Në momentin kur moderatori citoi titullin e edicionit të dytë të aktivitetit, “Mora fjalë”, nga pas kuintave vjen një zë i embël, miklues, familjar bashkë me muzikën. Diti bukur t’i japë notat epike këngës me të njëjtin tingull këngëtari durrsak Kosta Bonshi. Nga popullariteti i madh i kësaj kënge, e dinim përmendësh të gjithë e kënduam në kor. Kështu nisi maratona e prezantimit të artistëve të kuotuar që kishin ardhur enkas në Rovereto. Atje, sepse një djalë muzikant i kompletuar dhe që me punën profesionale ka konfidenca që sapo mbaroi liceun, sa kompletoi studimet në Akademinë e Arteve dhe deri në këto momente që, domosdo, është duke përshkuar në mendje si të realizojë projektet ambicioze të nisura. Kompozitori, orkestruesi, dirigjenti e Drejtori Artistik Aleksander Kolshi ka në veprimtarinë e tij një parim; “skena është e shenjtë”, të cilin ia nguliti figura madhore e muzikës shqiptare Çesk Zadeja, i cili e kishte studentin e preferuar.
Nga arvanitasit e deri në Prishtinë, nga Durrësi deri në Gostivar, nga Vlora deri në Pogradec erdhën në shenjtërinë skenës këngëtarë, valltarë, recitues e prezantues. Duke qenë se ky aktivitet i krijuar vitin e kaluar paraprin festat e nëntorit, vendin kryesor e zunë këngët me theks epik, në të cilat u këndohet trimave dhe heroizmit që karakterizon historinë e popullit tonë. Edhe poezitë e recituara me në sfond valëvitjet e flamurit tonë, nga Moderatori Eduart Stavri Çala.
– Fatlume ndihem unë që jam e pranishme sonte këtu mes jush, – iu përgjigj “provokimit” të moderatorit që lozi me profecinë e emrit të vajzës nga Gostivari. Dhe me zjarrin e këtyre fjalëve prezantoi për ne këngën simbol të vetëmohimet “Fjalët e qiririt”, dhe këngën hit kombëtar “Xhamadani vija-vija”. Për të ngritur në kulm tonalitetin e epikës heroike, dalin në skenë dueti i përbërë nga i pasionuari Anton Mirditori dhe artistja me individualitet të spikatur, shumë e dashuruar me publikun shqiptar, sopranoja Anila Gjermeni, me këngën kushtuar Jakup Ferrit, figurë simbol e qëndresës dhe vetëmonimit.
Gege Tuci, Zef Margjoni, Gjon Melyshi, ArBen Prenga, Maksim Prenga, Arben Marku. Këta janë emrat e Grupit artistik “Zëri i Arbrit”, të cilët u prezantuan, së pari, me një këngë kushtuar heroizmave që personifikojnë një popull në Kosovë, e së dyti, me këngën lapidare “Për liri s’të fal shqiptari”.
Organizatori ka ditur bukur të ndërthurë programin me elemente epike dhe lirike. Ndërsa epika na rrit moralisht, na shton krenarinë për flamurin e identitetin tonë, lirika është ferment që gjallëron shpirtin e një populli. Një dinamizëm e gjallëri sollën këngët e zgjedhura nga Mariana Daçi, së cilës i duhet të përballojë sfida për të ardhur nga larg. Me sportivitetin që e karakterizon, me dashurinë që ajo ka për këngën e kultivuar, me respektin që ka për spektatorin që adhuron muzikën, në skenë jep gjithçka me përkushtim profesional. Duartrokitjet e vetvetishme shoqëruan dy këngët që prezantoi.
Plot aromë e freski ngjalli kënga “Lulja mërgimtare”, të cilën e solli një vajzë e re nga Prishtina. Jo vetëm Dorarta, por edhe zëartë. Me kostumin e bukur, me lëvizjet koreografike dhe me interpretimin e saj përcolli frymën e re që dikton lëvizja demografike e bashkatdhetarëve tanë, se lule shqiptare rriten kudo në botë, por rrënjët i kanë në dheun mëmë.
“Albanian Folk”. Kështu quhet grupi artistik i përbërë nga instrumentistë, këngëtarë e valltarë që solli me një larmi e bukuri të rrallë motivet e Jugut. Solistja Elvira Zyko dhe grupi kënduan këngën popullore kushtuar Nënës që na lindi, “Shqipëtarë, kudo që jeni” nga repertori i këngës Labe, tashmë pronë e UNESCO-s dhe mbrohet si diçka e rrallë prej saj. Më pas, me një orkestrinë tipike sollën një këngë arvanitase të shoqëruar me valle dinamike e kostume karakteristike.
Me vallen, konfidenca prej dekadash ka Grupi mitik i Valleve Shqiponjat, i kryesuar nga e palodhura dhe simboli i sakrificës për të lëvruar artin e valleve, Drita Gega Qokaj. Duke përshkuar kilometra të tëra nga Zvicra deri në Rovereto (TN), tregon se ç’është në gjendje të bëjë i pasionuari për artin. Dhe jo vetëm ajo, por me gjithë familjen e saj (për të cilën nuk do të lodhem kurrë të shkruaj). Këtë herë, bashkë me të kishte ardhur ajo që e quajmë flutura Stela, një mjeshtre e vërtetë e koreografisë dhe interpretimit të valles. Në vallet mix që kishin përgatitur, ftoi edhe pjesëmarrësit dhe harmonishëm u bë një rreth i bukur, ku në mes ishte fluturakja Stela.
