Ai fliste me zërin e tij të ngadaltë e të sjellshëm, si një rrëfimtar që po pendohet thellë. Nuk di, por ndjehesha në siklet që nuk e kuptoja nga më vinte. Papritmas, kuptova që ishte frikë. Ky njeri më trembte. Po pse? Ai më priti me mirësjellje të jashtëzakonshme, të përzemërt. Ishte mendjemprehtë dhe pamja e tij nuk ishte kërcënuese.
Ato shpatulla të ngushta si të një fëmije;
Ajo mungesë e qafës thuajse prekëse;
Ajo fytyrë e lëmuar në të cilën nuk mund ta përfytyrosh mjekrën;
Ato duar delikate, me gishta të gjatë dhe të bardhë si qirinj;
Ajo kokë e zhytur në këmishë. Dukej si një pacient i vogël i sëmurë që mbron veten nga shiu strukur nën një çadër ose si një breshkë që shikonte me turp nga guaska e saj. Kush ka frikë nga një fëmijë i sëmurë apo nga një breshkë? Kë lëndojnë? Vetëm më vonë, shumë më vonë, kuptova se frika vinte pikërisht nga këto : nga forca që qëndron pas këtyre. Pushteti i vërtetë nuk ka nevojë për arrogancë, mjekër të gjatë, lehje. Fuqia e vërtetë të mbyt me kordonë mëndafshi, me mirësjellje, me inteligjencë,
inteligjencë, që e kishte me shumicë, aq sa ia dilte të përballonte luksin për të mos e shfaqur. Në çdo pyetje ai rrëshqiste si një peshk, të fuste në një mijë kthesa, pastaj kthehej për të të dhënë një përfundim modest dhe konkret. Humori i tij ishte delikat, por i ligë. Fillimisht nuk ndjehej aty për aty, por më pas shpotia e tij hapte vrima në trup që shpërthenin gjak dhe të lëndonin. Kur e kuptova e pashë e nxehur keq. Ai ishte ulur në një tavolinë mbuluar me letra dhe pas saj, në murin prej kadifeje ngjyrë lajthie, mbante një Shën Mari dora e djathtë e së cilës zbriste drejt kokës së tij si për ta bekuar. Jo, askush nuk do të mund ta shkatarronte! Kurrë! Do ishte gjithnjë ai që do të shkatërronte të tjerët. Me qetësi, me kalimin e kohës, me sigurinë e bindjeve të tij, apo të dogmave të tij. Ai besonte në parajsë dhe ferr. Në mëngjes shkonte në meshë dhe e shërbente më mirë se një djalë seminari. Por vë bast, që nëse zgjohej zemërimi i tij i heshtur, bënte dëme të mëdha. Kur e provokova me një pyetje të vrazhdë, trupi i tij nuk lëvizi dhe fytyra i mbeti e mermertë . Por në sytë e tij u ndez një dritë e akullt që ende më tmeron.
Burimi/Facebook/ Nga Avokat Edmond Petraj
Leave a Reply