Prindërit e mi ishin një çift i ri inxhinierësh, entuziastë për të ardhmen.
Im atë kishte plotësuar numrin e orëve të punës vullnetare në ndërtime pallatesh. Si shpërblim kishin marrë një hyrje më vete ku kishin nisur të thurnin çerdhen e tyre. Fëmija e parë … pastaj edhe një vajzë.
Me para hua kishin blerë televizorin e tyre të parë.
Në ajër ishte përhapur një frymë liberalizmi. Bënte ngrohtë, edhe në dimër.
Nga Dajti përforcoheshin kanalet italiane, Raiuno dhe Raidue.
Pasdreka fillonte me filmat vizatimorë të marinarit që bëhej i fortë prej spinaqit, Braccio di Ferro. Pastaj vazhdonte me filmat me “kauboj” dhe indianë të John Wayne.
Kur vapa kishte rënë, prindërit e mi çoheshin nga gjumi i pasdites për të parë shfaqjen e tyre të preferuar. Atë me kërcime spektakolare të Raffaella Carra:s nën tingujt e Ma Che Musica Maestro.
Mbrëmjeve verore për pushime në Durrës a Pogradec dilnim të veshur me rrobat e ruajtura për “të mirë”, të hanim në lokale ku kishte orkestër.
Në lokalin që shërbente jashtë, te Vollga në Durrës, prindërit e mi kërcenin nën tingujt e melodive të Stevie Wonder (My Cherrie Amour, You Are the Sunshine of my Life) apo italiane (Marina, Marina). Diku tjetër luhej Twist Again.
Prapa lokalit te Vollga, çifte të reja të ulur në stolat e lulishtes, putheshin nën dritën e zbehtë të hënës që pasqyrohej në det, të mbrojtur nga errësira e natës.
Gjumi i natës ishte i ëmbël.
Pastaj erdhën plenumet e Partisë. Duhej dënuar liberalizmi i nisur nga intelektualët. Cenonte realizmin socialist.
Një shok të afërt të tim eti, pedagog universiteti, e dënuan me burg të gjatë për agjitacion-propagandë se kishte folur mirë për demokracitë perëndimore.
Disa të tjerë i degraduan nga pedagogë universiteti në mësues në fshatra të largëta.
Shihja tim atë të fliste me vete ndërsa hante drekën, apo netëve të gjata pa gjumë. Pregatitej për rastin e marrjes në pyetje nga Sigurimi.
Çfarë do t’i thoshte Sigurimit shoku për tim atë? A do ta tërhiqte me vete në skëterrë? Çfarë diskutimesh kishin pasur mbi perëndimin? Si do t’i përgjigjej Sigurimit?
Rrezikonte të humbiste gjithçka që kishte arritur: apartamentin, punën, familjen dhe ç’është më kryesorja, lirinë.
Nëna ime besnike, i qëndronte pranë dhe i jepte kurajë.
Im atë ndërpreu abonimet në revistat gjermanoperëndimore. Fshehu dhe zhduku librat “e verdhë”, që kisha dëshirë t’i lexoja.
Dikur, menjëherë pas “Çlirimit”, gjyshi im nga nëna, në mënyrë të ngjashme kishte hedhur në pus tërë literaturën e tij në italisht.
Njerëzit me horizont të gjerë ishin armiqtë e Partisë.
Shoku nuk mori asnjë me vete. Ishte intelektual me dinjitet
Nuk kishte më alegri në ajër. Njerëzit ishin bërë të heshtur.
Prindërit e mi u tërhoqën. Nuk shoqëroheshin më me të tjerë, përveç se familjarë.
Nuk dihej më kujt t’i besohej.
Kanalet italiane u zhdukën. Rryma elektrike u kufizua në disa orë të caktuara në Tiranë. Filluan mungesat ushqimore.
Shihja tim atë ta zinte gjumi ulur në kolltuk.
Netët i kalonte në radhët e gjata të qumështit dhe mishit me tallon. Duhet të siguronte ushqimet bazë për familjen.
——————
Në foto, prindërit e mi në Dhërmi, 1970.
Burimi/Facebook/Gegnisht/Alvin Ekmekciu Mielli


Leave a Reply