Dikur ishte zemra industriale e kryeqytetit danez. Sot kjo lagje është boshti i jetës kulturore dhe argëtimit të vendit. Në krahasim me disa vjet më parë, në Vesterbro panorama ka ndryshuar shumë
Në Kopenhagë, nata nordike nis në orën 9 të darkës, kur dielli është ende lart. Ky ritual respektohet çdo fundjavë për të celebruar verën skandinave, të shkurtër, por shumë energjike: të hipur në biçikletat e tyre në çdo formë dhe ngjyrë, qindra të rinj dhe të reja mbërrijnë në Kodbyen, zona e vjetër me tulla ku dyqanet e mishit dhe të peshkut bashkëjetojnë me kafenetë në stilin berlinez, baret që respektojnë ambientin, palestrat, atelietë, apo restorantet e kuzhinës nordike. Në mes të rrugës me një galeri arti bashkëkohor, një kokteil bar dhe një klub, i ndriçuar nga dritat e dizajnuara nga dizajnerët e firmave të mëdha në vend si “Olafur Eliasson”. Mirëserdhët në Vesterbro: në fillimin e shekullit 19 qyteti ishte zemra industriale dhe tregtare e kryeqyteti danez, ndërsa tani është epiqendra e jetës kulturore dhe argëtimit. Në ndërtesat e ulëta me tulla të kuqe ku dikur ekspozoheshin mallrat për t’u shitur, sot shkëlqejnë dritat marramendëse. Këtu në dy vitet e fundit janë hapur pesë ekspozita të mëdha kushtuar fotografisë dhe artit bashkëkohor, disa prej të cilëve në dhomat “frigorifer” ku deri dje konservohej mishi për t’u shitur. Shpesh organizatorët dhe kuratorët bashkëpunojnë për të ideuar ngjarje dhe festa verore në ajër të pastër. Në Kopenhagë ‘meatpacking distrikt’ ka mbajtur shijen e saj autentike dhe nuk është shndërruar në një cirk”, shpjegon Christian Andersen, në galerinë e tij të inauguruar një vit më parë në krah të një dyqani mishi, ku ekspozon punimet e artistëve të rinj danezë dhe të atyre të vendeve të tjera. “Në të gjitha qytetet e mëdha të botës, artistët shkojnë të banojnë në zonat ekonomike, që pastaj bëhen shumë të kërkuara dhe çmimet kapin majat. Këtu është e kundërta: pronësia e tokës dhe kësaj zone është e bashkisë dhe kushdo që ka ndërmend të marrë me qira një hapësirë duhet të plotësojë një formular online dhe të ilustrojë projektin e tij me detaje. Pastaj vendos administrata nëse duhet ta japë apo jo. Kështu kanë arritur ta mbajnë situatën nën kontroll”. Në krahasim me disa vjet më parë, në Vesterbro panorama ka ndryshuar shumë. Hotelet e vogla me dy dhoma, dyqanet e materialeve porno, prostitutat dhe shpërndarësit e drogës ua kanë lënë vendin atelieve dhe stilistëve, bareve, lokaleve, restoranteve të frekuentuara nga familjet borgjeze. Stay, kompleksi i zyrave i transformuar tërësisht kohët e fundit brenda pak viteve u shndërrua në ikonën ndërkombëtare të arkitekturës bashkëkohore. Nëse në fakt 36-vjeçari Bjarke Ingels me studion e tij “Big” është fenomeni i ri “made in Denmark”, kohët e fundit një numër i madh yjesh botërorë kanë lënë shenjë në Kopenhagë: mes të tjerëve Jean Nouvel, Zaha Hardidi apo Norman Foster që ndërtoi shtëpinë e re të elefantëve të kopshtit zoologjik. Nga kjo pikëpamje, Vesterbro mishëron shpirtin e vërtetë të qytetit. Në bulevardin “H.C Andersen, “Danish Design Centre” i dizajnuar nga Henning Larsen do të ftojë “Copenhagen Design Week” 2011, bienalen e dizajnit danez. Ndërkohë, retrospektiva, “Challenge society”, deri në shkurt të vitit 2012, do të hetojë mbi rolin e dizajnit për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe ambientit: në ekspoze elemente arredimi për t’i bërë më të këndshme dhomat e spitalit, sinjalistikën për shërbimin në shkolla, administratë dhe zyra publike, divane dhe karrige të realizuara me material nga shishet plastike të ricikluara. Në kryeqytetin botëror të biçikletave, gjithçka është biologjike, që nga ushqimi, te hotelet apo objektet e ndryshme. Brenda vitit 2025 Danimarka synon të jetë një shtet “carbon neutral”, të ulë në zero emetimet e dyoksidit të karbonit. Në Istedgade, një nga rrugët më të bukura e më të populluara të Vestebro-s, kanë filluar tashmë duke nisur që nga riciklimi i veshjeve dhe objekteve të ndryshme. Këtu butikët alternohen me berberhanet e vjetra dhe dyqanet e kebabit. Asnjë prej artistëve nuk do të lëvizë që aty. Jo më kot vendi konsiderohet si parajsa e lumturisë. Nuk do të largohesha kurrë nga Vesterbro, këtu qarkullon një ajër pozitiv. Në Kopenhagë, bashkia mbështet artistët dhe favorizon ndryshimin. Jeta jonë përputhet totalisht me këto ndryshime”, shpjegon stilistja Christine Kahrs.
Bota Sot
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply