Siç hyn një rreze dielli lehtë e pa u ndjerë,
Ëmbël, nga dritarja, mëngjesit të vesuar,
Ti hyr pa trokitur e n’gjoksin tënd më merr,
Ku do shuaj etjen një zemër e përvëluar.
Eja si një ëndërr që gjumin m’ka trazuar,
Zemra i hapi portat, nuk ka më gardianë,
Boll i humbëm vitet, udhëve harruar,
Boll dëgjuam botën, fallxhorë e filxhanë.
Jeta kaq e shkurtër na ikën nëpër duar,
Rininë e vitet tona pluhuri do i marrë,
Mjerë ata të shkretët që s’kanë dashuruar,
Zjarrin që përvëlon s’e kanë ndjerë e parë.
Mjerë ata që flakë s’arritën t’i vënë,
Dhe me krahë të ngjiten në qiellin e shtatë.
Ata që nuk i brodhi në qiej e në hënë,
Ëndrra e dashurisë e t’i marrë në qafë.
Një ditë do t’na përcjellin në botën përtej,
E çfarë i gëzuam kësaj bote virane,
Gjithshka do të heshti, në amëshim do flejë,
Dhe ëndrrat do vdesin në natën mjerane.
Kujtim Hajdari
Burimi/Facebook


Leave a Reply