Shtetet e Bashkuara përshëndetën të shtunën vendimin e parlamentit të Maqedonisë së Veriut për të miratuar “propozimin francez”, që i hap rrugën hapave të mëtejshëm në procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.
“Ne i kuptojmë kompromiset e vështira që përmban ky vendim, i cili njeh dhe respekton identitetin kulturor të Maqedonisë së Veriut dhe gjuhën maqedonase”, shprehet në një deklaratë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Ai shton se vendimi vjen në një moment kritik për Maqedoninë e Veriut, Ballkanin Perëndimor dhe Evropën.
Zoti Blinken shkruante në Twitter se Shtetet e Bashkuara mbështesin Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në rrugën e tyre në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ndërsa presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel tha se votimi “i hap rrugën mbajtjes së konferencës ndërqeveritare javën e ardhshme”.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se e mirëpret “votimin e parlamentit maqedonas që u hap rrugën konferencave të para për anëtarësim në Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”.
“Ne duam që ju të jeni anëtarë të Bashkimit Evropian dhe do të jemi krah jush deri në fund”, shprehet Kancelari gjerman.
Një shumicë prej 68 anëtarësh në parlamentin me 120 vende votoi në favor të propozimit që kishte si synim zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Bullgarinë që po pengonte ecjen përpara në procesin e anëtarësimit të vendit në BE.
Opozita ishte kundër dhe u larguan nga salla pa votuar.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply