Dje ka qene dita e perkthimit. Lexoni dhe shihni çfare kontributi madhor kane dhene shkodranet ne fushen e perkthimeve.
PËRKTHIMET (Kontributi i përkthyesve të hapësirës shkodrane)
Në fushën e përkthimeve shkodranët do të kontribuojnë duke i dhënë publikut shqiptar vepra të disa prej shkrimtarëve më të mëdhenj të kohërave, në shqipërime nga më cilësoret.
Në v. 1872, kleriku Ejëll Radoja merr përsipër përkthimin nga latinishtja, në dilektin gegë të shkodranishtes, të “Kuvendit të Arbërit” të zhvilluar më 1703. Më vonë në v. 1879, kur jepet shfaqja e parë teatrale në Shkodër, dhe më vonë mbas krijimit të shoqatave kulturore-artistike, lindi nevoja e përkthimeve për drama, komedi dhe pjesë të ndryshme teatrale apo muzikore, ku u angazhuan shumë intelektualë shkodranë, mësues, regjisorë, dramaturgë, shkrimtarë, studiues, si Pashko Babi, Anton Xanoni, Hilë Mosi, Gjergj Fishta, Vincenc Prennushi, Kolë Mirdita, Kolë Plani, Ndre Plani, Cuk Simoni, Ndoc Vasia, Kolë Thaçi, Lin Luka, Tom Gjyshja, Karl Gurakuqi, Injac Zamputi, Henrik Lacaj, etj. Në rrjedhë të viteve, shumë shkrimtarë e përkthyes nga Shkodra lanë gjurmë në shkollën shqipe të përkthimeve.
*Ardian Marashi ka përkthyer nga frëngjishtja romanet: “Dhuna e një vere” (Adrien Salmieri), Tiranë 1989; “Murtaja” (Albert Camus), Tiranë 1994; vëllimin “Muri” (Jean-Paul Sartre), Tiranë 1995, etj., e gjithashtu autorë shqiptarë në frëngjisht, në antologjinë poetike La Nouvelle poésie en Albanie (Poezia e re në Shqipëri), etj.
*Cuk Simoni si përkthyes është i pari që solli në shqip, në dialektin modern gegë, “Pinokun” të shkrimtarit italian K.Kolodi, e gjithashtu përktheu “Njeriu i padukshëm” të Zhyl Vernit. Ai gjithashtu hartoi dhe botoi më 1929, në gjuhen esperanto , një histori të Skënderbeut me titull “Skanderbeg heroo de Albanuio”
*Dedë Gajtani (Kola), i cili ka zotëruar latinishten, italishten, frengjishten, spanjishten, gjermanishten, anglishten dhe greqishten e vjetër, ka përkthyer poezitë e poetëve të mëdhej klasikë, si Manzoni, Hygo, Alighieri, Goethe, Schiller, Corducci, Leopardi, Ada Negri, Chateubriand, Logfellow, përrallat e Ezopit dhe Fedrit etj., të sjellur në librin monogafik “Ded Gajtani (Kola)-Përkthime, poezi dhe Poema”, Tiranë, 2014
*Ernest Koliqi, u dallua si përkthyes nga italishtja në shqip dhe nga shqipja në italisht, me veprën “Poetët e mëdhenj të Italisë” (1932, 1935), në dy vëllime.
*Ferid Hafizi ka përkthyer veprat “Lufta për Shkodrën” 2005, e autores E. Durham, “ Rrethimi i Shkodrës”, 2006 e autores Hortense von Zambaur”, “Muhanedi a.s. i Dërguari i Fundit”, 2006, i autorit M.A.Kan, “Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve”, 2009 të autores E.Durham, “Islami Politik”, 2010 të autorit G.E.Fuller.
*Ferdinand Leka ka përkthyer vepra autorësh të njohur, si: “Të fejuarit” (A.Manxoni), “Lirika të zgjedhura”, (F.Petrarka), “Triumfi dhe tragjizmi i Erazmit tw Roterdamit”, (S.Cvajg) si dhe libra nga fushae filozofisë , etj.
*Frano Alkaj, i diplomuar në letërsinë klasike në Universitetin e Bukureshtit, si zotërues i gjuhëve antike greqisht dhe latinisht i ka filluar përkthimet që herët, kur në v. 1938 shtypshkronja françeskane në Shkodër nxori në botim këngën XXIII të Iliadës (Vrasja e Hektorit) të përkthyer prej tij.
*Gazmend Krasniqi ka sjellë në shqip “Poezi anglo-saksone e shek. XX” (antologji poetike, bashkautor), Tiranë 2004, “Unë dhe zonjushë Mandible” (tregime nga Donald Barthelme), 2004, romanin e Henry James “Deizi Miler”, 2007, përkthime letrare në revista letraro-artistike si dhe në suplementet letrare të shumë të përditshmeve shqiptare.
