Pjese nga libri im i fundmë “Qytetit të lindjes – SARANDA”, që do ta promovojë me 14 prill në sarandë.
Eh!… Ngrohtësia njerëzore! Ishte një balsam. Shihi këta njerëz, ia nguli sytë ai një fotoje me sarandiotë të vjetër. Ja dhe një tjetër foto. Dhe një tjetër. Prapë dhe prapë sarandiotë të vjetër, të ikur… Kishin jetuar kohën e tyre. Dukeshin të qeshur. Ngrohtë. Ah, psherëtiu rishtazi ai, ju më dukeni të lumtur, miq! Ku jeni ju tani vallë? Sa rroni e sa keni vdekur? Dhe mendja iu mbush dëng me fytyra, fytyra, fytyra. Dhe e zuri një mallëngjim i beftë. Dhe iu bë të klithte: “Ku jeni ju të gjallët dhe të vdekurit e mi të bukur, ku? Ku jeni ju që puna, djersa, ndershmëria, aftësia, përkushtimi ju kishin hije? Ku jeni ju, që i dhatë hir, emër dhe lavdi Sarandës?…”
Por ata nuk përgjigjeshin
– Mos u trishto, mik! – i foli dikush nga pas. Ishte fatthënësi i madh i mitit grek, Tirezia. I ishte shfaqur rishtazi brenda mendjes. – Jeta s’është veçse një mashtrim i ëmbël që përsëritet e përsëritet! E tillë ka qenë dhe e tillë do të mbetet, një lëmsh që rrotullohet e rrotullohet, ndërsa filli pakohet e pakohet. Dhe një tjetër lëmsh ia nis nga e para. Çdo brez kujton se është i përjetshëm, se me të fillon dhe mbaron jeta, si dhe brezi yt, kur befas e sheh veten në cep. Sa të tillë kam parë unë, qysh kur raca juaj u ngjiz. Por s’ke pse mërzitesh! Formula e jetës kjo është, një akrobaci kabaleske e Hyjnisë! Jeton, plakesh, vdes. Dikur ishe Dikushi, sot je Askushi.
– Puna dhe bukuria nuk vdesin, Tirezia.
– Edhe ato vdesin, ajri vetë vdes, më beso mua!
– Jo, s’është e vërtetë, ndryshe jeta do ishte shuar. Brezat janë si tullat. Në ishim një tullë në muret e Sarandës. Më ka mbetur në mendje një fjalë e poetit modernist francez Rembo (Arthur Rimbaud): “E vetmja gjë e padurueshme është se çdo gjë është e durueshme”. Ne ishim të durueshëm.
– Të durueshëm apo të shtypur?! Durimi dhe padurimi janë si krijimi dhe shkatërrimi. Ju jeni më shumë të paduruar sesa të duruar.
– Kemi një fjalë ne Tirezia: I ra gurit dhe e çau, i ra drurit dhe e thau, i ra njeriut dhe e mbajti. Durimi ynë shkon gjer në skaj, por kur soset, zjarr e flakë bëhet…
– Pse nuk e bëtë “zjarr e flakë” 50 vjet komunizëm? Ku ishit strukur? Shalëve të grave apo ku?! Ju kam parë, mik. Keni në emblemën e flamurit tuaj një shqiponjë dy-krerëshe. Është totemi juaj. Por ato koka shpesh nuk janë dy mikesha, por dy armike për vdekje: njëra i ha sytë tjetrës, siç keni bërë në shekuj! Edhe tani a s’po bëni po të njëjtën gjë? Unë e kam parë fatin tuaj 3000 vjet më parë. E dija se do të bëheshit copa-copa dhe do të katandiseshit një grusht malesh. Veri dhe jug, gegë dhe toskë, përherë dy. Edhe fenë e keni dy-krerëshe: të krishterë e myslimanë. Me të huajt lepe-peqe, dhe sus! Me tuajt nduk e rrip, dhe yyyp!
– Mos Tirezja, nuk të lejoj! Nuk janë shpifësit dhe budallenjtë, as të ligjtë dhe cinikët e vendeve të tjera, qofshin dhe të kombit tonë, ata që mund të na japin çelësat e dijes historike. Jo! Dija historike thotë se ato dy koka nuk i kanë ngrënë sytë njëra-tjetrës, por e kanë mbrojtur njëra-tjetrën.
– Ato janë dy kokat perandorake Romë-Bizant, ku jeni çapëlyer historisë; nuk janë shqiptare. Por unë të shpotita se ju mburreni më shumë nga ç’duhet, e quani veten matka e qytetërimit. Në fakt, s’jeni as bishti i tij, prandaj dhe ju kanë quajtur me “bisht”…
Nuk mund ta pranonte këtë alegori cinike, rudimentare të Tirezias dhe bëri një gjest sikur të largonte nga sytë një përfytyrim. “Ik, qërohu, shpifarak i ndyrë!”, i foli me mendje dikujt në ajër. E kuptoi se po dialogonte me përfytyrimin e tij. Hodhi sytë rrotull. Askush nuk e kishte dëgjuar në atë dialog virtual që pat krijuar, veç mendjes së tij.
– Tirezia, ku je?
– Brenda kafkës tënde, ku tjetër?
– Keq më vjen Tirezia, por ti me këtë mendim më kujton një shokun tone budalla në vitet e universitetit, që hiqej si i mençur. Mbante në bllok ca “shkrepje” mendimesh e farfuri filozofike të tijat për njësinë dhe dasinë midis ilirëve, arbërve dhe shqiptarëve, të cilat rrinin, siç thoshte ai, në “unitetin dialektik” hegelian të të kundërtave?!!!! Dashuri dhe urrejtje. Në atë bllok kishte dhe dhjetë urdhëresat, jo ato të pllakave të Moisiut, por ato të shqiptarëve: “10 të mirat” dhe “10 të këqijat”. Imitonte mendjeshkrepjet numerologjike të Mao Ce Dunin…
– Cilat qenë 10 të këqijat?
– E para: “Ju doni vetëm Njëshin, jo Dyshin; vetëm veten, jo dhe tjetrin”. E dhjeta: “Nga 1-shi te 10-ta, ju zgjidhni përherë zeron”.
– Paska pasur të drejtë. Ju duheni aq shumë sa urreheni dhe më shumë. Tepria ju shkatërron, nuk ju paqton. Vetëm kur shkatërroni tjetrin ju jetoni, ndërsa vetëshkatërrimi ju jep ekstazën e munguar. E para i takonte komunizmit, e dyta i takon vitit 1997, e treta i takon të sotmes. Ndërsa e katërta është gjithë jeta juaj.
– Këto që po më thua Tirezia janë ca biçim sentencash, që i kam lexuar e dëgjuar nga ata që kanë dashur të na kafshojnë, dhe kur s’kanë mundur dot, na kanë pështyrë.
– Ju kanë pështyrë dhe keni pështyrë.
– Qenke një Mefisto, Tirezia.
– Mefistofeli dhe Fausti janë dy në një ose e NJËJTA gjë.
Ai mbeti i befasuar nga kjo ide: Zoti dhe Djalli NJË. Njeriu kishte shpikur zjarrin dhe zjarri e mblodhi në shpellë brinjë më brinjë. Ngrohtë. Njeriu shpiku familjen dhe ajo e mbante lidhur: shpirt me shpirt. Ngrohtë. Njeriu shpiku shoqërinë, rendin, ligjin, shtetin dhe ato e bënë një tullë të vogël në murin e madh. Ngrohtë. Mirëpo të tria “shpikjet” e njeriut shekulli i ri po i përmbyste. Zjarri po bëhej një kërcënim për ajrin, mjedisin, tokën, rritjen e temperatures, larg qoftë të një lufte bërthamore; familja po zvetënohej, po goditej mu në ind: lindshmëria e ulët, bashkëjetesat në vend të martesave, divorcet, tradhtitë, vetmia, transgjinorët; shoqëria po bëhej cinike, vuante traumën e egoizmit të skajshmëm, pabarazisë, vetmisë, urrejtjeve etnike, raciale, fetare, klanore. Njeriu po kthehej në një Faust që vuante identitetin, absurdin e njohjes, përpëlitjen e shpirtit mes kundërthënieve, pakuptimësinë e vetë jetës. Po ai, a i kishte shpëtuar mendjerrekjes dhe vramendjes së Faustit?! Fausti, ndryshe nga Krishti që krijoi apotheozën e ringjalljes, donte të rikthente rininë në pleqëri. Mefistofeli ia riktheu, por kjo e krodhi edhe më shumë në dëshpërim Faustin. Rini a pleqëri, jeta ishte e gjitha një ankth. Po vdekja?
– Unë s’e di se çdo të jem pas vdekjes, – i foli me mendje Tirezias ai, – por do doja që të bëhesha si ajo piktura e Salvador Dalisë, ku mbi trupin tim të zinte rrënjë një pemë apo të çelte petale një lule.
– Qytetit tuaj ia pretë pemët dhe lulet, kanë mbetur vetëm ferrat dhe gjembat…
– Qyteti im s’ka të marrë, por ëndërrimtarë, – donte ta kundërshtonte ai, por Tiriezia, si lexues i mendjes së tij që ishte, ia preu: “E çfarë dallimi ka i marri nga ëndërrimtari?! Pak të marrë ka pasur qyteti juaj?! Më fal që ta them, por një Niçe i sëmurë në Mynyh të Gjermanisë dhe një kinse “Niçe” sarandiot i marrosur nga trutë e kokës siç je ti, çfarë ndryshimi kanë përveçse mallëngjimit? I pari vuante për një të dashur me mish e gjak, të cilën e refuzoi për krenari, ndërsa i dyti, domethënë ti, vuan për një qytet që s’është më i yti, thjesht bën sikur e do… – luajti me paradoksin Tirezia. – Shfryni dufet çdo ditë në facebook, kjo shpikje e shpifur që paskeni qitur së fundmi ju njerëzit e shekullit XXI. Të gjithë shkruani, por nuk veproni. Ti je një nga këta shkarashkrues. Boll më! S’jeni veçse llafazanë të mërzitshëm. Ja më thuaj, çfarë ke bërë ti për qytetin tënd? Një hiç! Dënglaxhinj jeni të gjithë, edhi ti. Ikët dhe harruat t’i ktheni sytë këndej. Një herë të vetme! Tani që u plakët keni qejf të filozofoni nga pak, pale! Dhe vini në qytetin tuaj të lindjes që të vdisni. E di, e di se ç’do të më thuash, se Steve Jobs-i ju paska dhënë një celular a një Ipad me të cilin të ndani vetminë tuaj; ju dha një botë të madhe duke ju mbyllur edhe më shumë në një botë të vogël: te vetvetja! Ja, ky është mashtrimi! Unë ju bashkova dikur, ai ju vetmoi sot. Dhe ti më thua: Sa jemi dhe sa s’jemi po të Njëjtët?! Të gënjen mendja, miku im! A nuk e kupton se je bërë një tuhaf?! Qyteti ka ndryshuar, njerëzit që e popullojnë sot atë kanë ndryshuar dhe më shumë. Ti vetë ku je: në Tiranë apo në Sarandë? Ti ke iluzionin se “je” në Sarandë, por në fakt nuk je. Sepse ti nuk je më “ti”.
– Ouuuu Tirezia, ma bëre kokën dhallë! Njerëzit nuk i duan këto përsiatje sofistësh. Unë jam po “unë”, ai i djeshmi dhe ai i sotmi, një sarandiot, si në Tiranë, si në Sarandë.
– Ha, ha, ha, – qeshi Tirezja, – loja e “madhështisë” suaj të djeshme vjen nga padija juaj e sotme… Gjithfarë pseudosh kanë mbirë kohët e fundit te ju me deliret e tyre të madhështisë së rreme. Ata janë sa të paditur aq dhe të paturp. Duke rrëmbyer thërrime nga sofra e madhërishme e epokës greko-romake, ata ngatërrojnë Heladën e vjetër me Greqinë e sotme dhe e kthejnë me krenari naive Shqipërinë e hershme pellazgjike ende në mugëtirën e pandehmave, në vatrën e kulturës dhe qytetërimit antik. Çfarë ndezullie populistësh, që shkencën e konceptojnë si një thirrje trimash: “O burra përpara!” E bëjnë lëmsh të shkuarën me të sotmen. Dhe padashur nxitin urrejtjen. Çfarë je ti, grek apo ilir, të thonë pseudot. Jo, u thua ti, unë jam epiroti i djeshëm ose shqiptari i sotëm. Por pseudot këmbëngulin e provokojnë: “Ç’është Epiri, Iliri apo Greqi?” As njëra, as tjetra, vazhdon ti, është thjesht Epir. Pra, ti s’je as ilir, as grek, as arbër, as epirot, as shqiptar, atëherë çfarë dreqin je, pellazg, dardan, trojan? Jam sarandiot dhe kaq më mjafton, dëshpërohesh ti. Sarandiot i Onhezmit dhe sarandiot i “Ajios Saranda”, i “Dyzetë shenjtorëve”. Nuk do që të stërhollohesh nëpër kalambure historiko-filozofike si ai studenti budalla, që kishte qejf t’ju lexonte sentencat e tij aty te sheshi para godinës së Akademisë së Arteve. Qenë te bukura, por sapo ai mendjeshkulur kthente krahët, të gjithë ju ia krisnit gazit. Kështu ia krisin gazit me ju edhe me brofkat dhe krenaritë prej katundarësh që keni nisur të populloni gjithandej vetvetes.
