Ka një bibliotekë të mrekullueshme buzë Senës para se t’i afrohesh Bastijës: «Biblioteka Forney» e vendosur në ish «Hôtel de Sens», një ndërtesë e vjetër dhe një margaritar i arkitekturës mesjetare parisiane e ndërtuar në vitin 1475. Vite më parë vija shpesh këtu meqë janë koleksionet e shumta të librave mbi veprat e artit nga më interesantet. Një oborr, shkallë rrethore, garguj mistikë për të larguar të keqen, çati me përthyerje interesante dhe brenda, një sallë gjigande që të kujton sallat e «scriptoria»-ve të vjetra ku dikur murgjit kopjonin librat e shenjtë në parshemen, ungjillorët, apo siç i quajmë ndryshe kodikët me gërmat prej ari apo argjendi e plot figura hirëplota. Por këtu në Paris, ndërtesat kanë historitë dhe personazhet e tyre, ngjarje që nganjëherë janë drithëruese, siç është dhe historia e ish mbretëreshës Margot. Kur u njoha me këtë histori, kisha qëndruar gjatë në atë shesh para ndërtesës, duke u përpjekur ta imagjinoj si në një skenë filmi atë ngjarje, atë histori, ku ish mbretëresha Margot, apo ndryshe Maarguerite de Valois, tashmë vejushë dhe trashaluqe, priste e përcillte dashnorët e saj. Por ajo çmendej pas djemve të rinj, pasi në atë kohë, të ishe 52 vjeçare ishe një grua e vjetër, ndryshe nga kohët moderne. Dhe ajo i donte shumë poezitë e dashurisë, seksin dhe ishte një mecene arti, rreth të cilës vinin rrotull jo pak artistë. Mbase ju duhet ta keni lexuar « La Reine Margot » të Alexandre Dumas, apo keni parë filmin e para disa vjetëve me të njëjtin titull ku luan Monica Belluci. Por kjo histori, nuk lidhet me kohën kur ajo ishte gruaja e mbretit Henri IV, që shumë shpejt u vra me thikë ngan jë fanatik fetar në karrocën e tij, në anën tjetër të Senës.
E pra, një ditë, ish mbretëresha, me ato fustane të gjëra që i mbulonin dhjamrat dhe paruken bërë me flokët e shërbëtoreve të saj, po kthehej me të dashurin e saj 18 vjeçar dhe ai po e ndihmonte të zbriste nga karroca, kur dikush e qëlloi, duke e vrarë në vend. Ishte dashnori i mëparshëm, konti Vermont, 20 vjeçar, i ndezur nga xhelozia i kishte zenë pritë konkurentit të tij. Por Vermont u kap dhe tre ditë më vonë do t’i pritej koka. Dhe ish mbretëresha do ta shikonte qetësisht nga dritarja ekzekutimin e tij.
Vallë pas kësaj koke të prerë do të guxonin djemtë e rinj t’i afroheshin vejushës trashaluqe ? Kushedi ?…
Një histori xhelozie para një ndërtese plot hire si kjo e «Hôtel de Sens»…
——-
L.Rama




Burimi/Facebook


Leave a Reply