Botuese e gazetës shqiptare të Belgjikës, poete e prozatore, përkthyese, e diplomuar në Shkencat Politike, me eksperience në fushën e Marrëdhënieve me Publikun dhe administratën belge, Elona Zhana tregon rrugëtimin e guximshëm të një vajze shqiptare në Perëndim.
Demir Gjergji
Ju që e njihmi komunitetin shqiptar të Belgjikës, si mund ta përshkruani atë për lexuesit tanë?
Është një Shqipëri e vogël! Mund të them që është një komunitet tejet interesant. (Ne preferojmë termin komunitet shqipfolës pasi kështu identifikojmë të gjithë shqiptarët pavarësisht vendit prejardhjes, megjithëse edhe ky term ka kundërshtarët e vet kryesisht për arsye nacionalizmi.) Është pra një komunitet shumë i pasur qoftë për nga burimet njerëzore, historia apo marrëdhëniet me shtetin pritës. Në radhët e tij ka individë të mirë integruar në shoqërinë belge dhe që i gjen në të gjitha hallkat funksionuese të saj. Sa për të krijuar një ide ata i gjen që nga bankat e universiteteve, i gjen në administratën belge, i gjen si avokatë në organet e drejtësisë, i gjen në fushën e politikës, i gjen si kandidatë për deputete në zgjedhjen e ardhshme lokale për shembull; i gjen në fushën e sportit me disa kampionë në sporte të ndryshme, i gjen në fushën e modës dhe të bukurisë, i gjen si docentë në Universitetet belge i gjen në fushën e artit, etj. Por i gjen edhe në anën tjetër të realitetit më pak të këndshëm siç janë bankat e të akuzuarve dhe titujt e mëdhenj të gazetave. Po ashtu komuniteti jonë është i pasur për nga historia e instalimit dhe shkëmbimit me popullin belg. Nga studiuesit e emigracionit shqiptar cilësohet të jetë një komunitet shumë i larmishëm për nga shumëllojshmëria e historive të mbërritjes së shqiptareve dhe arsyeve të zgjedhjes së Mbretërisë Belge. Nga këto studime rezulton edhe fakti që ky komunitet ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimet në vendet tona prejardhëse.
A organizohet ky komunitet dhe cilat janë format e organizimit të tij?
Gjatë gjithë historisë së tij komuniteti është organizuar duke përdorur forma të ndryshme që janë adoptuar në varësi të elementeve socio-ekonomikë e politiko-kulturorë të vendit pritës nga njëra anë dhe të nevojave të vet komunitetit nga ana tjetër. Kështu gjenerata e parë e të ardhurve, flas këtu për ata që kanë mbërritur në vitet 50 janë strukturuar rreth elementeve që atyre u afronin identifikimin kulturor. Spikat këtu xhamia, klubet e ndryshme si dhe me vonë një shkollë. Kjo gjeneratë emigracioni dallohet për fanatizmin në dëshirën e ruajtjes dhe tejçimit të vlerës së shqiptarizmës. Ky fanatizëm është lehtësisht i observueshëm në mënyrën e funksionimit të komunitetit. Mund të përmendim këtu për shembull fenomenin e martesës. Sipas studimeve të asaj kohe, diaspora shqiptare zinte vendin e dyte pas asaj të çifutëve për fenomenin e endogamisë( martesës brenda të njëjtës kombësi). Kështu për ata fatkeq që mund të binin në dashuri me të huaj duhet të përballeshin me përjashtimin nga familja, fisi dhe rrjeti social. Në mungesë të mjeteve të komunikimit masiv, socializimi mes anëtarëve të komunitetit bëhej nëpërmes vizitave familjare të cilat kishin veshur formën e ritualeve që duheshin respektuar. Gjenerata e re e emigracionit, apo ajo e pas rënies së komunizmit në Shqipëri ka sjellë realisht “liberalizimin” e këtij komuniteti. Të ardhurit e rinj nga njëra anë e kanë zhveshur gjeneratën e vjetër nga mendësia disi anakronike. Po ashtu kanë arritur edhe ta “pajtojnë” mes tyre duke i bërë të harrojnë disi ndarjet ekzistuese në kosovarë e shqiptarë, ne enveristë e antienveristë , … ndarje e përçarje të trashëguara që pa vënë këmbën në Belgjikë e të përforcuara më pas këtu. Por të ardhurit e rinj janë edhe përgjegjës kryesor për imazhin negativ dhe agresiv të shqiptarëve në opinionin publik. Nëse më parë shqiptarët njiheshin për armëmbajtje pa leje dhe për larje hesapesh mes tyre, gjenerata e të ardhurve të rinj kryesisht për arsye ekonomike dhe me dëshirën për të bërë para shpejt, behën aktorë të akteve kriminale të karakterizuara nga dhuna e vandalizmi si shkak i të cilës krijohen edhe prototipa të cilat ekzistojnë edhe sot. Kjo gjeneratë e të ardhurve të rinj vë si prioritet integrimin në shoqërinë vendase, zbut zakonin e endogamisë përdorë mjetet e komunikimit masiv dhe zhvillimet e teknologjisë i lejojnë të plotësojë nevojat sociale. Pikërisht për këto arsye strukturimi i tyre bëhet rreth kulturës. Dhe gjatë viteve të fundit kemi një bum të krijimit të shoqatave kulturore mjaft aktive dhe me rreze veprimi pothuajse në të gjithë Belgjikën. Në kuadër të këtij strukturimi radhitet edhe gazeta Albania. Po ashtu pozicioni strategjik i Belgjikës me praninë e institucioneve vendimmarrëse evropiane në Bruksel krijon edhe një fragment tjetër strukturimi, atë rreth përfaqësive diplomatike shqiptare, që është një strukturim i përkohshëm. Sa për konkretizim të kësaj ideje mund të ju them se aktualisht në Bruksel ushtrojnë detyrën pesë Ambasadorë me kombësi shqiptare çfarë do të ishte e rëndësishme për interpretime në këndvështrimin e lobimit.
Cila është marrëdhënia juaj me Shqipërinë ?
Brilante! Marrëdhënia ime me Shqipërinë është një marrëdhënie dashurie e pakushtëzuar !Këtu ndikon sigurisht edhe nga fakti që nuk kam ndonjë pritshmëri në fushën e ambicieve profesionale në lidhje me Shqipërinë.
Nga kjo përgjigje duket se ka nota zhgënjimi, apo gabohemi?
Jo zhgënjim absolutisht që jo !Është ndërgjegjësim. Në një moment të dhënë të jetës time kam pasur ambicie të rëndësishme në lidhje me projektet e mia profesionale në Shqipëri. Madje për këtë kam bërë edhe zgjedhje të rëndësishme siç është orientimi i studimeve të mija në lëmin e shkencave sociale dhe politike. Gjatë dhe pas diplomimit kam bërë edhe një studimi të terrenit politik në Shqipëri për të parë mundësinë e pozicionimit dhe investimit tim profesional andej. Ky studim më bëri të kuptoj që formimi im intelektual larg Shqipërisë më ka hequr njëherë e mirë aftësinë për tu implikuar në jetën aktuale të politikës shqiptare. Jeta politike në Shqipëri funksionon në bazë të militantizmit. Unë kam investuar kohë, energji dhe mjete ekonomike të konsiderueshme në formimin tim intelektual ndaj nuk mund të kthehem mbrapa. Si intelektuale ( roli që kam zgjedhur pasi është ajo që di të bëj më mire) unë jam prodhuese idesh, ndaj nuk mund të jem kurrë militante. Pastaj përveç arsyeve të mija personale që sapo i përmenda janë edhe arsyet e jashtme. Me këtë dua të vë theksin në faktin që Shqipëria nuk e do siç duhet diasporën e saj. Kjo vjen paradoksalisht nga mentaliteti politik i trashëguar që në kohën e komunizmit, por edhe nga xhelozira e frikëra të klasës politike aktuale. Të gjitha këto së bashku kanë bërë që unë të braktis ambiciet e mija për një karrierë në Shqipëri.
