Ky rrëfim i dhimbshëm do të ndodhte pikërisht këto ditë në Piqeras, kur njerëzit qenë të “pushtuar” nga vala e nxehtë e korrikut dhe e një rivotimi në Himarë, teksa, pas 60 vitesh kishte shkelur përsëri këmba e një fëmije jetim, që kërkonte “gurët e shtëpisë”, po njëlloj si ajo mikja ime e Vila Badesës së Italisë, të themeluar nga piqerasiotët , Antoneta Vlashi, si kishin kaluar më se tri shekuj! Dhe vjen me të vërtete edhe kjo gjasje tragjike, kur njeriut i dhimbsen e i kërkon edhe gurët e shtëpisë ku lindi! Po nëse kjo e fundit do ta merrte një gur në çantën e saj lluksoze , për ta çuar në Gjermani , ku edhe banonte, ky Kosta Nini, i punësuar në Itali, në një ishull në afërsi të Venecias e i orientuar (sa erdhi), nga Kisha e sajuar midis dy pallate punëtorësh të një Ferme Socialiste, -pas shkatërrimit nga vandalët e kohës,-që (kësisoji), kishin prishur krejt qendrën e këtij fshati të bukur (si një vapor mbi det!), që një kalimtar i huaj e kishte quajtur “Një Paris i Vogël” dhe kishte “bythëkryer” edhe godinën e kultit të krishterë, -nuk do të gjente asnjë nishan për be!
Po rastësia e bëri të më gjente mua, si moshatar që isha e jam, dhe të më pyeste “qysh e ku” kishte ndodhur kjo përmbysje jete “të njëhershme”, po në atë vend, ku si shenjë e vetme që kishte mbetur ishte ulliri i asaj kohe të dikurshme, që i kishin vjedhur edhe kambanën! Tani para meje qëndronte një burrë 70 vjeçar, i rrahur nga jeta, që vinte si i ndrojtur, sikur të ishte vetë Oliver Tuisti i Dikensit, i “rrahur me vaj e me uthull” që në vegjëlinë e tij, herë pa nënë e baba e herë, pa ndonjë punë të hajrit , nga njeri shtet tek tjetri , gjersa përfundon në një ishull në afërsi të Venecies Italiane, ku punohej e bëhej qelqi në shumëllojshmërinë e vetë. Në një rrugëtim të gjatë e të vështirë, në te dy epokat qysh nga 14 prilli i vitit 1953 kur lindi dhe kur prindët do largoheshin herët nga kjo botë. Dhe “Oliver Tuistin “tonë, do ta mbante afër saj hallë Mahia e Xhane,- si e thërrisnim atëherë ne të vegjëlit,-një grua edhe ajo e mbetur vetëm, e sertë nga pamja e nga fjalët, po zëmërbardhë si ajo, me të birin Vasil Gjini, i cili kishte punuar së bashku (në Parkun e Durrësit) me Andrea Ninin, atin e këtij Kostës së vetmuar…. Djali tetë vjeçar vente e vinte nga Durrësi me “SKODËN” e vjetër të Vasilit dhe i pëlqente ta shoqëronte hallë Mahen, herë në kruan e fshatit për të mbushur bucelën e herë në anë te detit , tek arra e Xhane, ku gratë e fshatit zbrisnin të lanin me kazanë mbi zjarre, buzë lumit, teshat e fukarallëkut me hi zjarri edhe ato…Lëvonte bugadha! Dhe gruaja me të zeza veshur, i hidhte sytë pa reshtur , nga ai jetimi 8 vjeçar, duke i bërtitur:”Mos u largo, o i paudhë, që u bëre “peshqesh” për mua, të zezën grua!”