– E ç’jam unë sipas teje Tirezia: pellazg, ilir, epirot, grek, arbëresh apo…
Tirezia tërhoqi buzët nën një ironi që sikur të zhvishte lakuriq. “Këto historitë me pellazgë, helenë, ilirë, epirotë, arbëreshë e më the të thash, më duken ndonjëherë aq qesharake sa… – dhe Tirezia u vrenjt. – Ato, miku im, paragjykojnë e përçajnë, nuk bashkojnë e dritësojnë. Janë kurthe e rrjeta për të ngecur mes absurdit. A nuk e shikoni se keni mbetur mes atyre rrjetave? Ti je NJERI. Kjo është e vërteta jote. Sa jeni gjallë identifikoheni në gjuhë, tokë, klimë, traditë, gjen, racë, histori; dhe pastaj në dije, profesion, status social, pasuri, pushtet. Kur vdisni zhduken që të gjitha dhe ribëheni NJERËZ, pra qenie të Zotit ku dhe shkoni. Krenaritë tuaja shndërrohen ne hirin bashkues të tokës prej nga keni dalë. Te ky qytet ti jeton me grekë e shqiptarë, ndërsa në verë me gjithë popujt që vijnë e mbushin shëtitoren tuaj, thithin ajrin e freskët të mbrëmjes. Mos ndryshoni gjë vallë? Jo! Je po AI, siç dhe të “tjerët” janë po ata. Jeni NJERËZ…
Tirezia mori pak frymë dhe trokiti gotën e birrë me mua. – Ti mburresh se e do fort qytetin tënd të lindjes, i blatohesh atij, por thellë në shpirt ti ndjehesh i huaj. Gënjen vetveten, sepse në fakt nuk je më pjesa e tij. Dije pra se Zoti këtë ka bërë në fillim e mbarim të kohës, ka qejf të tallet me ju, krijesat e tij, prandaj shpiku gjuhët, për t’ju ndarë. Shpiku kufijtë, kombet, armët dhe krijesën e butë të tij e bëri të egër, e bëri vrasës: nga Abel, në Kain. Dhe urrejtjet, luftërat, vrasjet s’kanë mbaruar. Kufiri ndan, nuk bashkon. Shiheni “kufirin”, nuk është te toka, por te koka juaj. Jeta është tallur me të gjithë ju, o mik, grek a shqiptar qofsh, ilir a pellazg, epirot a shqiptar, sarandiot a tiranas. Edhe me ty është tallur. Historia vetë është një cirkus, nuk e kupton? Rruga juaj është dredha-dredha si e gjarprit. Sepse gjarpri është totemi juaj. Iliri, paraardhësi juaj ishte biri i Kadmit dhe i Harmonisë, prandaj ju jeni njëherësh edhe si ati juaj, vrasës të bijve, edhe si nëna juaj, me lidhjet e forta në gjiri, fis e gjak. Por ca thonë se Iliri ishte biri i Polifemit dhe Galateas, andaj dhe ju jeni përherë të ashpër, të vëngërt dhe përbindshor si ati juaj, por dhe të bukur, të ndjeshën dhe grishës si e ëma juaj. Gjarpërinjtë janë fetishi i racës suaj. Gjarpri u fut në zakonet që ndiqni dhe ju u bëtë zvarranikë e helmues të njëri-tjetrit. Deri në vitin 168 kur Roma ju futi nën sqetull s’ishit veçse një grup fisesh, ku çdo i fortë i “oxhakut” qe dhe mbreti i qytetit të tij. Nuk krijuat dot mbretëri por vetëm dinasti. Gjithë jetën keni qenë të ndarë e të përçarë, secila krahinë “mbretëri me vete”, ndërsa secili njeri “kokë më vete”. Edhe sot njësoj jeni, nuk hiqni dorë nga zakoni i vjetër: grindja. Vonë krijuat mbretërinë tuaj me Pleuratin, Ardianin, Bardhylin, Skerdilajdin, Gentin, Agronin. Ky i fundit shkoi deri në Ambraki të Greqisë, por pas fitores piu aq shumë sa u deh dhe vdiq.
