Me kete postim, per tu njohur shkurtimisht me rrugen e veshtire te femres shkodrane si objekt i veprimtarise muzikore , dua te theksoj se çdo gje qe postoj nuk asht shteruese dhe miqte e FB ne komentet e tyre mund te shtojne shume evente muzikore ngjarje ose kengetare qe jane harruar pa qellim por qe mundesia per tu zgjeruar ketu eshte e veshtire sepse kam kritike nga dashamires qe bej postime te gjata.
MUZIKA NEN INTERPRETIMIN E FEMRËS SHKODRANE
Muzika lindi së bashku me njerëzimin dhe qe bashkëudhëtare e jetës së tij, e gëzimeve dhe hidhërimeve në punë dhe dëfrime, në luftë dhe në paqe, në lindje dhe në vdekje e kudo ku ai ndërtoi jetën e vet.Dhe gruaja gjithmonë ka qënë e pandarë nga muzika. Ajo filloi e para të këndojë sapo mësoi të flasë,kur lozte në shtregulla, kur u dashurua, sapo u bë nënë,sapo mori fëmijën në dorë,kur e vuri atë në djep dhe aty ku kompozoi ndoshta këngën më të pavdekshme, më të bukurën këngë të shpirtit dhe dashurisë saj, të famshmen ninullë.Edhe Rozafa këndoi një ninullë për birin e saj e kjo do të bëhej pastaj refreni i bukur i ninullave të sa nënave shkodrane që këngën e tyre nuk e ndanë kurrë nga djepi por as nga puna, nga dashuritë e tyre të heshtura, nga vuajtjet e tyre të pandjera, nga gëzimet e tyre të ndrojtura dhe msheftësitë e zemrave të ndrydhura.Ndoshta në kohen ilire ishin më të lira për të punuar dhe kënduar sepse dhe pushtetin e kishin më të madh, por më vonë……. kur të vogla luanin me lojërat e tyre vajzërore, kur luanin në shtregulla, kur dilnin në bahçe dhe gjithkund ku nuk dëgjoheshin ato këndonin ku s’kishte njerëz sepse i tillë filloi të formohej ambienti dhe opinioni për to.Kur flitet për ahengun shkodran, kur bëhen studime për këngën popullore shkodrane të periudhës së herëshme, mungon elementi femër jo se studiuesit nuk donin ta vendosnin por se në të vertetë ai i mungoi kësaj periudhe të herëshme. Kur burrat këndonin vajzat rrinin të fshehura dhe dëgjonin pas kafazëve, kur veglat muzikore tingëllonin dhe përhapeshin në ambient, me dhjetra zëra femërorë ndrydhnin tingujt e tyre në një botë shpirtërore që vuante për një ndryshim,vuante për një shpërthim që do të vinte dalëngadalë. Gratë dhe vajzat shkodrane krahas ahengjeve të burrave ato në përgjithësi këndonin dhe vallëzonin në raste dasmash në ambiente të veçanta, dhoma të mbyllura.Këngët e dasmave të ndryshme për vajzën dhe djalin që do të martohesh dhe të caktuara për ditët e ndryshme të dasmës ishin elementët më të gëzuara në jetën e vajzave dhe grave të reja ku ato kishin mundësi të shprehnin ndjenjat e tyre përmes këtyre këngëve në mes gëzimit dhe haresë.
Sipas Hamdi Bushatit në ahengun shkodran të shekullit të kalur përveç shumë burrave të njohur dhe të dalluar përmenden dhe dy gra si Leze Frano Lleshi dhe Pina Deda. Po kështu për valltare po këtu përmenden dhe Roza Palushi, Sebija, Sherja dhe Alltanja nga lagja “Liria”.Sipas studiusit të njohur të muzikës popullore shkodrane Ferid Bala në kumtesën e mbajtur në seminarin “Shkodra në shekuj”, në mes të tjerave thuhet : “Në muzeun historik të Shkodrës dhe në Institutin e kulturës Popullore në Tiranë,ruhen edhe sot disqe dhe shirita të rregjistruara nga disqet e trashëguara nga amatorë e dashamirës të ahengut popullorë shkodranë, Kol Kakarriqi. Në këto 96 disqe perveç kengëtarëve të njohur zbulohen edhe zërat e grave si Gjyla(Gjyla e Rremit), Nurija dhe Zyraja të cilat këndojnë repertor nga këngë-valle të Shkodrës si”Shkapërceva dy-tri male”,”Moj e bukura nën foljetë”, “O zambak i bardhë”,’Një lule që ka çilë tash”, “Mori shkrepca e Venedikut”.Këto këngëtare këndojnë dhe kërcejnë njëkohësisht por që vokalisht paraqiten me një timbrikë shumë të zbardhur.Megjithatë këto disqe dëshmojnë se femra shkodrane ka marrë pjesë dhe ka bërë aheng që në kohë të vjetra.
Një femër, që do t’i binte për herë të parë një vegle muzikore në qytetin tonë, asaj te violinës, do shfaqej në gjirin e familjes Kumrija.Ishte Roza Kumria do t’i binte violinës pa e mësur kush por vetëm me intuitën e saj dhe talentin e trashëguar.Janë të panumërta ahengjet ku në një formacion të kompletuar muzikantësh dhe këngëtarësh do shquhej Roza me violinën e saj.
Në Shkodër është dokumentuar për pianoforten që në vitin 1877 kurse nga vitet 70 të shek.XIX deri në vitin 1912 në familjet e pasura katolike shkodrane që kishin marrëdhënie ekonomike me botën europiane numëroheshin 28 pianoforte. Dhe as që mund të supozohej që në këto ambiente të mos dëgjoheshin tingujt e pianos, të dhjetra shkodraneve që akoma s’ju kishte ardhur dita të dilnin në publik për të shfaqur aftësitë dhe talentin e tyre.Në shumë shtëpi të njohura shkodrane gjendeshin partiturat për pianoforte të këngëve shkodrane,të muzikës klasike dhe të muzikës së lehtë
.E para femër që do t’i binte një vegle muzikore “Udi” (një lloj mandoline) do të ishte veterania e arsimit tonë Hajrie Kraja.Ajo këtë vegël e kishte mësuar në kolegj dhe bashkë me të do të këndontë edhe shumë bukur. E bija e saj , Zana Kraja përmendet në shumë rrethe si e para femër në Shkodër që do i binte fizarmonikës.E rritun në një familje intelektualësh, ku kishte një mirëkuptim dhe liri të mendimit dhe veprimit, Zana, jo vetëm që do bëhesh një atlete e dalluar, por pasionin për muzikën do ta shprehte në shumë këngë që do t’i luante aq bukur me fizarmonikë.
Një rast i përshtatshëm dhe mundësi e vajzave të reja shkodrane për të kënduar kanë qënë dhe shkollat Stigmatine dhe ato Servite ku organizoheshin jo vetëm pjesë teatrale por dhe melodrama dhe opereta ku ato merrnin pjesë si soliste.Kështu në melodramat”Dy cirka të arta”,vënë në skenë nga D.Mikel Koliqi, dallohen si soliste Aneta Shllaku, në rolin e magjistares, Karolina Kaçinari në rolin e mbretëreshës, Luçie Zojzi, Lajde Banushi(Koja), Gjystina Sekuj, Marije Skanjeti, (Thaçi),Tonine Pema, Marie Marku, Vitore Jaku, Gjyljana Çoba, Rina Kromiqi, Lajde Dionizi, Pina Prendi, Rina Lufi, Vitore Pali, Roza Dema.Në operetën “Drita”,me libret të Silvio Doglia, përkthyer nga Henrik Lacaj,muzikë të drejtuar nga Antonio Muci dallohen këngëtaret: Safet Sokoli, Antoneta Ndokillia,Vitore Ujka, Bedrie Harapi, Antonieta Çefa, Marie Prendushi.Në operetën “Kremtja e lilave” e vënë në skenë nga D.Mikel Koliqi,që u çfaq në sallonin e shoqërisë “Bogdani” po me ato diletantë të “Dy cirka të arta” u dallua në rolin kryesor Karolina Kaçinari.
Një pianiste në Shkodër, ndër mësueset e para jo vetëm të shpërndarjes së dritës së diturisë , të drejtimit dhe organizimit të arsimit që në vitet e para të zhvillimit të tij por dhe të përhapjes të tingujve muzikorë nga një piano që do të bëhesh vegla më e dashur muzikore jo vetëm e saj por dhe dhjetra vajzave të reja, që do të mësonin prej saj- Ida Melgusha .Në Shkodër do të mbahet mend për një kohë të gjatë ,mësuesja e dashur, zemërmirë, e kulturuar dhe e zgjuar Ida Melgusha, ajo që mësoi të lëvizin mbi tastierën e pianos kushedi sa gishtërinj të njomë të vajzave që e deshën muzikën dhe pianon.Ajo qe një intelektuale e mirëfilltë, me horizont të gjërë që vendin e kishte gjithmonë në mes njerëzve më të shquar të artit dhe kulturës, në bisedat dhe analizat për zhvillimin e tij në Shkodër.
Ajo që e para, vuri një gur brilant në altarin e çmuar të interpretimit të këngës nga femra shkodrane, do të ishte Marie Kraja e cila duke studiuar jashtë e duke marre vlerat e një arti të madh kontemporan, pa harruar asnjëherë tabanin kombëtar ku mbështetej bagazhi i saj artistik, tregoi vlerat dhe mjeshtërinë artistike të një artisteje të vërtetë. Këngët e përpunuara popullore shkodrane në një interpretim të jashtëzakonshëm të kësaj artisteje të madhe mbas vitit 1934, vit kur ajo jep dhe koncertin e parë në Tiranë, morën për herë të parë ëmbëlsinë femërore të ngrohtë ,të butë dhe të ëmbël që kishte munguar deri atëherë në ambientin muzikor shkodran.E kësaj periudhe është dhe këngëtarja e shquar e muzikës operistike Gjyzepina Kosturi.