Ju jeni e diplomuar edhe në shkencat politike. A i ndiqni zhvillimet politike në vend dhe çfarë mendoni për këtë?
Unë Shqipërinë e dua përtej ngjyrave politike! Kjo është një karakteristikë e pjesës më të madhe mendoj të bashkatdhetarëve të mijë që jetojnë jashtë atdheut. Ndërkohë, nëse më duhet të flas si një specialiste atëherë në kuadër të sistemit tim analitik (pra përgjigja ime është e kushtëzuar nga formimi i marrë në Perëndim) kam krijuar bindjen që në Shqipëri nuk behët politikë në bazë të programeve politike por sipas “vlerës” së kokës së prijësve siç nuk behët politikë për parime, por për pushtet. Pra për mua zhvillimet politike janë më interesante nga pikëpamja komunikatave se tjetër gjë. Për ta thënë më kuptueshëm nuk më intereson shumë se çfarë tha “njëri” (pasi kjo është shumë e parashikueshme) por ndoshta si e tha. Gjithsesi në fund të fundit të gjitha këto i cilësoj si etapa që duhen kaluar. Edhe pse kultura e shtetit dhe e potitikbërjes duket se lë për tu dëshiruar kjo vjen si shkak i karakteristikave krejt të veçanta të popullit shqiptar të kondicjonuar nga historia dhe që është e vështirë ti fusësh brenda një shablloni apo modeli politik qoftë edhe nga ata të eksperimentuar dhe të katologuar si të suksesshëm.
Ju siç e shprehni edhe vet jeni një personalitet i krijua mes dy kulturash. Çfarë vlerësoni më së shumti në ato që keni marrë nga të qënurit shqiptare? Po nga Belgjika nëse ju duhet të cilësoni dy gjëra?
Dy tipare kryesore të karakterit tim, mendoj që i kam dhuratë nga Shqipëria. E para është fakti që e bëj me shumë dashuri çdo gjë që ndërmarr. Kështu do të më shikoni njësoj të motivuar nëse kam për të larë enët fjala vjen, apo nëse kam për të organizuar një takim me një personalitet. Mendoj që në shoqërinë individualiste të konsumimit perëndimor ku jetoj tani, nuk do të mund të kisha kultivuar këtë tipar. E dyta lidhet më shumë me eksperiencën time dhe familjen nga ku vij, jam një person mjaft punëtor. Nuk jam e sigurte që do të isha kështu nëse do të kisha lindur këtu. Ndërsa në Belgjikë nga pikëpamja e formimit të personalitetit gjeja më e çmuar që kam mësuar duke jetuar në kapitalin evropian është toleranca. Fakti i shkëmbimit jetësor të përditshëm me persona që vijnë nga kultura të ndryshme nga ajo e imja apo edhe nga e njëjta kulture por me backgraund-e të ndryshme ka zhvillua tek unë kultivimin e ndjenjës së tolerancës dhe kjo në format më spektakolare të saj. Po ashtu, jeta këtu, dhe kryesisht studimet më kanë pajisur edhe me një karakteristikë tjetër . Jam njeri vizionar.
Ju përveç të tjerash merreni edhe me organizime të ndryshme kulturore, ku cilësoheni të jeni edhe e suksesshme. Cili është çelësi i këtij suksesi?
