më intereson që shoqëria shqiptare të mos zhytet më thellë në batakun e hipokrizisë, ku kushdo që flet, flet për interes. Më intereson që qytetari të mos ndjehet më i vetëm, pa zë, pa përfaqësim, i tradhtuar nga ata që duhet të ishin sy e vesh për të.
Kjo është arsyeja pse jam këtu. Dhe për këtë arsye nuk do të më bëni dot pjesë të rreshtimit tuaj, çfarëdo t’i premtoni vetes. Unë nuk jam i askujt. Dhe nuk do të jem kurrë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply