Moti me stuhi të fuqishme pritet të përhapet përgjatë pjesëve të tjera të zonës së mesme perëndimore të Shteteve të Bashkuara.
Një tornado me erëra 320 kilometra në orë vrau të paktën 51 persona dhe shkaktoi shkatërrime masive në shtetin amerikan qendror të Oklahomës, duke rrënuar dy shkolla dhe lagje të tëra.
Zyra për Ekzaminime Mjekësore në Oklahoma tha se numri i të vdekurve pritet të rritet ndërsa punëtorë të shpëtimit shkojnë më thellë në zonat e goditura më rëndë.
Cikloni rreth 1 kilometër e gjysme në gjerësi goditi të hënën pasdite rajonin Moore, në periferi të qytetit Oklahoma, duke plagosur dhjetra njerëz, dhe duke shkatërruar shumë ndërtesa banimi e biznesi.
Punëtorët e shpëtimit kanë tërhequr disa fëmijë të gjallë nga rrënojat e shkollave.
Guvernatorja e Oklahomës, Mary Fallin tha në një konferencë shtypi se “zemrat janë thyer” për prindërit të cilët pyesin në lidhje me fatin e fëmijëve të tyre. Ajo premtoi se nuk do të kursejë asnjë burim për të ndihmuar komunitetin të rimëkëmbet nga katastrofa.
Guvernatorja Fallin ka dislokuar 80 anëtarë të Gardës Kombëtare për të ndihmuar me operacionet kërkim-shpëtim.
Guvernatorja foli gjithashtu me presidentin Barak Obama, i cili i kërkoi agjencisë Federale për Menaxhim Emergjent, FEMA, të ofrojë çdo ndihmë që ajo ka nevojë.
Një mot me stuhi të forta pritej në të gjithë pjesët e tjera të rajonit të mesëm perëndomor. Një stuhi të dielën vrau dy vetë në Oklahoma.
Shërbimi Kombëtar i Motit ka shpallur paralajmërime për stuhi të fuqishme në pesë shtete – Oklahoma, Kansas, Missouri, Arkansas dhe Texas – dhe thotë se stuhitë pritet të prekin këto shtete brenda orëve të ardhshme.
Zeri i Amerikes
Per”Alba – Dansk” shkodrani
Leave a Reply