NGA LEXIMET DHE SHËNIMET E MIA
-Shkrimtarë dhe vepra-
Kristof Hajn, kush është?
Mjeshtër i tregimit. Ka shkruar librin “Ekzekutimi i një viçi” (botuar në Romë, 1995). Vëllimi përmban 16 tekste tregimtare (tregime) të shkruara mes viteve 1977 dhe 1990 që i përkasin kështu fazës së fundit të Gjermanisë Lindore, vend në të cilin Hajn ka jetuar në bashkimin e krejt Gjermanisë. Bëhet fjalë për tekste me shtrirje të ndryshme, që në kompleks japin imazhin e një bote të përzier, të populluar nga akademikë dhe fshatarë, mjekë dhe minatorë, artistë dhe funksionarë të lartë të shtetit, të rinj të papunë dhe gazetarë, gra që kujdesen për fëmijë të braktisur dhe veteranë, tregtarë të vegjël dhe shkrimtarë. Pra, Hajn, duket sikur lëviz me lehtësi në ambiente të ndryshme dhe të shumtë. Në të vërtetë kjo i bëhet e pamundur jo shumë falë njohjes së tij të shoqërisë, sa mjeshtrisë formale mjaft të dukshme për atë që njeh veprat e tjera të tij, si: “Miku i huaj”, “Fundi i Hornit” dhe “Muzikanti i tangos”. Mjeshtria e tij i lejon të dominojë në lloje të ndryshme tregimtare (nga historitë e shkurtëra tek anekdotat, nga novela tek publicistika, dhe te tregimi). Këtu janë të papërshkrueshëm në vizionet e artit në tekstet e veçanta të përmbledhura në vëllim.
Tregimi me personazhet e karakterizuara plotësisht, ku mund të përmendim atë me titull “Akulli formohet më parë në ura”, është i rezervuar për ambientet sociale të frekuentuara nga intelektualët, ose nga personazhet me formim akademik, të cilat me sa duket vetë autori bën pjesë. Ndërsa kur historitë zhvillohen në ambiente më pak familjare për të, si psh.: ambientin e fshatit te tregimi “Ekzekutimi i një viçi”, Hajn shmanget me zotësi mbi zgjidhjet tregimtare të cilat i lejojë të konservojë një farë distance nga bota që përshkruan në tregim. Në rastin e tregimit të përmendur më lart p. sh. përshtat stilin e raportit, duke na treguar kështu vetëm veprimet e personazheve të veçantë, pa dashur të thellohet në personalitetin e tyre. Por ama, lexuesit që e hap vëllimin i krijohet përshtypja sikur po hyn në një botë të ndërtuar mirë, të besueshme, domethënëse. Po në çfarë konsiston një “domethënie” e tillë? Lexojmë tregimin “Përdhunimi”. Aty flitet për një çështje (të ndaluar) në Gjermaninë Lindore: dhuna mbi gratë, mbi gratë gjermane në mbarim të luftës së fundit e ushtruar nga ushtarët sovjetikë. Në të vërtetë Hajn nuk ka si qëllim të denoncojë – me dhjetra vjet vonesë – ato dhunime, por të tregojë në mënyrë ekzemplare mënyrën me të cilën në lindje të Elbës ato (dhunimet) nuk u stërholluan, por u hoqën qafe dhe u harruan. E ftuar në një shkollë, një grua flet dendur për ndihmën e dhënë nga ushtria sovjetike civilëve, por as që e përmend dhunën e ushtruar nga ushtarë të veçantë; prandaj më vonë, në shtëpi i shoqi ia kujton dhunën e pësuar në ato ditë të largëta nga gjyshja e tij dhe vëren pra se nuk duhet thënë vetëm një pjesë e së vërtetës. Brejtja kthehet përsëri në skenë (pasi gruaja donte t’i harronte ato ditë) gruaja reagon duke e quajtur burrin e saj fashist dhe bie në një krizë të rëndë nervore, nga e cila duket se nuk do ta marrë më veten.
