Në Ukrainën e viteve 1940, në qytetin që sot quhet Lviv, një vajzë 13-vjeçare nga familje hebraike, e quajtur Krystyna Chiger, u fsheh mbi një vit nga nazistët në kanalizimet e qytetit. Gjatë asaj periudhe, ajo vishte një bluzë jeshile dhe më vonë shkruajti një libër për eksperiencën e saj, të titulluar “Vajza me bluzën jeshile”. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Ksenia Turkova, libri çeli një odise njëvjeçare për një banore në shtetin amerikan Merilend.
Banorja e shtetit amerikan Merilend, mjekja anesteziste Lea Stern ka qenë gjithnjë e dashuruar me thurjen me shtiza të rrobave.
Ndërsa vizitonte një ekspozitë të dedikuar fëmijëve që i shpëtuan nazizmit, ajo pikasi në Muzeun e Holokaustit një bluzë ngjyrë jeshile që ishte thurur me shtiza.
“Si e apasionuar prej kohësh pas punës me shtiza, pashë se ishte një model që nuk e kisha parë më herët. Ishte qartazi një bluzë fëmije…”, thotë zonja Stern.
Bluza u thur në fund të viteve 1930 për vajzën Krystyna Chiger nga gjyshja e saj. Kur nazistët pushtuan në vitin 1941 qytetin ukrainas që sot quhet Lviv, vajza e vogël u fsheh së bashku me familjen e saj për gati një vit në sistemet e nëndheshme të kanalizimeve të qytetit.
Krystyna Chiger shkruajti më vonë një libër për këtë eksperiencë, dhe e quajti “Vajza me bluzën jeshile”. Kur e lexoi zonja Stern, vendosi ta riprodhonte bluzën dhe ia sugjeroi këtë përgjegjëses së Muzeut të Holokaustit në Uashington.
“Kur e sugjeroi këtë fillimisht, mendova se ishte e pazakontë, por e nxorëm bluzën në mënyrë që ta shikonte, të bënte fotografi… Dhe i duhej të krijonte një model”, thotë Susan Snyder, përgjegjëse në Muzeum e Holokaustit.
Zonja Stern kaloi orë të tëra në librari dhe në arkiva. Iu deshën mbi gjashtë muaj për të krijuar modelin, dhe bëri disa riprodhime të bluzës.
Veprimi i saj krijoi një lloj lëvizjeje në mbarë botën, me njerëz në vende të ndryshme që thurnin me shtiza të njëjtën bluzë jeshile, të cilën në vazhdim e shisnin dhe të ardhurat ia dërgonin fondacionit të Muzeut të Holokaustit.
“…dikur do të lindë pyetja. ‘Nënë ose gjyshe, e bëre këtë bluzë për mua kur isha e vogël; përse thure pikërisht këtë bluzë? Çfarë domethënieje ka?”, thotë zonja Stern.
“Kur mendojmë për fëmijët që fshiheshin gjatë holokaustit,ajo ishte një situatë e tmerrshme për ta. Shumë prej tyre mbetën me kujtime traumatike. Disa prej tyre nuk patën fare kujtime”, thotë zonja Snyder.
Krystyna Chiger emigroi për në Shtetet e Bashkuara dekada më parë dhe jeton tashmë në Long Island, Nju Jork.
Ajo është pothuajse 90 vjeç dhe rrallë bisedon me gazetarët për shkak të problemeve shëndetësore. Por, ajo ende mban një bluzë jeshile me vete – një bluzë të re.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply