Në tokën e bekuar të Toskanës
-Reportazh-
Ndërsa po ktheheshim nga Roma, vendosëm që udhëtimin ta bënim duke i rënë mespërmes Toscanës, nga Grosseto buzë detit, deri në Barberino në prehrin e Apenineve. Prej kohësh Moza më kishte shprehur dëshirën për të bërë një udhëtim në zonën e Chiantit. Ngado nëpër Itali sheh shpesh indicazionin: “Udha e verërave dhe prodhimeve tipike të zonës”. Padyshim një udhë e tillë është edhe ajo në zonën e Chiantit, në tokën e bekuar të Toskanës.
Pasi bëjmë një vizitë të shkurtër në qytetin e Sienës, që është një ndër 19 komunat që i përkasin zonës së Chiantit, fillojmë udhëtimin midis një territori me një blerim të jashtëzakonshëm, me një larmi të madhe të vegjetacionit, bimëve e luleve, të cilat kjo pranverë e lagësht i ka bërë të harlisen në mënyrë të veçantë, saqë ngado para syve të shpaloset një pejsazh magjepsës.Rruga gjarpëron pranë lumenjsh e përrenjsh që rrrjedhin midis kodrave të buta, ku nuk ka asnjë centimetër tokë të pakultivuar. Herë-herë territori është i valëzuar dhe të kujton atë valëzimin që i jep flladi i erës grurit që sapo ka krijuar kallinjtë. Herë-herë lakimet e hijshme të terrenit të kujtojnë vallëzimin sensual të një valltareje të dehur nga verërat e zonës e nga bukuria e ambientit. Komunat e Chiantit shfaqen njëra pas tjetrës dhe secila ka historinë e saj, kështjellat e vogla nëpër kodra, pronat e kantinave të ndryshme që janë aq të shumta, të bukura e mikpritëse. Secila ka edhe plantacionet e veta me vreshta e me ullinj, ku e gjelbra e gjetheve të rrushit shkrihet aq natyrshëm me grinë e kurorave të ullinjve dhe blerimin e errët të qiparisave të gjatë që janë një veçori poetike e territorit toskan. Pothuajse të gjitha kantinat janë në majë kodrash dhe përreth kanë vreshtat të vëna në rreshta të drejtë si të qëndisura me dorë dhe ullishtat e begata. Rruga gjarpëruese që shpie tek secila nga ato zbukurohet nga qiparisat e shumtë. Kjo vërehet veçanërisht në Asciano, por edhe në fshatra të tjera që ndeshim rrugës. Mozës i pëlqejnë këto pejsazhe dhe herë pas here kërkon ta ndalim makinën për të bërë foto. Edhe gjatë ecjes me makinë ajo fotografon herë pas here, duke i rrëmbyer vendit kartolina njërën më të bukur se tjetrën.

Në Bargino të San Cascianos është një nga kantinat më të vjetra e më të njohura të verës “Chianti”, ajo me emrin “Antinori”, e cila prodhon e tregëton verëra që nga viti 1385. Më tej vijojnë komunat e tjera të njohura të Chiantit, Castellina, Greve, Montefioralle. Ngado kantina, hotele, restorante, të zbukuruara edhe me pishina, si copa qielli të kaltra mes blerimit të dendur. Në këtë zonë vijnë turistë nga e gjithë bota për të kaluar pushimet në Toskana. Zona e Chiantit ka rreth 1000 hotele të kategorive të ndryshme, nga ato më të thjeshtat deri tek më luksozet. Në secilin prej tyre ka një gërshetim të natyrshëm të traditave të Toskanës me modernen. Këtu vijnë personazhe të shquara të artit e kinematografisë, yje të Hollivoodit, personalitete të politikës botërore e biznesmenë të mëdhenj. Në San Gimignano, qytezë e vogël mbi kodër me 40 kulla, kanë ardhur edhe personalitete të tilla si Bill Klinton me bashkëshorten dhe Tony Blair kur ishte kryeministër i Anglisë. Në çdo kantinë mund ta fillosh me një shijim të verërave dhe të vajit të ullirit, për të vazhduar pastaj me një drekë apo darkë dhe me blerjen e prodhimeve verë e vaj ulliri që janë krejtësisht bio.