Tingujt e flautit janë delikatë si cipë shpirti. Akoma më delikatë bëhen kur ato i transmeton me interpretimin e saj artistja e ndjeshme dhe e butë Monika Bekolli. Një melodi të bukur luajti në duet në formë stafete; ajo me flaut dhe Anton Mirditori me çifteli, e cila u bë inkandeshente në finale. Pastaj solli një copë Shkodër me melodinë joshëse të këngës “Kur jemi bashkë ne të dy”. Bukuri i dhanë mbrëmjes edhe prezantimi i instrumeteve të tjerë si buzuku, çiftelia, sharkia, dajrja.
Bukuria koncertit festiv iu shtua nga larmia e kostumeve kombëtare që prezantuan artistët. Duke qenë në atmosferën e kuqja u bë protagoniste. Edhe ato të krahinave të tjera të trevave shqiptare sollën origjinalitet. Por më e rëndësishmja ishte prezantimi i një veshje që prezantoi një çetinë nga Malësia e Madhe, bashkë me lajmin e bukur. Xhubleta, një veshje tradicionale e femrës malësore, me format, mënyrat e punimit, me ngjyrat dhe efektet e saj, ka tërhequr vëmendjen e studiuesve të folkut forumet ndërkombëtare. Tani kjo veshje impresionuese e autoritare, është shpallur pasuri e UNESCO-s dhe mbrohet prej saj. Rrënqethës e motiv krenarie njëkohësisht ky lajm i bukur, që origjinalitetit të elementeve identifikuese të kulturës e traditës sonë i kushtohet vëmendja institucioneve prestigjoze ndërkombëtare.
Disa herë në kronikat e mia kam shkruar për sopranon e famshme Anila Hoxha Gjermeni. Në karrierën e saj prestigjoze ka lënë shenja të dukshme në skenat e shumë vendeve të botës dhe sidomos, në skenat më të famshme të Italisë, duke interpretuar role të para të veprave operistike dhe këngët me të mira, që kërkojnë impenjim profesional të latë. Fakti që ajo do shumë kulturën e vendit të saj, vendit tonë, tha që më shumë duhet t’i referohemi profesionalizmit, që kultura jonë të ketë ngritje. E ka fjalën për kulturën e vendit të saj, pa të cilën nuk duhet e plotësuar. Dy këngët që prezantoi; “Malli përtej detit” dhe Baresha”, janë tregues të një përkushtimi dhe adhurimi romantik për këngën e kultivuar. Moment i këndshëm ishte interpretimi këngës spanjolle “Polka”. Si gjithnjë, origjinale dhe krijuese në interpretimet e saj, duke marrë në këmbim duartrokitje e admirim.
– Kam filluar karrierën time, fillimisht, si instrumentist. Luaja me fizarmonikë. Pastaj fillova të debutoj si këngëtar dhe kam vazhduar ta ushtroj lëvrimin e këngës popullore, – u shpreh Kosta Bonshi. Ai këndoi këngën që është cilësuar si himni ynë i dytë, “Rrjedhe në këngë e ligjërime”. Në fund të spektaklit ai solli tingujt e bukur të këngës sonë qytetare me një kolazh të shkurtër e të shoqëruar nga një rreth i gjatë valltarësh prej të gjithë artistëve të mbrëmjes në skenë dhe në sallë.
Për të vlerësuar zgjedhjen e moderatorit nga ana e Drejtorit Artistik, më duhet të çoj kujtesën time dekada më parë. Një djal i brishtë fshati, i ndrojtur për shkak të mosnjohjes së dinamikës së jetës në qytet, në shtatorin e largët 1973, filloi shkollën ku përgatiteshin mësuesit e ciklit të ulët, e cila në gjuhën popullore quhej “Normalja” e Elbasanit. Në programin e edukimit kishim ndjekjen e një shfaqjeje teatrale në muaj. Njihja me emër të gjithë aktorët e trupës së teatrit “Skampa” të qytetit. Mbaja mend, thuajse, të gjitha batutat e tyre në shfaqjet. Ndonjë herë, përmes një të njohuri, kam ndjekur provat gjenerale. Krahas aktorëve me famë, binte në sy një aktor i ri. Luante shumë bukur rolet që i jepeshin dhe për mua ishte idhull. Ishte modeli që doja t’i ngjaja në të gjitha, edhe pse hijeshia e tij më dukej e paarritshme. Ai vazhdoi karrierën e tij të suksesshme në skena e filma. Në fillimin e këtij viti, ndodhej për pak kohë në anët tona dhe një që e njihte personalisht e ftoi në aktivitetet tona. Aty u njoha nga afër me artistin e kuotuar Eduart Çala. U krijua lidhja e komunikimit si mik real në rrjetetin socioal e, për pasojë, shihja angazhimet e vazhdueshme të tij në qytetin e tij. Miku im i hershëm Aleksandër e kishte zgjedhur për të bërë moderimin e këtij aktiviteti të krijuar dhe vënë në akt prej tij. Kishte mbërritur enkas nga Elbasani dhe spektatori që ai adhuron, shijoi zotësitë profesionale në recitimet, aftësitë komunikuese me artistët, ngjalljen e kureshtjes tek të pranishmit, prej nga dalin në dukjen virtytet e njeriut, të ndërthurura me virtytet e klasin e artistit. Tani që shenjat e shtrigës së mallkuar (kështu e cilëson në një varg Naimi,) trokasin, mbrëmjen e 23 nëntorit 2024, i harrova, sepse dua akoma t’i ngjaj atij që në rininë e hershme doja t’i ngjaja.
Burimi/Facebook


Leave a Reply