Makfire Canolli
Sofër me plumba e shtruar
Ja ku e ke shtruar me plumba,
sofrën ku gatova lirinë,
për darkën e kombit tim,
Kur u ktheva vonë nga arat,
të bëja bukën e re misërishte,
për trimat, që
ende nuk janë kthyer nga malet.
Mitrovica kërkon prapë trima,
aty jo nuk fluturojnë
të gjitha shqipet e lira të Kosovës.
Shtruar me plumba e ke
armiku im i vjetër,
me të njëjtën qime!
Dëshira ime e ndaluar tani,
nga paqja e botës,
për lirinë e plotë të vendlindjes sime,
për tërë trollin tim,
po pret në sirtarët
e tavolinave diplomatike,
me njërën dorë
në sofrën e plumbave,
që t’i hamë bashkë një ditë.
Abetare për lirinë
Shtrënguar me zinxhirë në trupin tim femëror,
gumëzhitja si tanku armik mbi barin e vjeshtës,
të gjeja abetaren e lirisë,
në natën e zezë me re,
kur ëndërroja frymën e ndaluar në grykë
me hallkat e reja natë për natë,
që të mos çelë kurrë drita e mëngjesit tim,
i lagur me gjakun tim.
Dhe ti nuk e di, armiku im!
Që unë di përmendsh
Lirinë që ma ndalon ti,
këngën më të bukur të poetit
që ua lë cicërima zogjve,
edhe kur ti e vret.
Prapë ti nuk e di!
Se sa më shume që më shtrëngon,
aq më shumë gjaku im më mëson jetën,
zvarrë për të arritur kotherrën e bukës,
që shkel çizma jote,
në sofrën e Kosovës,
gatuar me duart e nënave.
Po ik se nuk kam kohë të flas më me ty!
Më presin trimat në male.
Kërkojnë bukë dhe fishekë,
për ty, armiku im!
Vesa mbi lule gjak të vjen
Ti mendon se u ligështova nga zinxhirët tu,
kur më shikove lotin që nga syri im ra.
Ti nuk dallon gjakun nga loti,
jo që i verbër je.
Të duket gjak edhe vesa mbi lule.
E si ujk lëpin buzët
para torishtës së dhënve.
E di. The me vete:
Femrat janë të fuqishme vetëm në shtrat,
janë vetëm për t’u rregulluar në pasqyrë.
Nuk do të më mbash mend.
E di!
Me flamur i lidha tytën tankut tënd dhe
e zyri kolla në marsin shqiptar,
nga ngulçimet në fyt
kur u ngjita shtatzënë me lirinë.
E një shekull kisha pritur lindjen e parë.
Që të rris gëzimin e parë,
Si lulen në saksi.
E di!
Sa trishtueshëm më sheh tash si atëherë.
Prape lëpin buzët,
vesa mbi lule gjak të vjen.
Nuse shqip në Mollën e Kuqe
Atdheu im sa herë është tkurrur,
braktisur me dhunë
nga shqipatrët e mi,
duke marrë me vete vetëm emrin “shqiptar”,
me lot në sy,
Zemra duke qajtur me ngashërim.
Gjyshi im ruan edhe sot,
Mbiemrin e vjetër “Maqedonc”,
në kohën kur gjyshja ime
u bë nuse në Mollën e Kuqe,
në vendin ku flasin shqip
vetëm eshtrat nën dhe,
ose ndonjë zog që andej i bie fluturim
dhe këndon emrin e atdheut t’im,
poemën time të kafshuar
nga të katër anët,
me emrin Shqipëri.
http://prishtinapress.info
Per”Alba – Dansk” Shkodrani



Leave a Reply