Zefina Hasani
Agron Llakaj braktis Tv Klan për Vizion Plus… Sezoni i ri nuk do ta gjejë më Agron Llakajn te “Kush do të bëhet milioner”, por tek “Al Pazar”, një program i ri humoristik, për të cilin nuk dihen ende shumë detaje… Zbulohen disa nga elementet që do të përbëjnë “Al Pazarin” e Agron Llakajt: moderatori, polici dhe vajza bukuroshe (sepse Pazari nuk mund të shijohet pa një vajzë të bukur)… Mësohet se në thelb të kësaj shfaqjeje do të jetë loja, shakaja e hidhur me lajmin apo personazhin e ditës e të javës, të të gjitha fushave. Motoja e kësaj shfaqjeje do të jetë: “Jeta nuk është Pazar, por në Pazar gjejmë të vërtetën”, për të gjithë larminë e problematikave që ky show do të sjellë nëpërmjet humorit…
Që prej fundit të korrikut, kur u shfaq për herë të fundit në studion e “Kush do të bëhet milioner”, gazetat apo blog-et e ndryshëm në internet nuk kanë reshtur së shkruari, komentuari, hulumtuari për projektin e ri të Agron Llakajt. Fiks siç kishte ndodhur në kohët që u trazuan edhe më shumë se kaq prej lajmeve: Agron Llakaj braktis Top Channel për Tv Klan… Prezantuesi i njohur dhe aktori Agron Llakaj është pushuar nga puna, si drejtues i “Portokalli”-së, para përfundimit të kontratës. Shkak për këtë u bë shfaqja e tij në “Këngën Magjike”, ku ai u bë pjesë e një loje me Ardit Gjebrenë…
Ka ndodhur e ka për të ndodhur gjithëherët njësoj gumëzhitja mediatike, sa herë që Agron Llakaj do të bëjë lëvizjen e madhe të radhës. E si gjithmonë ai do të dëgjojë, do të bjerë dakord apo do të qeshë sa t’ia ketë qejfi me të gjitha variantet që hidhen në treg, si shkrime mirëfilli (ose jo) gazetareske apo si thashetheme, e pastaj do të thotë të vërtetën apo thjesht variantin e tij për gjithçka po ndodh me projektet e tij televizive. Këtë herë këtë lloj rrëfimi po e kryen për herë të parë, në “Mapo Weekend”, nëpër ngutin e ditëve të fundit përgatitore, për ta sjellë projektin e tij të ri “Al Pazar”, në të shtunën e parë të tetorit në ekranin e “Vizion Plus”. E përgjegjësia duket se e ka zaptuar edhe më fort akoma, sepse ky produksion për herë të parë, pas afro 26 vjetësh (që nga 17 maji 1986 kur u shfaq për herë të parë në koncertin “Bashkë me ju” në TVSH) në ekran, është 100% made in Agron Llakaj. Një dëshirë kjo e tjerrur me nge e durim që nga Top Channel, në TV Klan e që po thuret më së fundi në Vizion Plus.