Në një tregim tjetër të titulluar “Një takim i papritur”, tregohet për arratisjen në Perëndim që janë të detyruar ta bëjnë dy studentë. Ata kishin refuzuar të shkonin “vullnetarisht” të kryenin shërbimin ushtarak, kështu që u përjashtuan publikisht nga shefi i tyre si “armiq të klasës”. Shumë vite pas arratisjes, kur njëri nga dy studentët kërkon punë si redaktor pranë një stacioni radiofonik, ndeshet përballë me atë që do ta merrte në punë, i cili ishte po ai që e kishte detyruar të arratisej. I shndërruar ndërkohë, në opinionin e përgjithshëm, “kritik kurajoz i regjimit” dhe bashkëpunëtor i vlefshëm i radios, ai (i cili do ta merrte në punë) nuk përmbahet dhe kryen një poshtërsi të dytë: e pengon futjen e redaktorit të ri në punë. Nga indinjimi tek lexuesi mbizotëron një pikëpyetje: përse shoqëria falënderon atë që nuk i lan hesapet deri në fund me të kaluarën e tij dhe në fakt eviton atë i cili me prezencën e tij e vë të kaluarën e vet për ballë historisë?
Në të dy këta tregime, ashtu si në të gjithë tekstet e tjerë të vëllimit, gjendet një nga temat qëndrore të autorit: lidhja e çdonjërit në veçanti dhe e gjithë kombit gjerman në përgjithësi me të kaluarën e tyre. Dhe pikërisht për këtë botë që ai na vizaton ka një reliev dhe një domethënie të përgjithëshme. Para disa vitesh, Hajn formuloi disa mendime të sugjeruara nga debate i ndezur mes historianëve ne mesin e viteve ’80 ku bëhej fjalë për raportin e gjermanëve me të kaluarën e tyre naziste. Hajn i përgjigjej këtyre historianëve që është e pamundur të harrosh të kaluarën. Ajo është pjesë e sigurtë dhe e pamodifikueshme e së tashmes: nuk mund ta fshish, por vetëm të korigjosh siç duhet në mënyrën tënde të të ballafaquarit me atë që tashmë ka ndodhur. Për këtë raport jo vetëm me të kaluarën naziste, por edhe me stalinizmin e me luftën e ftohtë na flasin dendur tekstet e tij.
Hajn mund të përcaktohet kështu, edhe si një kronist. Në të vërtetë të bën të mendosh më tepër për një historian të vërtetë, sepse ai jo vetëm që mbledh me një intuitë të sigurtë simptomat e zbuluara nga një sëmundje kolektive dhe kombëtare të cilat meritojnë të shkruhen nëpër faqe librash, por i bën lexuesit të ndjejnë shpirtërisht ato çështje të largëta të asaj sëmundjeje.
Çdo popull, sipas Niçes, ka karakteristikën e vet të hipokrizisë, të cilën e quan virtyt; nuk njeh, në fakt nuk mund të njohë ajkën e vet. Me eksperiencat e këtij shekulli pas krahëve, Kristof Hajn dëshiron të shtojë që në realitet popujt injorojnë pjesën më të keqe të tyre, pasi në të vërtetë nuk mund ta durojnë pamjen e fytyrës së tyre. Sfida e nënkuptuar në një vetëdije të tillë, gjendet mes supozimeve thelbësore të një shkrimi si të Kristof Hajnit.Ky shkrim në përfundimet e tij më të mira zbulohet si frut i eksplorimeve në skutat më të errëta dhe turbulluese të memories dhe të ndërgjegjes kolektive. Shumë nga 16 prozat e mbledhura në këtë vëllim përbëjnë një dëshmi.
Shkodër, 22.05.2024 ( Xhahid BUSHATI )
Burimi/Facebook


Leave a Reply