Mbas 1944, në Shtëpinë e Kulturës, do të aktivizohen mjaft këngëtare si Aneta Nika, Klodilde Shantoja, Luçia Pali,Vera Kumria, që do loznin me mjaft sukses tek melodrama e Andrea Skanjetit,Artist i Popullit, “Dasma” e dhënë me 1947.Opera e parë shqiptare “Mrika” e shfaqur më 1958, do të nxjerrë në skenë, përveç solisteve kryesore,Klodilda Shantoja, Florinda Gjergji si soprano,Aneta Nikaj si mexosoprano por dhe Liza Gajtanin dhe Roza Bushatin si soprano si dhe një numër të konsiderueshëm këngëtaresh si koriste, soprano, si Lajde Bushati, Sonja Glasovi, Leposava Donzhe, Albina Gajtani, Kimete Hoxha, Jolanda Oroshi, Lejla Alibali, Liza Dushi, Rexhina Nika, Gjyzepina Gjinaj, Margerita Deda, Anunciata Boriçi. Alte-Liza Gajtani, Vasilika Bojaxhiu, Vitore Paloka, Rexhina Hajmeli, Neta Paloka, Neta Cepi, Vera Prela, Franka Guraziu, Karmelina Gjergji, Nezihat Boriçi, Viktore Barbullushi, Luçie Pali, Tonine Kolombi, Neta Radovani, Veronika Prendi, Margarita Shllaku.Këto emra që sot po i shkruajmë këtu, të marura nga libri i Andrea Skanjetit,”100 vjet teatër në Shkodër”, ishin aq të rëndësishëm në jetën kulturore të qytetit tonë sepse ato së bashku dhe me një grup burrash, përfaqësuan korin e parë shkodran, që luajti me dinjitet operën e parë shqiptare “MRIKA” dhe ku paraqitja masive e elementit femër i dha kësaj opere një përfaqësim dinjitoz dhe shumë kontemporan.
Tashma femra shkodrane kishte rrënuar muret e konservatorizmit dhe fanatizmit dhe çante me sukses në skenat e qytetit dhe fshatit duke plotësuar atë boshllek që i kishte munguar për shumë kohë.Përveç shumë diletanteve që këndonin në Shtëpinë e Kulturës,në grupet amatore të ndërmarrjeve, kooperativave, klubeve të rinisë filluan të krijohen profesionistet e para që i dhanë tempin lëvizjes artistike të qytetit dhe u dalluan në mënyrë të veçantë në skenën e Estradës së qytetit,në Radio Shkodra, duke debutuar deri në Ansamblin e Këngëve e Valleve Popullore.Të paharruara do të mbeten këngët e kënduara nga Luçie Miloti, Naile Hoxha, File Gjeloshi, Klodilda Shantoja, Florinda Gjergji,Eleonora Kraja,Valdete Hoxha, Justina Alia, Mukades Çanga, Sabahet Vishnja, Myfarete Laze, Enriketa Kuqani, Violeta Zefi,Vjollca Luka, Shpresa Rranxa, Violeta Deda, Fatjeta Barbullushi, Leonora Luca, Alma Velaj etj. Shumë të tjera nuk do kishin karierë të gjatë debutimi por që skena shkodrane, radioja,televizori do t’i kishte në shumë koncerte dhe çfaqje si Myzejen Berdica, Safet Sokoli, Albana Fani, Anila Hoxha, Despina Trimçev, Drita Tahja, Nikoleta Shoshi, Fatmira Puka, Mirjeta Çuni, Nazmije Bilali, Rita Ndoci, Roza Koleci, Shqipe Zëri, Gonxhe Bedeni, Diana Alibali, Meri Gjeluci etj.Vlen të përmenden këngëtaret e reja shkodrane Rosela Gjylbegu dhe Valmira Katana të cilat në koncertet e “Ethet e së premtes”, lanë një përshtypje shumë të mirë duke i dhënë tempin kësaj çfaqje me talentin e tyre,sprovë e genit muzikor shkodran.
Një rol të jashtëzakonshëm në formimin e talentve të reja luajti shkolla e muzikës e hapur në vitin 1961 dhe më 1970 Shkolla e
Mesme “Prenk Jakova”, e cila me nivelin e lartë të trupit pedagogjik mësimor në fushën e muzikës, rigorozitetin dhe disiplinën e lartë profesionale ,arriti të nxjerrë talente të mrekullueshme në lëmin muzikor qoftë në atë të interpretimit si dhe të instrumentisteve të shquara në piano,violinë etj .Nga kjo shkollë kanë dalë këngëtaret e shquara Sabahet Vishnja, Enriketa Kuqani, Myfarete Laze, Vjollca Luka, Shpresa Rakaj, pianistja e shquar Elda Laro, në piano etj .Në jetën artistike dhe koncertale, krahas veprimtarisë pedagogjike në shkollën e muzikës japin një kontribut të jashtëzakonshëm edhe një grup muzikantesh të cilat mbasi kanë kryer Institutin e Lartë të Arteve, do të bëheshin promotore të shumë aktiviteteve në shkollë dhe qytet si : I.Mhilli, D.Miloti, A.Misku, M.Vuksani, E.Kola ,V.Gashi, M.Rakaj, R.Dervishi.
Burimi/Facebook


Leave a Reply