Katër përkthyes dëshmojnë për laboratorin e tyre të ‘rikrijimit’ të veprës, duke filluar nga titulli. Ose duke mbaruar tek ai.
-A e filloni përkthimin nga titulli apo nga teksti?
Mirela Kumbaro: Jo, asnjëherë! Përkthimi i titullit është etapa e fundit me të cilën mbyllet procesi i përkthimit të një libri apo qoftë edhe të një tregimi.
Vetëm pasi e kam asimiluar, interpretuar, ndjerë e bërë timin gjithë tekstin deri në pikën e rishkrimit prej meje, vetëm atëherë mund të përkthej titullin, i cili duhet të jetë me tekstin e përkthyer, në po atë simbiozë që është teksti i origjinalit me titullin e vet.
Nëse ndodh e kundërta, përkthimi i titullit do të ishte një fjalëpërfjalëzim i pavlerë…
Edmond Tupja: Zakonisht, përkthimin e titullit e lë për në fund. Në fakt, herë pas here, përkthimi i tij ose, më saktë, gjetja e tij, më vjen qysh në fillim, jo të procesit të përkthimit, por të leximit fillestar të tekstit burimor, d.m.th. me syrin e lexuesit. Kjo gjetje nis e më pëlqen ose, në të kundërt, fillon të mos më pëlqejë pasi mbaroj leximin e dytë të tekstit burimor, d.m.th. me syrin e përkthyesit. Gjithsesi, përcaktimin përfundimtar të titullit në shqipe (përkthim, përkthshtatje, përshtatje ose gjetje e një titulli tjetër për lexuesin shqiptar), e bëj pasi e kam mbaruar përkthimin.
Jonila Godole: Në përgjithësi kur duhet të përkthej diçka, e nis që nga titulli. Ndonjëherë ky mund të jetë një titull pune, pra jo i përcaktuar qartë qysh në fillim, por sidoqoftë qëndron në krye të fletës kur unë filloj punën.
Drita Çetaku Turdiu: Do të ishte më e saktë nëse do të thoja nga teksti, sepse ndonjëherë më është dashur t`i rikthehem titullit të librit dhe mëshpesh atyre të kapitujve pë t`i dhënë ngjyrimin e duhur në përshtatje me përmbajtjen e tekstit. Kjo nuk nënkupton patjetër ndryshim të kuptimit nga origjinali, por më shumë një lojëz me mundësitë që të ofron gjuha.
Përkthimi i titullit- besnikëri absolute apo tradhti e justifikuar?
Mirela Kumbaro: Varet se çfarë kuptojmë me besnikëri. Besnikëri ndaj kuptimit po! Dhe kuptimi del nga harmonia e së tërës me titullin.
Dhe nëse për hir të besnikërisë ndaj kësaj harmonie duhet tradhtuar versioni origjinal i titullit, po, unë tradhtoj dhe ndihem e justifikuar.
Edmond Tupja: Herë besnikëri absolute, herë besnikëri relative, herë tradhti e përligjur, por gjithmonë për hir të lexuesit pritës, në mënyrë që ai ta blejë librin e ta shijojë leximin e tij.
Jonila Godole: Në krye të herës kam menduar se duhet të isha sa më besnike e titullit të autorit, por tash mendoj ndryshe. Për shembull për titullin e librit “Die Verwirrungen des Zöglings Törleß” nga autori austriak Robert Musil (botohet së shpejti nga shtëpia botuese “pika pa sipërfaqe”), kanë qenë disa variante: “Pështjellimet e kadetit Törleß”, “Trazimet e djaloshit Törleß”, “Pështjellimet e Törleß-it”. Asnjeri prej tyre nuk më ka kënaqur. Libri është shkruar në fillim të shekullit të 20-të, ku ekzistonin internatet, shkollat ushtarake dhe ekzistonin emërtime të ndryshme për nxënësit e shtresave të larta që i ndiqnin këto shkolla. Sot një shekull më vonë shumë emërtime të këtij lloji besoj se nuk janë të qarta për të rinjtë dhe mund t’i irritonin ata nëse do të kishin në dore një titull libri të rënduar. Nga ana tjetër, një titull i tillë si “Pështjellimet e djaloshit Törleß” të kujton menjëherë “Vuajtjet e djaloshit Werther” të Goethes, prej nga është marrë edhe analogjia. Mbase më mirë do të ishte ta tradhtonim pak autorin dhe për të mirë të tij të shënonim thjesht: “Djaloshi Törless” ose në variantin e shqipëruar “Djaloshi Terles”.
Drita Çetaku Turdiu: Për mendimin tim shprehja besnikëri absolute nuk mund të jetë krejtësisht e përshtatshme as për përkthime në fushat që kërkojnë saktësi të lartë. Kësisoj, duke mos dashur të tradhtoj autorin, parapëlqej që nëpërmjet përkthimit të “riprodhoj” artistikisht dhe me ngjyrimet e nevojshme tekstin e shkruar prej tij, mundësi që letërsia ta ofron bujarisht.