– Gjarpërinjtë e tu të kanë bërë dhe ty një gjuhë-gjarpër Tirezia, – i hipën nervat atij. – Vërtet këtë popull e ka kafshuar gjarpri, por helmin e ka duruar ama, se ka një antidot të tijën: urrejtjen për shpifjen dhe shpifësit. Helmi po i tretet. Është një Ante populli im, Tirezia.
– Ha, ha, ha… Inati është parzmorja e së vërtetës por dhe ushta e marrëzisë. “E mira mbulohet bashkë me eshtrat, e keqja mbetet”, tha Mark Antoni në varrin e Qesarit shpuar nga 33 kamat e të përbetuarve në Kapitol. Mos do të thuash se edhe zotërote ma qenke një fare Qesari i vockël shpuar nga 33 kamat e mosmirënjohjes.
– Ti po më cyt keq, Tirezia! Ti do që të më thuash se kurrgjë e mirë s’ka mbetur prej meje këtu, kështu? Prej askujt? Jemi thjesht hi, blozë, pluhur skeletesh të kalbura, fosile?! Ah, jo, je thjesht një cinik. Në fakt nuk je ti, por metafora që ti përfaqëson përmes emrit tënd. Ok, e pranoj ironinë, por kur njeriu vjen në kapitullin e fundit të jetës së vet dhe pamundësohet, dy fjalë të mira ai i do.
– Pra dashke “dy fjalë të mira”?! Ok…
Dhe Tirezia i ra truallit me shkopin e tij. Shiheni këtë njeri! Kërkon të na mburret si një Hektor kuajzbutës, që mbrojti qytetin e tij. Shiheni, a s’ju kujton personazhet depresivë e nekrofilë të Tolstoit, Kafkës, Kamysë? Jo, jo, kanë pak sqimë ata. Ky është nga mbetjet dhe lëtyrat e Beketit, që zvarriten si buburecat, krimbat, tenjat nëpër bodrumet dhe banjat e shtetit, vjedhin, zhvatin, prishin, ndryshkin; furracakë që ngërthehen rreth mishit të kalbur të vetvetes. I tillë është edhe ky, një buburec, një shushunjë, sido që bën rolin e mendjendriturit… Ju ikët, burracaku im, e braktisët vendin tuaj, ju pëlqyen “dritat” e qyteteve të botës. Edhe ti…
– Jo Tirezia, nuk e di pse por qytetin tim unë nuk mund ta tradhtoja. Kam bredhur botës, por ky qytet përherë më është dukur më i bukuri, Eden im.
Tirezia rrotulloi sytë e verbër dhe u duk sikur ata u spërndritën. Sikur e panë. Dhe i erdhi shikimi. Ti dëshiron të thuash një fjalë, e pyeti falltari i vjetër dhe po vetë u përgjigj: “Thuaje! Por të lutem, ngreje mendimin tënd në nivelin e brezit që përfaqëson, jo të batakut ku shumë prej jush kanë rënë!”
Atëherë ai i dha mendjes së tij tretur në filozofi të drejtën që ta përfytyronte veten përpara një turme të madhe mbledhur mu aty, në sheshin qendror të qytetit dhe të ngrinte një dolli.
– Miq të mi, të ikur a të mbetur! Ju i dhatë qytetit tim gjithë frymën tuaj, gjithë energjinë dhe inteligjencien tuaj, gjithë djersën dhe punën e ndershme. Zemrën i dhatë. Ju e bëtë atë të bukur. Ju ndezët mbi të drita, ju krijuat ngjyra. Nëse do të kisha sytë e Zotit, do t‟ju shihja të gjithëve si dikur, këtu, te ky shesh, te kjo shëtitore e re, te ky det. Gjurmët e mendjes dhe të duarve tuaja janë kudo në qytet. Në çdo hap që bijtë dhe nipat tuaj hedhin, aty jeni dhe ju. Ju shoh! Jeni bukuria e tij. Fytyrat tuaja janë të gdhendura të gjitha te një murale e
madhe që quhet MEMORIA E QYTETIT.
Tirezia duartrokiti dhe i tha: “Urim shumë i bukur, mik! I futa fjalët e tua këtu, nën chiton, si Hermesi shkëndijën e vjedhur nga zjarri hyjnor. Do t’i ruaj kohërave për ata që do të vijnë pas teje…”
Dhe humbi. U shua në ajër…
Burimi/Facebook


Leave a Reply