Është e vërtetë dhe jam e kënaqur që kemi bërë gjëra mjaft të bukura. Madje më një grup të rinjsh kemi arritur edhe të ndryshojmë mendësinë nga njëra anë të komuniteti për disa gjëra, dhe nga ana tjetër kemi prodhuar një imazh më pozitiv dhe adekuat, gjë që është edhe njëri nga prioritetet tona. Suksesi këtu varet nga disa faktorë. Së pari është fakti që ashtu siç u thashë edhe më sipër jam një njeri që bëj me dashuri çdo gjë që bëj. Po ashtu jam e pajisur me një formim profesional në fushën e krijimit të aktiviteteve, pasi kam mes të tjerash edhe një diplômë në Marrëdhëniet me Publikun, pra njoh profesionalisht çdo detaj në procesin e organizimit të një aktiviteti gjë që ka bërë që aktivitete që ne organizojmë ndryshojnë totalisht nga mbrëmjet komerciale apo nga aktivitetet e tjera socio-kulturore të komunitetit. Për këtë i jam mirënjohëse të gjithë grupit që më ndjekin dhe ndihmojnë me kënaqësi sapo u paraqes ndonjë projekt.
Puna me komunitetin a ju ka përballur ndonjë herë me probleme. Nëse po të çfarë lloji dhe si veproni në këto raste ?
Vetëm ata që punojnë rrezikojnë të kenë probleme. Është e vërtetë që gjatë punës me komunitetin kam njohur edhe periudha më pak të këndshme. Kam pasur edhe kërcënime dhe atakime personale. Më ka ndodhur për shembull që të më kërcënojnë me jetë. Por më ka ndodhur po ashtu të dëgjoj të “zgjedhohem” tavolinave të kafeve të shqiptarëve ku disa të dështuar në jetën e tyre sociale rrinë e më numërojnë mua të dashurit. Që të dyja vijnë për arsye xhelozirash e inatesh ndaj nuk më lëkundin shumë. Ndërsa në lidhje me pyetjen sesi veproj ndaj tyre mund të them që varet nga rasti. Përgjithësisht jam njeri që nuk replikoj pasi mendoj që është më mirë që energjinë që kam ta investoj në gjëra pozitive. Por ka nga ato raste kur duhet goditur tavolina me grushte apo kur i duhet treguar dera dikujt, dhe këtë di ta bëj!
Mes të tjerash ju merreni edhe me letërsi. Si do ta cilësonit angazhimin tuaj letrar?
Letërsia është mikja ime më e mirë. Ajo është aty edhe pse nuk i kushtoj kohë, vëmendje, energji, edhe pse nuk e vlerësoj për atë që është, edhe kur e lë pas dore. Kjo vjen para të gjitha për arsye kohe pasi përditshmëria ime është mjaft e ngarkuar. Por, nga ana tjetër , me sa duket kam një talent për letërsinë dhe çuditërisht jam po aq e mirë në prozë saç jam edhe në poezi. Kam një krijimtari mjaft kualitative, të pasur nga pikëpamja e përmbajtjes po ashtu edhe e formës. Jam një njohëse e mirë e gjuhës shqipe dhe e zotëroj finesën e përdorimit të fjalës. Poezia ime i flet lexuesit ndërsa proza e ndjell atë. Por krijimtaria ime nuk i drejtohet masës, ajo është një krijimtari që i drejtohet një publiku me njëfarë kulture letrare, I cili është në kërkim të një krijimi që ta bëjë të ndryshojë gjendjen e tij emocionale të momentit dhe ti lërë dëshirë për të menduar përreth asaj që ka lexuar. Megjithatë nuk e quaj veten as poete e as shkrimtare, kjo do të ndodhë vetëm atë ditë kur librat e mijë të shiten në atë formë që të jetë burimi kryesor të ardhurave të mija jetike.
Në Belgjikë ka edhe krijues mjaft të suksesshëm siç është Skënder Sherifi i mirënjohur për publikun shqiptar. Si janë marrëdhëniet tuaja me ta?