Askund tjetër veçse në Vizion Plus nuk mund të na e lërë takimin, sepse tashmë që prej më shumë se një muaji ai po gdhihet e ngryset me “Al Pazar”. Është i prerë në orarin që të lë: “Të lutem, në orën 10 duhet të jeni këtu, sepse në 11 kam lënë një punë tjetër, që nuk e shtyj dot kurrsesi”. Ajo puna tjetër ishte, sigurisht, po për “Al Pazar”, regjistrimi i një spoti promocional që duhet të shfaqet së shpejti në ekranin e Vizion Plus. Na përfshin në ritmin e tij, aq sa kuptojmë se gjatë kafes së mëngjesit që na ofron e në rrëmujën e zhurmën që shkakton me batutat që s’i rreshtin, duhet të mbarojmë bisedën tonë, që të mund të lëmë pastaj pak kohë edhe për setin fotografik. Është e vështirë ta përmbledhësh Agron Llakajn në një intervistë serioze, ndaj, do s’do, duhet t’ia gjesh anën stilit të tij të të rrëfyerit. “Ja moj, me këto që po flasim, do ta sajosh shkrimin se s’do bëjmë filozofi këtu ne tani”- të thotë ai me të qeshur, ndërkohë që s’të ka treguar ende asgjë për programin, përveç ca situatave komike të ndodhura aty rrotull, gjatë atyre ditëve. “Nëse s’të vjen keq të përfshihen të gjitha këto ndodhi që na the, në shkrim, dakord jam unë”- Kjo “kanosje” e bën disi më serioz e fillon të flasë konkretisht për programin, me fjalitë standarde që nis një prezantim- “Është bëre e ditur tashmë nëpër media që “Al Pazar” do të jetë një program satiriko- humoristik. Është një program krejtësisht i ri, që s’është parë askund. Do të jetë një show që do të merret me lajmin e ditës e javës, duke analizuar çdo fenomen, sigurisht me humor, që do të jetë edhe shumë i hidhur ndonjëherë. Hë, të mjaftojnë kaq?” Sigurisht që jo vetëm nuk mjaftojnë, por as nuk thonë ndonjë gjë të re, sepse siç edhe e pohoi vetë, kanë qarkulluar me kohë, kudo. “Janë thënë moj, janë thënë, por jo kështu siç po i merr ti, ekskluzivisht nga unë. Epo mirë, meqë bëre gjithë këtë rrugë nga qendra deri këtu, ja, po të them dhe ca gjëra të reja që s’janë thënë. Në këtë program një shtyllë shumë e rëndësishme do të jetë marrëdhënia e hapur që do të krijoj unë me publikun që do të jetë i pranishëm në sallë. Ata do të përfshihen krejt spontanisht në lojën time. Një tjetër element do të jetë telenovela e javës e titulluar “Oqi apo Po”, që transmetohet vetëm një herë, ditën e shtunë ora 21.00 në Vizion Plus… sepse gjërat e mira shijohen vetëm një herë J. Unë do të jem greku si personazh, ndërsa Behar Mere do të jetë shqiptari. Do të ketë dhe Vox Pope nga një aktore e re, që unë e kam pagëzuar si Stela e Pazarit. Ajo do t’i ngacmojë me pyetje nga më absurdet njerëzit në rrugë e lokale. Monitorimet e gjithçkaje që ndodh nëpër televizionet tona do të jenë një tjetër ndalesë interesante në “Al Pazar”. Do të ketë të ftuar specialë në çdo të shtunë, që mund të jetë ministër, deputet, artist, shkencëtar etj. … por që përballë meje do të jetë thjesht në dimensionin e tij njerëzor. Do të ketë dhe një tjetër të ftuar special, që s’është aspak VIP, a i njohur, por që do prezantohet si Stari i rrugës. Kam bërë, bashkë me regjisorin dhe skenaristin e këtij programi Arjan Çuliqin gati një muaj të tërë audicion, për t’i përzgjedhur këta yje. Oooo, mjaft të thashë tani, se për pak harrova, e po të zbuloja gjithë programin. E përmbledhur në një fjali ky program do të jetë një pasqyrim i gjithë jetës shqiptare, që në një farë mënyrë është thjesht një pazar”.
Nuk ia kemi ndërprerë për asnjë çast rrëfimin e tij, pikërisht me qëllimin e ligë që ai të mos e kuptonte se po zbrazej pothuajse i tëri, por e mblodhi vetë mendjen, duke e hedhur bisedën sërish në batutat e tij: “Pra, ky është një investim i ri i në Shqipëri, 100% made in Agron Llakaj, që synon të hapë mbi 2500 vende të reja pune J.”
