POEZI NGA JERONIM DE RADA, NGA KADAREJA DHE ALI ASLLANI
ME RASTIN E 5 MAJIT, DITA E DËSHMORËVE
S’ISH RËNKIM,. POR PAL GOLEMI
Nga JERONIM DE RADA
Sonte me dy orë natë
ndihej një rënkim i gjatë,
s’ish rënkim, por Pal Golemi,
i rrëzuar pranë kalit,
5 i plagosur, frymëkëputur,
që m’u lutej shokëve:
O ju shokë, ju vëllezër,
un’ ju lutem shumë-shumë,
të më shtini ju në dhé,
10 të ma bëni varrin tim
aq të gjerë sa të gjatë
që t’i nxëjë tok me mua
shqytarët, që m’ranë pranë!
Te këmbët e varrit tim
15 të ma vini ju flamurin,
flamurin bashkë me armët!
Pra t’i shkruani, t’i thoni,
të m’i thoni mëmës sime
tek ma qep atë këmishë,
20 (të ma lajë
me lot’ e syvet):
të ma terë at’ këmishë
me zjarrin e zemrës ‘saj!
Dhe të bukurës të m’i shkruani,
25 ende n’mos qoftë martuar,
me gjakun e faqeve
t’ngjyej’ velin që qëndis.
Kur të vejë n’atë kishë
të shkojë andej nga sheshi
30 e t’i shoh’ shokët e mi
që ngrihen n’sa ajo kalon,
të hyjë në kishën e ftohtë,
të lëshojë një rënkim,
një rënkim e një vajtim
sa gjith kisha të kumbojë!
PËR DËSHMORËT E LUFTES VLORES ,1920
Nga ALI ASLLANI
Jepi dorën, jepi dorën
këtij djali që i ati
na dha gjith’ ato që pati,
na dha jetën, na dha Vlorën!
Jepi dorën, jepi dorën
kësaj nëne që i biri
iu këput si yll nga gjiri,
qyqe, korb’ e la të gjorën!
Jepi dorën dhe asaj,
asaj vajze që rënkon,
ku dhe baba . . . e kërkon!
Mos harro dhe pasandaj
dhe atë të zezë grua
që ka humbur një dragua!
Si, pra, Vlora t’i harrojë,
nder’ e fjalës ta mjerojë,
çfar’ i thanë e çfar’ u tha,
majë malit Barçalla?!
Majë malit në Beun
u betuam ti dhe un’!
* * *
Këta jan’ nga ata,
nga ata që iu the ti:
“Ma jep kokën!” dhe ta dha!
* * *
Është’ mëkat, për Perëndi,
në mos tjetër, sot për sot,
eja derdh dy tre lot’,
eja bjer dy tre gurë,
sa t’u bëhet një qivur!
Vlorë, 1922
PERLAT REXHEPIT
Nga ALI ASLLANI
Pyeta Labërinë:
– E ku wsht’ Perlati?
– Ish një suferinë
edhe shkoi e vajti.
Pyeta Shqipërinë:
– E ku ësht’ Perlati?
– Kombi ulërin
më shumë nga i ati.
Pyeta djalërinë:
– Ç’e bët’ shokun, mikun?
– Jet’ për Shqipërinë,
vdekje për armikun!
Tani, ti dhe unë,
gjith’ e dimë Perlatin,
djepe kish Beunë,
varr ka Rozafatin.
Historia thotë,
kryetrim i ri,
një tufan me lotë
një flamur flori.
Fragment nga poema e Ismail Kadare:
“Shqiponjat fluturojnë lart”
Lart,
gjithmonë lar!
Përpara kishim
Gjokset e egra, leshatore të tufaneve,
Si blerimi mbi faqe malesh po mbinte
Epopeja e lavdishme e partizanëve.
Dalëngadalë po vjen behari. . . .
Ritej pylli I tytave të pushkëve.
Net të mbushura me boritë e alarmeve,
Me bardhësinë e dëborave,
Me hingëllimat e mushkave.
Shumë vite do të shkonin,
Po kjo ditë s’do harrohej.
Tetë Nëntori
stuhishëm do shffletonte kalendaret.
Midis ditëve të tjera
Kjo ditë do të rrinte,
Si shqiponja që rri midis zogjve të saj.
Ç’them kështu?
Ditët tona qenë të gjitha të lavdishme.
S’u jap tituj e grada,
Në kalendare
Kjo ditë do të hynte si komisare e thjeshtë
Midis ditëve të tjera me uniform ushtari.
Ditët tona
Të rreshtuara në skuadrat e javëve,
Në kompanitë e muajve,
në regjimentet e viteve,
Kështu do të marshonin me partinë
pa u ndalur.
Njëshkolonë partizane,
drejt horizontesh të ndritur.
1966
Burimi/Derguar nga z. Dilaver Goxhaj


Leave a Reply