Duke dashur të mos preket, ose të ofendohet asnjë vëlla musliman. Tema është në lidhje me burrat dhe mënyrën si sillen. Nuk flitet për gjithë burrat, mirëpo fatkeqësisht ka shumë të tillë.
Si ka mundësi, një njeri besimtar, që i përmbahet sunetit të Pejgamberit (a.s) të jetë arrogant dhe të mos ketë aspak sjellje? Si është e mundur, duke qenë një burrë i mirë, i kuptueshëm, i dashur, të shndërrohet si nata me ditën? Shkaqet e këtij ndryshimi janë të shumta, mirëpo shumë gra nuk i vërejnë. Shumë gra muslimane i sheh vazhdimisht duke u ankuar: “Burri im nuk është aspak i kujdesshëm. Zakonisht del me shokët e tij dhe mua më harron krejtësisht. Edhe kur jemi bashkë, ai çdoherë më lëndon me fjalë.”
Kjo vërtet kuptohet ashtu si e përshkruajnë këto gra, mirëpo puna qëndron diku tjetër. Faji është diku tjetër… Ekzistojnë dy lloje martesash: e para, kur burri prej ditëve të para martesore është i pakujdesshëm, nuk e ka frikë Allahun; dhe e dyta, kur bashkëshortët kanë frikë Allahun, janë të lumtur, të durueshëm dhe çojnë një jetë normale që në fillim. Kështu kalojnë muaj e vite në harmoni, mirëpo me lindjen e fëmijës së parë, pak nga pak fillojnë të paraqiten disa probleme.
Shejtani vepron gradualisht, kështu probleme mbi probleme, arrijnë deri aty sa fjalët e mira marrin kuptim tjetër, në fillim të ëmbla e më pas të hidhura. Kjo gjë ndodh jo vetëm te burrat, por edhe te femrat, të cilat, të lodhura nga punët e përditshme e nga monotonia e prishin fjalorin e tyre. Këtu, për etikë, nuk po numërojmë fjalët e fjalitë që shkëmbejnë bashkëshortët në inat e sipër. Sa që po të ishte dikush t’i regjistronte këto fjalë, e më pas t’i dëgjonin ato, do të çuditeshin me fjalët që kanë thënë, do të çuditeshin me veten e tyre.
Mirëpo ka edhe raste kur gruaja nuk e ofendon burrin, por bën gabime të tjera edhe më të rënda, p.sh: nuk e pret me buzëqeshje, e rregulluar mirë, para syve të tij qortohet me fëmijët pa arsye, dhe kur burri e thërret në shtrat, ajo gjen lloj – lloj arsyesh: “Jam e lodhur, e sëmurë.”
Kjo shkakton nervozizëm dhe ftohje te burri. Atëherë ai fillon me metoda të tjera dhe në mënyrë indirekte t’i tregojë gruas se ka nevojë për të. E urdhëron për disa punë, që ajo më nuk i ka kryer, por me këtë ai do t’i thotë se ka qejf ta shohë gruan sa më të gjallë, aktive dhe jo ta presë burrin me sytë në gjumë, e lodhur e pa rregulluar. Burri nuk ka qejf ta shohë gruan të qeshur në fytyrë dhe mundohet në mënyrë indirekte ta bëjë të qeshë, e urdhëron t’i bëjë kafe. Pasi gruaja ia sjell kafen, ai shkon e derdh; prapë i kërkon kafe tjetër; pasi ia sjell gruaja, ai prapë shkon e derdh. Kështu vepron disa herë, derisa ta shohë gruan të qeshur në fytyrë. Atëherë e pi kafen dhe e bën gruan që ta kuptojë se burrit nuk i duhet kafja me fytyrë të vrenjtur. Mirëpo, shumë gra, prapë s’e kuptojnë se çka do të thotë burri në këtë rast. Vazhdimisht ankohen se burri e urdhëron shumë, bile tallet me të duke ia derdhur kafenë ose ushqimet dhe prapë thotë jam i uritur. Me këtë burri do t’i tregojë se ka nevojë për të, prandaj është i uritur. Janë të rralla ato gra që i kuptojnë këto veprime të burrave. Rreth kësaj ka shumë për të shkruar, mirëpo mesazhi kryesor i dedikohet gruas, të ketë kujdes si sillet. Përderisa burri sillet ashtu si e përmendëm më lart, çdo grua le ta ketë të qartë se burri nuk është i kënaqur me gruan e tij 99 % në jetën intime, vetëm se ai nuk e tregon në mënyrë direkte, por pret që vetë ajo ta kuptojë se çfarë kuptimi kanë veprimet e tij. Kur gruaja vazhdon të mos e kuptojë burrin e saj, atëherë fillojnë problemet në shtëpi, nuk ka harmoni, vazhdimisht grindje, vazhdimisht të hidhëruar mes veti. Dhe kur burri nuk e gjen rehatinë, prehjen te gruaja e tij, fillon të kërkojë qetësinë te ndonjë grua tjetër. Kështu prishet një familje që ka pasur një fillim të mbarë. Shejtani nuk ndalet së vepruari.
Përderisa vitet e para martesore kanë qenë shumë në rregull e pastaj ka ndryshuar gjendja, kuptohet se dikush ka punuar vazhdimisht, gradualisht në prishjen e martesës, e ai është shejtani. Prandaj të mos lejojmë shejtanin të shkatërrojë martesën. Çdo grua e martuar le t’i konsiderojë të dorës parë burrin dhe fëmijët dhe asnjë grua të mos thotë se nuk mundet, se është e pamundur, sepse asgjë nuk është e pamundur. Luftoni, angazhoheni me kohë para se të jetë vonë, jini të qëndrueshme, të durueshme, edhe nëse zgjat shumë. Xhihadi më i rëndë është lufta me vetveten.
Sa më shumë sprova të kemi, aq më afër mëshirës së Allahut jemi. Rruga drejt xhenetit është përplot me ferra …
Përktheu: Hafsa XHEMAILI
Per” Alba – Dansk” Shkodrani



Leave a Reply