*Gjon Shllaku, një nga vazhduesit e përkthyesve të shquar, më 1965 botoi poemën “Iliada” të Homerit, më 1995 botoi veprën e plotë me shtatë tragjeditë e Sofokliut, poemën Gjeorgjikat të Virgjilit në vitin 2000, eposin frëng “Kënga e Rolandit” më 2003, etj.
*Hamdi Bushati Përveç temës së parapëlqyer të Bushatlijve, përktheu pjesë nga çështje të gjerësishme rreth historisë shqiptare, si “Jetëshkrimi i 30 vezirëve të mëdhenj shqiptarë në Turqi”, “Jetëshkrimi i veçantë i Abedin P. Dinos dhe ish-ministrit të Luftës, Rexhep P. Matja”, materiale të panjohura për Pashko Vasën dhe Ismail Qemalin, Ngjarjet në Prizren, Shkaqet e ngjarjeve të Lumës, Kryengritja e malësorëve të Shkodrës, dokumente mbi luftën e Ulqinit, kapituj të librit Mbrojtja e Shkodrës, 1912-1913 të ushtarakëve Nazif e Kirametin, shkrime të Hasan Prishtinës e të Dervish Himës, etj. Të rrafshit të kulturës së përgjithshme përktheu nga veprimtaria e Sami Frashërit, pjesët etnografike dhe gjeografike kushtuar Shqipërisë në fjalorin enciklopedik Kamus al-Alam; si dhe broshurat e divulgimit shkencore “Gratë”, “Njeriu”, “Qytetërimi Islam”, “Mithet”, “Qielli”, “Toka”
*Haxhi Hafiz Vehbi Sulejman Gavoçi ka 6 vepra të përkthyera nga arabishtja dhe të përshtatura në shqip. Pjesa dërmuese e shumë shkrimeve të tij janë të shkruara e të botuara në gjuhën arabe, çfarë e ka afirmuar edhe më tepër emrin e Vehbi S. Gavoçit në skenën e botimeve islame botërore
*Henrik Lacaj përktheu nga latinishtja veprat e humanistëve shqiptarë, si M. Barleti (Rrethimi i Shkodrës), vepra nga letërsia antike dhe ajo klasike, si vepren e Virgjilit “Eneida”, “Edipi mbret”, të Sofokliut”, poezi të zgjedhura nga antikiteti grek (Lirika antike greke), poemën “Metamorfozat e Ovidit”, poemën “Mbi natyrën të Lukrecit”, etj.
*Hilë Mosi si përkthyes dhe përshtatës i disa veprave të autorëve të huaj, njihet për veprën “Cubat” (1928) vepër e Frederik Schiller-it, dramën “Filja” trí aktesh, komedítë e Goldonit: “Shërbëtori i dy zotnive” e “Dy Shërbëtorët”.
*Injac Zamputi (shih) ka përkthyer dhe transkriptuar nga latinishtja dhe italishtja mesjetare dokumente historike të botuara nga Instituti i Historisë në serinë “Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë”.
*Jonus Tafilaj, ishte përkthyesi i romanit turk “Jaban” (“I huaj”), si dhe i romanit bullgar “Mësuesi idealist”. Ka kontribuar si bashkautor në një botim akademik për studimin dhe përkthimin nga osmanishtja të afro 600 fermaneve që kanë lidhje me Shqipërinë nga v.1484-1900, botuar në një katalog nga Drejtoria e Arkivit të Shtetit. Duke qenë edhe bashkëkohës i Ismail Qemalit, së bashku edhe me disa aktivistë të tjerë dha një kontribut të jashtëzakonshëm, në përkthimin në shqip të shumë dokumentave të qeverisë së përkohshme të Vlorës, që u botuan me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë.
* Át (Luigj) Jak Marlekaj, në v. 1937, përktheu dhe botoi shqip veprën me titull “Zêmra n’udhtim” të shkrimtarit, Milly Dandolo, përktheu në italisht melodramën e njohur të Fishtës “Jerina, regina dei fiori” (Jerina, mbretëresha e luleve), Bari 1973, përktheu në gjuhën italiane Visarët e Kombit
*Karl Gurakuqi ka shqipëruar nga italishtja, gjermanishtja, serbokroatishtja dhe latinishtja disa vepra letrare, shkencore dhe historike.
*Mark Harapi është përkthyesi i parë i romanit “Të fejuarit” (I Promesi Sposi) të A.Manxonit në vitin 1942.
