Shqiptarët në gjumin e kotësis!!…
Në Gjermani, qytetarët kanë treguar edhe një herë se fuqia e popullit është e madhe kur qëndron e bashkuar përballë kërcënimeve që cënojnë vlerat demokratike dhe të drejtat njerëzore. Qindra mijëra vetë kanë dalë në rrugë në Berlin, Këln dhe qytete të tjera për të dënuar ekstremizmin e djathtë, një fenomen që po ngjall shqetësim të thellë në këtë vend dhe më gjerë. Motot si “#5vor12. Laut für Demokratie” dhe “Wir stehen zusammen” janë bërë thirrje bashkuese për të gjitha shtresat e shoqërisë, duke treguar vendosmëri për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e fituara me aq mund.
Por kur i krahasojmë këto zhvillime me realitetin shqiptar, vëmë re një diferencë shqetësuese. Në një vend si Shqipëria, ku korrupsioni është ulur këmbëkryq, ku drejtësia është shpesh selektive, ku pasuritë publike vidhen pa ndërprerje, dhe ku varfëria po thellohet çdo ditë, heshtja e qytetarëve është tronditëse. Pse heshtim ne shqiptarët? Pse nuk reagojmë, kur vendi ynë po shkatërrohet përpara syve tanë?
Gjermanët protestojnë kundër ekstremizmit, një rrezik që ende nuk ka prekur thellësisht jetën e tyre të përditshme, ndërsa ne, shqiptarët, që përballemi çdo ditë me probleme jetike, që nga mungesa e ujit të pijshëm në disa zona, te papunësia e frikshme dhe largimi masiv i rinisë, vazhdojmë të rrimë të heshtur. Një komb që hesht përballë padrejtësisë është një komb që pranon të shtypet.
Ku është zemërimi ynë? Ku është ndjenja e përgjegjësisë? Çfarë na pengon të ngrihemi për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë?
Nëse një vend si Gjermania, me një sistem të fortë ligjor dhe një ekonomi të zhvilluar, arrin të mobilizohet për të protestuar kundër një partie si AfD, pse Shqipëria, që po humbet përditë identitetin dhe shpresën, nuk arrin të ngrejë një zë të përbashkët? Shqiptarët jetojnë mes varfërisë, padrejtësisë dhe mungesës së perspektivës. Ata e shohin se si fshatrat po boshatisen, si qytetet po kthehen në arenë për betonierët, si pasuritë kombëtare po shiten për një grusht parash, por prapëseprapë nuk reagojnë. Çfarë po ndodh me ne?
Heshtja jonë nuk është vetëm një shenjë frike, por edhe një dorëheqje nga vetë dinjiteti ynë. Si mund të presim një të ardhme më të mirë, kur vetë nuk bëjmë asnjë hap për ta ndryshuar të tashmen? Zgjedhjet janë të kapura, politikanët janë të korruptuar, por fuqia e popullit është ende aty – e paorganizuar, e përgjumur, por e pamposhtur nëse zgjohet. Ajo që na mungon është dëshira për t’u zgjuar, për të ngritur zërin dhe për të luftuar për të drejtat tona.
Shqiptarët duhet të kuptojnë se heshtja nuk është zgjidhje. Heshtja na bën bashkëfajtorë për çdo padrejtësi që ndodh. Nuk ka justifikim për këtë mungesë reagimi, as nga ata që thonë “nuk ndryshon asgjë” dhe as nga ata që presin që të tjerët të bëjnë hapin e parë.
Nëse ne vazhdojmë të heshtim, asgjë nuk do të ndryshojë. Përkundrazi, situata do të përkeqësohet dhe brezat e ardhshëm do të na mallkojnë për indiferencën tonë. Shqiptarët duhet të ngrihen. Jo për politikën, jo për partitë, por për veten, për fëmijët, për Shqipërinë. Nëse gjermanët arrijnë të mobilizohen për të ruajtur demokracinë dhe të drejtat e njeriut, atëherë edhe ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë për të shpëtuar veten nga varfëria, korrupsioni dhe mjerimi që po na mbyt.
Është ora e fundit për t’u zgjuar. Nëse nuk veprojmë tani, nesër mund të jetë shumë vonë. Shqipëria nuk do të shpëtohet nga jashtë. Vetëm populli i saj mund ta bëjë këtë. Por a jemi gati për të ndryshuar fatin tonë? Kjo është pyetja që duhet t’i bëjmë vetes çdo ditë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply