Thonë se molekulat e jetës lindën në një mjedis që i ngjajnte supës me plotë kripra. Mjaftoi një membranë që të brendësonte këto molekula për të formuar qelizat e para. Po çmund të bënte një qelizë e vetme? Ajo duhej të rritej, të mbrohej, të ushqehej, të riprodhohej, të lëvizte…
Një ditë qelizat e “kuptuan” se ishte më mirë të bashkoheshin mes tyre dhe të ndanin punën. Qelizat që ishin në sipërfaqe e kishin më kollaj të komunikonin me mjedisin e jashtëm, ndërsa ato që jetonin në thellësi ndiheshin keq. Dhe zgjidhja u gjet. Çdo qelizë pavarësisht nga vendi ku ndodhej duhet të notonte në një “supë” të lëngët e plotë kripëra. Nuk thonë kot se djersa e bujkut, gjaku i luftëtarit dhe lotët e vejushave janë gjithashtu të kripura.
Kripa e gjellës është thuajse i vetmi përbërës i pazëvendësueshëm i kuzhinës së njeriut. Në tokë ka kaq shumë kripë, por nuk është e shpërndarë kudo njësoj. Dikur në Kinën e vjetër vetëm ari ishte më i shtrenjtë se kripa. Është e vështirë të thuhet me saktësi se kur filluan të shftytëzoheshin burimet e kripës së gjellës. Ndoshta gjashtë mijë vite më parë. Arkeologët kanë zbuluar trungje vertikalë, zgavrat e të cilëve ishin të mbushur me kripë. Kripa u desh për ushqimin, por më shumë për konservimin e ushqimeve. Shija për të u trashëgua përgjatë mijra breza për të mbritur deri në ditët tona.
Arbërit ishin me fat që jetuan në një tokë që lagej me det. Sa më larg detit aq më e vështirë bëhej sigurimi i kripës së gjellës. Jo më kot populli totë: “Kripa është e lirë në Durrës, por të ha qeraja e rrugës”.
Unë mora shkas të shkruaj për kripën nga një bisedë që bëra me një mikun tim pukian nga Bregu i Fierzës këtu e ndoshta 20 vite më parë. Ishim duke u kthyer së bashku me makinë nga Puka për në Shkodër. Diku në të djathtë të rrugës dukej një faqe mali e pjerrët në të cilën dallohej një rrugë zig-zake. Më vajtën sytë te ajo rrugë dhe e pyeta mikun tim se përse mund të përdorej ajo rrugë aq e mundimshme.
Miku im ra në mendime. Heshti një çast dhe pastaj më tha se kur ishte i vogël e kishte bërë në këmbë atë rrugë bashkë me bashkëfashatarë të tij. Niseshin nga bregu i Fierzës për të marrë ujë deti në Velipojë e Shëngjin. Mbushnin lëkurët e qingjave me ujë deti dhe pasi ktheheshin e përdornin për të gatuar e përgatitur bukën. Sot duket e pabesushme. E pabesueshme mu duk edhe mua. Mendova se miku im po e ekzagjeronte këtë histori deri në kufijtë e të pabesueshmes.
Pas pak i thash se e njëjta gjë ka qenë edhe në anët tona. Mu kujtuan historitë e tim eti që na tregonte se kripën shkonin ta blenin në Vlorë. Të mbrije në Vlorë duhet të përshkoje me mushka e kuaj dhjetra kilometra. E kjo zgjati deri në vitin 1919 kur u ndërtua rruga automobilistike qe lidhi Vlorën me Tepelenën e Gjirokastrën. Fatmirësisht, fshati im i lindjes ndodhet buzë kësaj rruge dhe qysh prej një shekulli nuk qe më e nevoshme të shkohej me këmbë e kafshë deri në Vlorë, Gjirokaster e Fier. E megjithatë historis e pukianit për kripën më kish mbetur në mendje. Një sakrificë njerëzore e paimagjinueshme për kohën që lamë pas.
Sot më bëri një vizitë një miku im i vyer pukian, Ndok Seferi, me të cilin pata fatin të punoja në kohën që isha Ministër i Arsimit. Në ato vite ai drejtoi me shumë profesionalizëm arsimin në rrethin e Pukës. E pyeta Zotin Seferi nëse ishte e vërtet historia që kisha dëgjuar para më shumë se njëzetë viteve.
Ai buzëqeshi dhe më tha se ishte plotësisht e vërtet, por jo për një shekull më parë, por për gati 50-60 vite më parë. Dikur edhe bashkëfshatëret e tij zbritnin në Velipojë për të bërë të njëtën gjë. Para festës së Shënkollit fshatarët zbrisnin në Velipojë dhe merrnin ujë deti për të gatuar mishrat që theresin për këtë ceremoni. Të tjerë zbrisnin në Shkodër për të blerë kripë të gatshme deti.
Kripa, ajo që nuk e vlerësojmë sot, ishte shumë e shtrenjtë për banorët larg detit. Dikush mbetej pa kripë, më tregoi Ndoka, dhe shkonte e merrte borxh te komshiu. Dhe a dini si matej kripa e dhënë borxh? Futeshin tre gishta e dorës në enën ku mbahej kripa dhe hidheshin në enën e nevojtarit. Numurohej se herë futeshin tre gishtat për të marrë kripën dhe thuhej se më ke borxh pesë apo dhjetë gishta kripë. Këtë nuk e kish dëgjuar asnjehere.
Vitet kalojnë dhe brezat butë-butë zëvendësojnë njëri-tjerin. Kujtimet përhumben dhe më të rinjtë harrojnë që janë pjesë e stafetës jetësore që kalon nga prindërit te fëmijët. Të parët tanë nuk jetojnë më. E megjithatë ata jetojnë brenda ADN-së së çdo qelize të trupit tonë. Gjithçka që trashëgojmë vjen prej dy prindërve tanë. Kjo materie e shenjtë është udhërrëfyesi ynë biologjik.
Veç trashëgimisë biologjike, njeriu është e vetmja qenie që ka krijuar një trashëgimi tjetër, trashëgiminë sociale që shërben për të transmentuar përvojat nga një brez në tjetrin. Nese kjo trashëgimi nuk shkruhet, vdes përditë dhe vjen një kohë që zhduket tërësisht. E sotmja është vazhdim i të djeshmes, ndërsa e nesërmja vazhdim i të sotmes. Koha nuk është asgjë më shumë veçse një shumatore çastesh e ndodhish që kanë ndjekur e vazhdojnë të ndjekin pa ndalesë njëri-tjetrin.
Të shkruash është të jetësosh çastet e ndodhitë e jetës që në tërësinë e tyre përbëjnë historinë nga kemi ardhur e ku shkojmë. Ky rrërfim e mori zanafillën këtu e 20 vite më parë duke zbritur nga Puka në Shkodër. Nuk desha ta lija të vdiste, ashu siç vdesin përditë shumë gjara të tjera të jetëve tona. Mbase kjo rrëfenjë është edhe një shenjë mirënjohje për të parët tanë që vujtën aq shumë për ta çuar stafetën e jetës deri në ditët tona.
Ata vuajtën por na lanë dhe si trashigimi një shprehje me tre fjalë që nuk e formulon dot asnjë filozof i botës: “Bukë, kripë e zemër”. Besoj se është e qartë pse djersa, gjaku dhe lotët janë të kripur. E për to ja ka vlejtur çdo sakrificë.
Burimi/Facebook/Autori


Leave a Reply