I kujt është titulli i përkthimit i autorit apo i përkthyesit?
Mirela Kumbaro: Besoj i përkthyesit, por për t’i qëndruar besnik autorit dhe qëllimit të tij. Autori ka pasur parasysh lexuesin e tij kur ka vendosur titullin me të cilin do t’i flasë. Edhe përkthyesi duhet të ketë parasysh lexuesin e vet kur përkthen një titull me të cilin do të përcjellë mesazhin që do të donte vetë autori.
Kjo nuk do të thotë që këta tituj të jenë gjithmonë të ndryshëm, ashtu sikurse nuk do të thotë që duhet të jenë rregullisht përkues.
Edmond Tupja: Kur titulli përkthehet fjalë për fjalë (p.sh. nga Peyre de Mandiargues: Le Lis de mer = Zambaku i detit), ai është i autorit. Kur përkthshtatet ose përshtatet (p.sh. nga Marsel Prusti: Un amour de Swann = Kur dashuronte Suani), ai është i autorit dhe i përkthyesit. Kur ndryshohet (p.sh. nga Jean Giono: Un de Baumugnes = Litari i lumturisë), ai është i përkthyesit.
Jonila Godole: Bashkëpunim dypalësh, por ndonjëherë shtëpia botuese mund të operojë si arbitër, të vendosë veton dhe të zgjedhë titullin që mund të jetë më i përshtatshëm për të ofruar librin te lexuesi. Natyrisht duke shpresuar se do shmangen titujt klishe që ngjajnë më shumë me telenovelat se letërsinë e mirë.
Drita Çetaku Turdiu: Nëse fjala titull në këtë pyetje nënkupton librin në tërësi, nuk ka dyshim që në çdo rrethanë vepra mbetet pjellë e autorit, ndërsa punën e përkthyesit do ta quaja, pse jo, birësim të kësaj krijese.
Cili ka qenë titulli më i bukur që keni përkthyer? Më i vështiri?
Mirela Kumbaro: “Për një fjalë goje”, drama e Natalie Sarraute, ku përdora një frazeologji të gjuhës shqipe për të përkthyer idenë e dramës, të shprehur edhe në frëngjisht me një tjetër shprehje frazeologjike. Dhe më i vështiri, por për të cilin ende nuk jam e kënaqur, titulli i tregimit të Slavenka Drakuliq, “Si i mbijetuam komunizmit, madje edhe duke qeshur”.
Edmond Tupja: a) Më i bukuri: Litari i lumturisë; b) Më i vështiri: asnjëri.
Jonila Godole: Unë kam fatin të përkthej deri tani autorë të cilët i vlerësoj shumë dhe më frymëzojnë në punën time, kështu që të gjithë titujt e tyre më duken të përzgjedhur me kujdes, për të mënjanuar paksa përcaktimin “i bukur” që mund të jetë apo jo subjektiv në letërsi. Një ndër titujt më të vështirë ka qenë ai i romanit “Gruaja e Mesditës” (Die Mittagsfrau) të autores bashkëkohore Julia Franck, fituese e disa çmimeve në Gjermani (në shqip nga shtëpia botuese Scanderbeg). Në takimin që autorja pati me gati 12 përkthyes të gjuhëve të ndryshme, në të cilat do të botohej romani i saj, ndër të cilët isha edhe unë, kjo pikë hapi një diskutim të gjatë. Në romanin e Julia Franck vetëm në një pasazh të vogël përmendet një gojëdhënë e vjetër sllave, sipas së cilës, die Mittagsfrau, një grua që vinte në pikun e drekës, në vapë, eliminonte çdokënd që gjente duke punuar dhe, i cili nuk i rrëfente pa pushuar një histori. Në një farë mënyre, por shumë të largët, kjo shërbente si një metaforë për romanin. Vetë autorja kishte pasur një titull tjetër, por shtëpia e madhe botuese gjermane Fischer, kishte këmbëngulur pikërisht për këtë titull. Përkthyesi italian dëshironte titullin Shtriga e drekës, për ta bërë pak më komercial librin që trajtonte një histori të dhimbshme gjatë dhe pas Luftës II Botërore. Megjithatë, në bashkëpunim me autoren, unë vendosa ta përktheja titullin fjale për fjalë, meqë Gruaja e Mesditës, përmbante brenda vetes disa pista asociacioni për lexuesit.
Drita Çetaku Turdiu: Përkushtimi dhe pasioni që shpenzon gjatë përkthimit të një libri (të domosdoshme për një vepër letrare) e vështirësojnë përzgjedhjen, megjithatë unë do të veçoja librin “Unë jam e Kuqja” të nobelistit Orhan Pamuk, tepër tërheqës dhe i veçante për nga stili i të rrëfyerit. Të njëjtin libër do ta cilësoja edhe si më të vështirin në përkthim, për shkak se ngjarjet në të i përkasin një periudhe dhe një kulture tepër të hershme dhe thuajse të panjohur për lexuesin tonë.
MAPO
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani


Leave a Reply