Këtu më duhet të ju ndërhyj. Nuk do ta bëja nëse gjërat rrinë në kuadër personal por në këtë rast flitet për një fenomen. Është fenomeni i prodhimit të një imazhi mediatik të një ose disa personazheve të dështuar që sharmojnë më misterin e të panjohurës. Më lejoni të ju shpjegohem. Skënder Sherifi është një nga ata personat që nuk ka punuar qoftë edhe një ditë të vetme në jetën e tij, që në kohën kur çdo shqiptar ëndërronte të kishte mundësinë të kryente studime jashtë ai kthehet dhe bën studime në Kosovë, studime që nuk dihet nëse e ka mbaruar ndonjëherë. Dhe çuditërisht ai që ka mbërritur në Belgjikë bebe nuk arrin të botojë apo të bëhet i njohur në vendin ku jeton por kthehet në Shqipëri, sharmon me shqipen e tij të çalë dhe bëhet një fenomen mediatik. Ndërkohë duhet thënë që poezia e tij nuk është e keqe, por duke njohur personazhin mua më ka braktisur dëshira ta lexoj dhe nuk e ndjek më. Ndërkohë ka mjaft krijues të tjerë tejet të talentuar të cilët botojnë e botohen vazhdimisht, dhe me të cilët është kënaqësi të shkëmbesh dhe të marrësh kafe duke folur për letërsi.
Cilat janë arritjet tuaja më të mëdha dhe cilat janë ëndrrat e fshehura në sirtar?
Do të më lejoni të mos i përgjigjem pjesës së parë të pyetjes tuaj. Për këtë do të ju lë takim pas 30 vitesh dhe do të mund të flasim konkretisht atëherë. Për sa i përket pjesës së dytë më duhet të them që në momente të ndryshme të jetës kam pasur “ëndrra“ të ndryshme. Për shembull përpara disa vitesh do të kisha dashur të prezantoj një festival me Adi Krastën, sot nuk e di nëse do të pranoja po të merrja një ftesë. Pastaj kamë ndërruar të bëhem skenariste me aktivitet internacional, por nuk kam bërë kurrë as edhe punën më të vogël në këtë drejtim. Në kuadër të projekteve të mija profesionale kam dashur edhe të hap një zyrë lobimi në Bruksel por studimi i tregut nuk ishte i favorshëm. Kam dashur edhe të kam një funksion diplomatik në një vend të një kulture sllave…Janë këto ëndrra kalimtare që po bëhen publike për herë të parë.
Si botuese dhe gazetare, çfarë mendoni për mediet shqiptare?
Faleminderit për pyetjen. Duhet të them se jam e impresionuar nga energjia e gazetarëve shqiptarë në kuptimin që ata mund të bëjnë lajm me hiç-gjë. Po ashtu është impresinuese edhe fakti i shpejtësisë së përcjelljes së lajmit. Por nga ana tjetër më duket i papranueshëm politizimi I skajshëm i medieve shqiptare. Nga fuqi e katërt realisht media është shndërruar në shërbëtore të klasës politike dhe të një elite të ngushtë. Më shqetëson edhe mungesa e etikës në rolin që kanë gazetarët në formimin e opinionit publik.
Çfarë mendoni për Shqipërinë, si e shikoni atë kur ktheheni dhe si i përjetoni ndryshimet?
Shqipëria është e bukur, është e ngrohtë, të jep energji, të mbush me pozitivizëm. Shqipëria ka gjak tëri, ka plot për të dhënë. Por nga ana tjetër Shqipëria është bërë e pisët dhe e parregullt me këto ndërtimet pafund dhe keq-mirëmbajtjen. Pasuritë që përbëhen në pjesën dërmuese të rasteve nga para të bëra “lehtë” janë të përqendruara në duart e personave pa vizion ndaj dhe investimet nuk janë inteligjente. Me të gjitha gjasat sektori ndërtimor që ka eksploduar në Shqipëri do të njoh krizë të madhe në vitet që vijnë.