Ne futemi në komunën e Gaioles, që është në zemër të zonës së Chiantit dhe nga më të njohurat. Ndalemi në fillim në Castagnoli. Në murin e një ndërtese hasim në një reklamë të shkruar nga ndonjë francez në gjuhën frënge “Chianti c’est la vie” (Chianti është jeta). E thënë nga francezët, që janë prodhues dhe njohës të verërave të mira, reklama bëhet më intriguese dhe më ftuese për t’u ndalur në ndonjë kantinë. Dhe ne ndalemi në kodrën ku është kantina Cantalici, që ofron një pamje romantike ngado që të kthesh sytë. Në oborrin përpara cantinës disa voza druri dhe shishe vere, duket sikur na urojnë mirëseardhjen e ftojnë për të shijuar prodhimet e saj. Më tej një hark me trëndafila të kuq në formë ylberi. Na tërheq vëmendjen simboli i gjelit të zi, që është zhuajse në çdo zonë e kantinë. Në fakt ka një histori lidhur me këtë shpend simbol. Në periudhën e mesjetës, kur Siena e Firenze ishin republika më vete, kishte një konflikt midis tyre për të caktuar ndarjen e kufirit ndërmjet dy republikave. Me marrëveshje u vendos që të niseshin një kalorës nga Firenze dhe një kalorës nga Siena në drejtim të njëri-tjetrit. Në pikën ku do të takoheshin, do bëhej edhe ndarja e kufirit. Kalorësit do të niseshin në kohën kur në secilin vend do të këndonte këndezi në mëngjes. Sienezët zgjodhën një gjel të bardhë, kurse fiorentinët një gjel të zi. Mirëpo fiorentinët u treguan më dinakë. Ata e lanë disa ditë pa ngrënë gjelin e tyre të zi, kështuqë në ditën e caktuar ai këndoi prej urisë shumë më shpejt se të vinte agu. Dhe kalorësi i Firenzes u nis shumë kohë më përpara se kalorësi i Sienës, që u nis kur këndoi gjeli i bardhë në agim të ditës. Në fakt kur u takuan dy kalorësit, fiorentini kishte arritur thuajse në Siena. Dhe Firenze mori më shumë territor. Si fitues, gjeli i zi u shpall si njëfarë çmimi për të treguar cilësinë e verës. Në shishet që kanë një gjel të zi tek gryka thuhet që është vera e cilësisë më të lartë. Ndërsa mbaja në dorë një shishe të tillë, po mendoja me vete duke qeshur: Po ky gjeli i zi është edhe simbol i një hileje. Mos është i tillë edhe këtu në grykën e shishes?…
Përpara na del një djalë i ri, i cili na fton të futemi në ambientet e kantinës për të shijuar disa nga verërat e kësaj ndërmarrjeje prodhuese dhe tregtuese të verërave e të vajit të ullirit. Ai quhet Federico Rademacher. Është shumë i sjellshëm dhe i komunikueshëm. Në tavolinë janë 6 nga verërat më të mira dhe disa shishe me vaj ulliri.
-Do i shijoni të 6 verërat? -pyet ai.
-Më mirë po zgjedhim tri, se po shijuam gjashtë ikim prej këtu pasnesër,-i thashë me të qeshur.
Ai tregon për historikun e secilës verë, kohën e stazhionimit në voza prej druri lisi që këtu e quajnë rovere dhe me çfarë piatancash përshtaten më mirë. Verërat janë të gjitha të një cilësie të lartë dhe të bëjnë për vete.
Federico na shoqëron edhe në ambientet e tjera të kantinës, na bën foto me shumë mirësjellje poshtë harkut me trëndafila dhe tek pishina e vogël, pastaj na lë të lirë që të njohim më mirë territorin.
Kjo kantinë është e re, e krijuar nga viti 1998 dhe drejtohet nga vëllezërit Daniele e Carlo Cantalici. Por historia e saj është më e hershme. Babai i tyre, Loris kishte blerë në vitet ’70 një pjesë nga pronësia e ndërmarrjes “Antica Fornace Ridolfi” me përvojë 500-vjeçare në kultivimin e vreshtave dhe prodhimin e verërave. Mbi këtë përvojë filluan edhe vëllezërit Cantalici, të cilët që nga viti 2015 prodhojnë vetëm prodhime bio. Ndërmarrja e tyre ka një sipërfaqe prej 70 hektarësh me vreshta e ullishta.
Ndërsa po shetisnim në ambientet dhe territorin e ndërmarrjes, na përshëndeti një djalë që punonte aty. Mbase na kishte dëgjuar tek flisnim shqip me njëri-tjetrin dhe na pyeti nga ishim. U njohëm me të. Ai quhej Zamir Xhafa, me origjinë dibrane, por i shpërngulur në Durrës. Tani ka shumë vite që jeton e punon në zonën Chianti dhe me familjen e tij ka blerë shtëpi në Gaiole. Kanë një djalë 15 vjeç e një vajzë 12 vjeçe. Zamiri e bashkëshortja e tij punojnë dhe e kanë ndërtuar më së miri jetën e tyre këtu. Zamiri nisi në fillim si punëtor nëpër vreshta, por pasioni i tij ishte puna në kantinë. Bëri disa kurse dhe tani është kapo kantine. Punon me pasion, i njeh të gjitha proceset që nga futja e rrushit në kantinë e deri tek mbyllja e verës në shishe e shitja e prodhimit. Ka reputacion të mirë dhe raporte shumë të mira me pronarët. Këtu punon edhe një tjetër bashkëatdhetar, Adriatik Rajka. Në bisedë me Zamirin mësojmë se nëpër vreshtat punojnë edhe 15 dibranë të tjerë që jetojnë këtu me familjet e tyre. Ndiejmë kënaqësi e krenari kur shikojmë këta emigrantë që janë integruar aq mirë një një zonë të tillë tërheqëse e të lakmueshme, siç është Chianti. Zamiri na fton me bujari e zemërbardhësi që të rikthehemi në Gaiole, duke na ofruar mikpritje në shtëpinë e tij. Natyrisht edhe kjo na bën krenar për mikpritjen karakteristike shqiptare.
Vazhdojmë udhëtimin përmes kësaj toke të bekuar derisa perëndimi fillon të skuqë horizontin dhe përmes një tisi të hollë resh i jep një tjetër bukuri magjepsëse pejsazhit. Ndjekim rrugën gjarpërushe përmes kodrash e luginash, derisa në Firenze marrim autostradën e cila na shpie në Trentinon ku banojmë, midis bukurive alpine të Italisë piktoreske.
Ndue Lazri
Burimi/Facebook


Leave a Reply