Tabloja i përket vitit 1868 dhe është realizuar nga piktori belg, Gustave Wappers, i cili u lind më 23 gusht 1803 dhe vdiq më 6 dhjetor 1874. Puna e tij në përgjithësi konsiderohet të jetë e traditës flamande. Ai ka studiuar në Akademinë Mbretërore të Arteve të Bukura në AntWerp, dhe gjatë vitit 1826, në Paris. Gjatë periudhës kur dominuan kohën lëvizjet romantike me idetë e reja rreth artit dhe politikës, ai ishte në Francë. Wappers ishte artisti i parë belg që përfitonte nga kjo gjendje dhe piktura e tij e parë, “Devotshmëria e Burgomasterit të Leiden “, u shfaq në momentin e duhur dhe pati sukses të madh në Sallonin e Brukselit në vitin 1830, viti i Revolucionit belg .
Kjo pikturë evidenton një ndër librat më të diskutuar dhe njëkohësisht më të lexuar. “Dekameroni”, aq sa u ndaluan, aq edhe u bë pjesë e kërshërisë së lexuesve. Siç dihet “Dekameroni” është vepra më e njohur e Xhovani Bokaços. Dekameroni i Bokaços hapet me sfondin e murtajës së madhe që ra në Firence në vitin 1348, e cila shkaktoi viktima të shumta, duke çuar në vdekje rreth dy të tretat e popullsisë së Firences. Dekameroni ka dhjetë protagonistë, shtatë vajza e tre djem, që për t’i shpëtuar murtajës që po bënte kërdinë, largohen nga Firenca dhe vendosen në një pronë larg qytetit, ku asgjë nuk të kujton murtajën dhe lëngatën. Të dhjetë protagonistët janë të rinj, nga tetëmbëdhjetë në njëzet e tetë vjeç, dhe do të qëndrojnë së bashku për dy javë. Ata vetorganizohen, ndajnë punët, rolet dhe detyrat. Çdo ditë, Mbreti ose Mbretëresha e zgjedhur do ta udhëheqin grupin në mënyrë sa më të mençur, që askush të mos mërzitet dhe që të shmangen tërë konfliktet e mundshme. Gjatë këtyre dy javëve të qëndrimit së bashku, të rinjtë mblidhen në një lëndinë dhe çdo herë të dhjetë me radhë tregojnë nga një rrëfenjë, sipas temës që përcaktohet nga Mbretëresha apo Mbreti i ditës. Rrëfenjat kanë si karakteristikë kryesore se tregohen në mënyrë të çiltër e me lirshmëri nga te rinjët që i tuten murtajës, por jo fjalës.
Albert Vataj
Burimi/Facebook


Leave a Reply