Përtej shakave, ky program është vërtet një investim i madh për të. Që prej ditës që u largua nga TV Klan, nga “Kush do të bëhet milioner”, është marrë intensivisht vetëm me përgatitjen e këtij programi të ri. “Vetëm 10 ditë jam larguar në Korfuz bashkë me familjen për ca ditë pushime por që s’mund t’i quaj aspak pushime, sepse isha gjithë kohës në biseda telefonike për të vënë punët në vijë. Pas sistemimit të ideve, më duhej të zgjidhja njerëzit me të cilët do të punoja dhe jam i bindur se kam zgjedhur të duhurit”. Sigurisht që numri i të punësuarve të tij është shumë, shumë larg shifrës 2500 vende të reja pune, ama aq sa janë, janë stafi i tij, i “Al Pazar”. Bashkë me ta është zhvendosur si grup më vete në “Vizion Plus”, ka punuar e po vazhdon të punojë për t’u shfaqur më 6 tetor në ekran. “Për mua mbreti i suksesit është puna që bëhet në tavolinë, me qetësi, pa të bërtitura e pa stres, sepse nëse stresi të nënshtron do të thotë që gjërat s’janë aspak pozitive. Unë këtë lloj pune e kam si adrenalinë dhe përpiqem që të krijoj atmosferë të kënaqshme te të gjithë, me humor e batuta, ja siç po bëj dhe tani në këtë bisedë me ty, që duhet ta mbyllim këtu, sepse vërtet s’kam më kohë, më duhet të xhirojmë sot për spotin”. Bëhet gati për t’u ngritur, na huton sërish me ca histori humori, për ta mbyllur me të vërtetë bisedën. “Pse ike nga Tv Klani?”- është pyetja e drejtpërdrejtë, që e priste, e kishte shmangur deri në këtë moment e që e detyron të ulet prapë në karrige e të mendohet paksa, para se të flasë. “Ma kanë bërë pafund këtë pyetje edhe kur ika nga Top Channel, pra nga “Portokalli”. Dhe atëherë e kisha të thjeshtë të thosha ika sepse cikli im aty mbaroi.” Gjë që për në Tv Klan, ku shkoi me bindjen fikse se projektin e tij, që s’e bëri dot në Top Channel do ta realizonte aty, s’mund ta thotë dot, sepse në aq pak kohë sa qëndroi, cikli s’mund të quhet kurrsesi i mbyllur. E ka menduar ndërkaq përgjigjen e duhur për ikjen nga Klan: “Ika sepse s’ma dhanë hapësirën që më premtuan për të bërë diçka timen në atë ekran. Drejtimin e “Kush do të bëhet milioner” e pranova mbi këtë marrëveshje. Meqë nuk u respektua, vendosa ta gjej diku tjetër atë hapësirë”. Do të ishte quajtur “Al Pazar” apo diçka tjetër, formati do të ishte pikërisht ky që po përgatit tashmë në Vizion Plus. Pavarësisht se çfarë kanë shkruar gazetat apo blog-et e ndryshme në internet, kjo është e arsyeja e vërtetë, e artikuluar nga Agron Llakaj. Duke i vënë kështu vërtet pikën e fundit bisedës. Do të donim të gërmonim edhe më, në arsyet e ikjes jo vetëm prej Klanit por edhe Top Channelit, por ai ngrihet vrik, duke na përzënë sërish me batutë: “Nëse s’doni të mbeteni pa fotografi, bëni mirë të ngriheni tani!”.
Familja… stafi i jashtëm
Ndërsa mbesa e vogël Adea këndon rregullisht, himnin e programit… “Ngado që të shkosh, këndej do të kalosh, Al Pazar”, konsulentët më të mirë të Agronit janë bashkëshortja e tij Kostandina (që viktimizohet gjithmonë nga humori i tij), vajza Alkida dhe djali Eno. Ata e kanë fituar me kohë statusin që ta kundërshtojnë për gjithçka që gjykojnë se Agroni nuk po e bën ashtu siç është më e mira të bëhet.
http://www.mapo.al/
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani


Leave a Reply