*Nikoll Dakaj është i pari përkthyes që ka arritur të sjellë modelet e hekzametrit në shqip, në të dyja të folmet shqipe, toske dhe gege, përfshirë edhe standardin letrar, që nga Homeri e poetët grekë e latinë dhe deri në kohën e dezintegrimit të hekzametrit.
*Guljelm Deda, ish i burgosur politik, ka lënë një vepër madhore, siç është përkthimi i kryeveprës së letërsisë italiane dhe botërore, “Orlandi i Çmendun” të Lodoviko Ariostos.
*Mark Dema bëri përkthimin nga latinishtja të poemës “Eneida” të Virgjilit, përkthim i shumë i arrirë nga ana letrare, gjuhësore dhe poetike.
*Pashko Gjeçi, përveç shumë përkthimeve nga letërsia botërore, si: Homer (Odiseja), Shekspir (Hamleti), Gëte (Fausti, pjesa e parë), Rasin (Andromaka), me përkthimin e “Komedisë hyjnore” nga Dante realizoi një ndër arritjet më të shquara të gjithë kulturës së përkthimit në gjuhën shqipe.
*Përkthimeve në shqip nga letërsia orientale, fetare apo laike, si dhe nga veprat origjinale në fushën e islamologjisë, në veçanti e të orientalistikës, iu përkushtuan autorët: Sheh Ahmet Shkodra (“Mevludi”, “Ilahite”), H.Abaz Golemi (“Poezi të Sadiut”), H. Esat Myftia (2 fjalorë doracakë dygjuhësh, 1 manual tregjuhësh, Hadithe dhe proverb arabe), (shih). Përkthimi nga Hafiz Riza Ulqinaku i Mevludit Sherif (1873) e poetit të famshëm turk Sulejman Çelebiut nga Bursa, në gjuhën shqipe, vepra më e vështirë për t’u përkthyer, edhe në ditët e sotme është më i përsosuri dhe më i popullarizuari dhe më i përhapuri në gjuhën shqipe.
*Dom Simon Filipaj , nga Ulqini, bëri botimin e plotë të Biblës në shqipen standarte sipas tekstit “Nova Vulgata”, i pari botim tërësor i Shkrimit të Shënjtë në gjuhën shqipe. (Ferizaj, 1994).
*Sadetin Limani ka kontribut në përkthimin e 18 librave të botuara nga gjuhët gjermanisht, anglisht, frëngjisht dhe italisht, si “Rainer Maria Rilke”, “Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj” me Karl Poper, vëllimi I-rë (Platoni), “Inspektori i inspektorëve”, me autor Orhan Kemal
*Shpëtim Kelmendi ka shqipëruar nga gjuha italiane poetët Montale-n, Ungaretti-n, Quasimodo-n e Loi-n. Me disa nga këto përkthime ka kontribuar në antologjinë e poezisë italiane, hartuar nga D. Omari.
*Shuk Gurakuqi ka përkthyer dramën me pesë akte të Silvio Pellicos, “Bardha e Ferdinandit” (1909).
*Imam Vehbi Ismaili (shih) që nga viti 1960 dhe deri sa ndërroi jetë, ka shkruar, ka përkthyer, ka botuar dhe ribotuar, mbi 50 libra, fetare- letrarë, të cilat janë përkthyr në rreth 25 gjuhë të ndryshme. Ka qenë përkthyes i shumë veprave letrare nga gjuha arabe në atë shqipe, si dhe artikuj të ndryshëm,
*Vinçenc Prennushi si përkthyes dha një kontribut të madh duke shqipëruar një varg veprash të shquara: “Fabiola”, nga N.P. Wiseman (1925), “Quo Vadis” nga H. Sienkeviç (1933), “Burgjet e mija” nga S.Peliko (1939) ndërsa në periodikë solli në shqip pjesë nga Shatobrian, Fenelon, Manzoni, Dante, Weber.
*Zef Simoni, që punoi si përkthyes në Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe si kryeredaktor e përkthyes në Ndërmarrjen e Botimeve Tiranë, është konsideruar si një nga përkthyesit më të mirë në Shqipëri të kohëve moderne.
*Zija Vukaj ka përkthyer një nga romanet më të lexuara në gjuhen shqipe “Kënaqësi” të Gabriele D’Annunzio, romanin e Pirandelos “Marta Ajala”, dhe “Në asnjë dhe njëqind mijë”, si dhe romanin e Paulo Coelho’s “ALEPH”, poezi të poetëve italianë Ungareti, Kuazimodo, Saba etj. Me 2017 ka sjelle në shqip romanin NANÁ të autorit francez, Emil Zola
Burimi/Facebook


Leave a Reply