Sa hodhi pak shtat e mësoi zanatin e kuzhinierit, djali i mbetur tashmë pa nënë e pa baba, do të punonte në një Draga në Portin e Durrësit. Dhe kështu, ky mjet u fuqishëm detar që thellonte ujërat e detit, në të njëjtën kohë kthjellonte e thellonte edhe mëndjen e këtij njeriu të vetmuar…Mbi 20 vite do ta rrihte era e detit, do të mësohej me sirenat e vaporeve , me litarët e trashë të tërheqjes dhe me vinxhat e ngarkim shkarkimit. Atje do të shihte edhe xhirimin e një filmi për një punëtor që u vra nga vinxhi e u shpall HERO, si ai Kinezi që ra nga Antena e Dajtit! Po më pas, figurat e këtyre “heronjëve”, nisën të zbeheshin nga tallazet e një jete “pa pagesë”, të vullnetarizmit dhe të “heroizmit masiv”…Qe koha e mbrapsht , teksa i arrestuan edhe të kunatin me origjinë Armene, Isak Azdurjanin, sepse dyshonin në origjinën e tij të largët, sikundër më tha në Burgun e Ballshit, tek lëngonim që të dy, midis mijëra të pafajshmëve të tjerë…
Po, ç’farë po ndodhte? Iku dikush, drejtë Italisë me motovedetën e parë, me të dytën dhe të tretën… E po bëhej para syve të jetimit, filmi tjetër për “patriotizmin” e “dashurinë për atdheun”, teksa njerëzit “shtrëngonin rrypin” e Kosta si kuzhinier nuk kishte me ç’farë të gatuante më, për “detarët trima”! Me 87-ikën të parët, me këmbë, duke përmbysur klonin e kufirit jugor… Më 88-ën ra “murri i Berlinit!” që ndante Lindjen nga Perëndimi, nga ku tashmë shihej Liria e Shpëtimi!… Dhe në 90-ën , Kosta me dy shokë të tjerë e lë Dragën e merr “udhët e panjohura” drejtë Greqisë, herë me makina të rastit, me zetorë e herë me këmbë… Sa të kalonte një hapësirë telash me gjemba të Klonit, m’atanë Dropullit, të prerë prej ikanakëve e në ditën e parë të janarit do të ishte në Gumenicë , mbledhur “kokolëmsh” në një stadium që qelbej e ku një elikopter hidhte nga ajri dizifektantë në formë shiu. E vazhdimisht binte borë. E bora shkriftohej mbi trupin e tyre të zhveshur! Jetimi Kosta Nini nuk duroi më dhe do të shkëputej “nga tufa” për tu hedhur gjer në Korfuz të kërkonte Papun e Xhane, Josifin , siç i kishte thënë Halla, se ai qe i “zënur mirë”atje, me dy restauronte, po ç’e do…,kishte vdekur! Dhe ai, –Oliver Tuisti ynë, – kërkoi varrin e tij. Plasi sa e “gjetën të vdekurin” e bashkë me të, pa se po i “digjeshin” edhe shpresat! Teksa e pa dikush që po i fotografonte varrin të ndjerit,-një i njohur i këtij piqerasioti të mërguar,-e do t’i thoshte se Josif Xhanit “i qante shpirti” për fshatin e për njerëzit që i la andej dhe shkonte gjer në fshatin kundruall e shihte me dylbi Piqerasin, duke lotuar e duke thënë: “Ah, moj Katerinë, ç’më bëre mua të zinë!”
Dy vjet u rropat për të siguruar bukën e gojës Kosta në Korfuz…Dhe nga Kasiopi,-si Josif Xhani edhe ai,- do të shihte Piqerasin atje, m’atan detit, me dylbi, zhytur në gjelbërimin e përjetshëm. E digjte malli përvëlimë..Më mbrapa, do të merrte vesh se qe liruar nga burgu i Ballshit, -Isaku Armen dhe ia kishte mbathur drejt Italisë. E Kostës, nuk i mbetej gjë, veçse të shkonte në drejtim të “çizmes italiane” e ta kërkonte të kunatin…E gjeti të gjorin! Po gjeti edhe punë në Navara e më pas në Burano, ku punoi 20 vite të tjera si punëtor i një Kampingu…E aty mbeti fukarai nga Piqerasi, gjersa iu zbardhën flokët e doli në pension….
