Në vrojtimet e pavullnetshme të mia ndaj sjelljeve njerëzore, por po aq në përsiatjet e vullnetshme, jam intriguar gjithmonë nga pyetja se sa njerëzit bëjnë përpjekje të kërkojnë Unin e tyre, ose më mirë të themi unicitetin e Unit të tyre (nëse e bëjnë..). Nisur nga dallimi midis Unit dhe Imazhit tek njeriu, ku i pari (Uni) është i vdekshëm, ndërsa i dyti (Imazhi), aspiron për pavdekësinë, argument tërësisht filozofik, fort kompleks e që kërkon instrumente të fuqishme njohjeje e interpretimi, po zgjedh më mirë të “strehohem” tek një paragraf i romanit “Pavdekësia” të Milan Kunderës. Kundera përmes dy personazhesh femra, motra, ku njëra quhet Agnes, dhe tjetra Laura, arrin të japë me një pasazh të vetëm, sa të thuktë aq edhe cinik, kërkimin e unicitetit të Unit tek njeriu.
“Ka dy mënyra për të kultivuar unicitetin e unit: metoda e mbledhjes dhe metoda e zbritjes. Agnesi zbret nga uni i saj gjithçka që i vjen nga jashtë saj e që është marrë hua, për t’iu afruar kësodore thelbit të vet të pastër (edhe me rrezikun që në fund të të gjitha zbritjeve, të nxjerrë krye vetëm një zero!). Ndërsa metoda e Laurës është saktësisht e kundërta: për ta bërë unin e vet gjithmonë e më të dukshëm, më të kapshëm, më të kuptueshëm, më të dendur, mbledh atribute mbi atribute dhe kërkon të identifikohet me to (edhe me rrezikun që poshtë shumës së atributeve, thelbi i unit, të humbasë).”
(ky pasazh është përkthyer nga unë)
Burimi/Facebook
Leave a Reply