Të flasim pak për jetën tuaj privatë. Ç’farë mund ti tregoni publikut tonë ?
Mos pritni nga unë të merrni ndonjë përgjigje të denjë për formatet e gossip !Përkundrazi jam mjaft konservatore për ato që unë i cilësoj si vlera themelore. Jeta ime private ngjet me atë të një vajze që mbërrin në Bruksel, në moshën 19-vjeçare. Që i gjithë universi i saj përbëhet nga një person diametralisht i kundërt me të për nga këndvështrimi mbi jetën, që bëhet nënë në moshën 19 vjeçare ndërkohë që nuk ishte e ”prodhuar” për këtë rrjedhë, që më pas gjendet e vetme në një shoqëri ku i duhet të ndërtojë çdo gjë nga e para, që i duhet të interiorizojë disa koncepte relativisht të komplikuara, që i duhet të xhonglojë në mënyrë të pandërprere me dy kultura nga të cilat sido që të jetë puna njërën e ka braktisur dhe tjetra e (s)provon për ti dhënë biletën e hyrjes; që i duhet të mësojë si funksionon ashensori social; një vajze që i duhet të krijojë një imazh të burrit krejt “me porosi” diçka mes princit të kaltër, “burrit me mustaqe”, partnerit që e kupton dhe respekton si feminitetin edhe pavarësinë e saj, atij që i jep dëshirë për të luftuar për të… Pjesa më e bukur dhe më e rëndësishme e jetës time private është ime bijë. Është një fëmijë i mrekullueshëm, është ajo që më kujton në çdo moment që ato gjëra për të cilat kam luftuar në jetë janë tërësisht të justifikueshme.
Dhe nga të dy kulturat që ju trashëgoni ç’farë përpiqeni ti transmetoni vajzës tuaj?
Valbona është shumë shqiptare. Ajo, edhe pse të gjithë shoqet dhe shokët e saj janë belg, dhe ndonëse ne jemi një familje e vogël dhe në Belgjikë dhe ka shumë pak kontakt shqiptar, ajo e flet dhe shkruan tepër mirë shqipen. Ndërsa për mua është e rëndësishme që ti arrij ti mundësoj asaj përvetësimin e elementeve të nevojshëm që ajo të mund të krijojë vet sistemin e vlerave të identiteti të saj kulturor. Në fakt unë nuk e kam pasur atë fat pasi jam mbrujtur në një sistem vlerash të përkufizuara nga të tjerët, të cilin e kam trashëguar në formën e tij parësore. Sigurisht që këto vlera jam përpjekur ti “limoj” në bazë të karakterit tim dhe eksperiencës jetësore. Por e pranoj që ndikimi im mbi të nuk ka qenë i nivelit që unë do ta kisha dëshiruar.
Ku do të jeni me rastin e festimeve që organizohen në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë ?
Do të kisha dashur të jem në sheshin e Tiranës. Fatkeqësisht e megjithëse nuk kemi bërë plot gjëra të bukura shqiptarët e diasporës do të mbeten të harruarit e mëdhenj edhe në rastin e këtij jubileu të madh. Ndoshta do të përfaqësohemi sërish nga disa karajfile militantë…. Do të jem me bashkatdhetarët e mijë në Bruksel, me ata që më kanë dhuruar një copë Shqipërie brenda Mbretërisë belge.
Cili është mesazhi juaj për publikun tonë ?
Duhet të njohim gjuhën tonë, historinë, kodet, të gjitha ato që na lejojnë të kuptojmë përkatësinë dhe identitetin tonë kulturor. Dhe kjo jo për arsye nacionalizmi qorr, por me qëllim që të vet-njihemi, të vet-vlerësohemi dhe të shkojmë drejt kulturave të tjerëve për të jetuar në paqe dhe harmoni në shoqërinë e sotme të multikulturalizmit.
Tiranaobserver
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani
Leave a Reply