Dhe tani, si kishte bredhur në të gjitha udhët , fshatrave e qyteteve të Greqisë dhe të Italisë e kishte parë gjithçka, Oliverit tonë i kujtohej gjithmonë e më tepër fshati i tij, Hallë Mahia e Xhane, fat i të motrave (i Tatjanës e i Dhimitrullës), po edhe ajo “katrahurë” pa rrugë-dalje e vendit komunist, për të cilin i shoqi partizan i nënës, para lindjes së tij qe vrarë në luftë, për ideale “të larta” (ideale që ai as i pa gjëkundi e as i ndjeu të realizuara!), në atë rropatje për jetën , kur dhe e ëma qe e detyruar të rimartohej me atin e tij e ta sillnin po në këtë jetë këtë njeri, qe do endej nëpër bote, teksa fatet qenë nxirosur dhe ai mbeti vetëm, vetëm, vetëm, për një kohë tmerrësisht të gjate e të vështirë, duke “çarë dallgët e jetës si të ishin dallgët e detit!”, me supet e tij të brishta… E tepër vonë , si ta shihnin që “personazhi i Dikensit” qe bërë njeri i zoti, njohës i jetës, i duruar e i papërtuar, gojëkyçur, i pa zëshëm, me një pamje të kthjellët, e “rrëmben” një Hotel Luksoz me pesë yje, si punonjës tek dera, ku do priste e përcillte klientët me bagazhin e tyre, -një hamall i gatshëm e i shpejtë, teksa një ditë prej dite do të vinte aty e do ta shihte edhe njeri prej Kryeministrave të vendit të tij e , kur ai i dha të njohur , do të bënte edhe një foto me të e do të merrte edhe lavdërime, që ia “kishte dalur mb’anë” kësaj jete mizerabël, duke mos ia kursyer as buzëqeshjen e tij…
Tashmë kishin kaluar 60 vite. Jeta i qe “thërmuar” nëpër duar! Jetimi qe zbardhur nga jeta e gjatë në vetmi. Dhe ishte kujtuar se dikur, në Piqeras kishte edhe ai një shtëpi që nuk po e gjente dot më . Sepse ajo qe “varrosur” mbi ngrehinën e vullnetarëve të Enverit, si e donte dhe e “dinte vetëm Ai, “I MADHI FARE!””!…Gjithçka ishte ndryshe! Gjithçka qe përmbysur, bashkë me ëndrrën e kësaj gruaje që quhej Antoneta Vlashi dhe të këtij njeriu që quhet KOSTA NINI…Dhe që tani , pas vite e dekadash, kërkojnë edhe gurët e shtëpisë së tyre të zhdukur, me pallatet kubike e të shëmtuara të asaj kohe të errët. Kur përball nesh, brigjeve të Detit Jon e të Egjeut Plak , nuk i shkatërruan fshatrat e traditës, që sot lakmohen e mbushen me miliona turistë të huaj.. Pas shpinës tonë duken të tria pallatet e Enverit që kishin “varrosur “ edhe shtëpitë e këtyre “të larguarve “, të cilët, kur vijnë sot , apo duan që të kthehen, jo vetëm nuk dinë ku ta “fusin kokën” ,po as të marrin ndonjë grusht dhe nga shtëpia e të parëve të tyre. Unë njohë, -për dreq,-një mikun tim (aktor i dëgjuar), që e bënë “deputet në Kuvënd”-in e ashtuquajtur Popullor dhe që nuk e hapi fare gojën gjatë katër viteve të “mandatit të tij”, nga frika se mos e pësonte edhe ai si qindra të tjerë që folën kundra! Po edhe më vonë, në Parlamentin e radhës, kur u hartua edhe një ligj famëkeq, jo vetëm qe nuk u mendua për këta njerëz “të larguar” , po nuk pati asnjë klauzolë tjetër… Si edhe në shume shtete të tjera te botes, kur askush nuk e shembë shtëpinë e tjetrit , qoftë edhe pa çati a të rrënuar, pa e lejuar i Zoti i tyre …Po kush do ta gjente e ta pyeste edhe jetimin Kosta Nini, ndofta të paragjykuar si i “vdekur” në ndonjë cep të Botës, të cilit do t’i “qepej goja” edhe kur dikur, jashtë vendit të tij, i doli përpara njeri nga Kryeministrat e vendit të tij?!
Po përse, more KOÇO,-e shkundë unë nga supet,-ku do ta gjëje këtë rast të hatashëm, Ai shqeu sytë! Of! “Dikensi” kishte vdekur tashmë. Po edhe personazhi i tij …Megjithatë ai donte të nisej të nesërmen e bisedës sonë të trishtuar tek lokali i Milit të Bitre, me një kafe të hidhur përpara, pa menduar akoma se ku do ta kishte atë “dy metroshin vënd” edhe ky personazh i jetës shqiptare,-siç e quante në fabulën e tij Gjivogli ynë, banesën tonë të fundit…?!
Piqeras, më 7 korrik 2024
Burimi/Facebook


Leave a Reply