
Është inauguruar nisja e punimeve për xhaminë e re të Tiranës. Selim Muça, kryetari i Komunitetit Mysliman, theksoi se kjo është një ditë historike jo vetëm për besimtarët myslimanë shqiptarë, por për të gjithë popullin.
I pranishëm në inaugurim ishte edhe kryeministri Sali Berisha. Në fjalën e tij ai theksoi: “Për Tiranën, kjo ditë, dita e lindjes së Profetit, është dhe do të mbetet një ditë e madhe. Kjo është xhamia më e madhe në vendin tonë. Sot ndahemi nga qëndrime paragjykuese, të inspiruara kryekëput nga ateizmi dhe ideologjitë e tij që penguan për 20 vjet ndërtimin e kësaj xhamie të domosdoshme për myslimanët e Tiranës”.

Projekti i xhamise se re
Kurse kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, tha se i vjen keq që është humbur kaq kohë për ndërtimin e xhamisë.
“Besimi dhe dashura na sollën deri këtu, për mua besimi që më dhanë qytetarët ishte çelësi për bashkëpunim me këtë komunitet dhe gjithë faktorët e tjerë që bënë të mundur fillimin e punimeve. Tirana është model i bashkëjetesës fetare. Koha kishte ardhur që edhe xhamia e madhe të ishte realitet në Shqipëri. Ndiej keqardhje për kohën e gjatë që kemi humbur. Por sot kompletojmë mozaikun e objekteve të kultit dhe shënojmë një premtim të mbajtur para këtij komuniteti dhe zotit të madh”, tha Basha
Përveç të qenit një vend për adhurimin e Zotit, xhamia e re e kryeqytetit shqiptar do të jetë një kompleks shumë funksional, për të gjithë shqiptarët.
Xhamia e re do të jetë e një stili ballkanas dhe do të përfshijë në të edhe elementë arkitekturorë shqiptarë. Ajo do të jetë e lartë rreth 35 metra, ndërkohë që do të ketë 4 minarè, 55 m të larta.
Kostoja e saj shumë e lartë nuk i ka trembur drejtuesit e KMSH, të cilët shprehen të kënaqur për gatishmërinë e shqiptarëve, pa dallim feje, për të qenë pjesë e këtij projekti.
Kompleksi i ri në qendër të Tiranës është projektuar nga arkitekti turk, Muharrem Hilmi Senalp, i njohur për veprat e tij në Turqi, Gjermani, Bosnjë, Japoni apo dhe në Australi.
(gazeta-Shqip.com)
Per”Alba – Dansk” shkodrani


Leave a Reply