
Në përgjithësi besohet se nacionalizmi lind nga forca. Në rastin e shqiptarëve nacionalizmi po lind nga pakënaqësia. Ose nga dobësia. Për fat të keq, arsyet për pakënaqësi janë më shumë të ditës, sesa të kohës. Pra, më shumë të kohës që jetojmë, sesa të kohës që ka ikur. Por pyetja është: a i ndihmon nacionalizmi shqiptarët të bashkohen më shpejt se ç’munden apo se ç’duan të tjerët që ata të bashkohen? Dhe kur flitet për bashkim, në kohët që jetojmë, flitet për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Çështja e Maqedonisë është më e komplikuar dhe më e vështirë për arsyet që dihen. Shqiptarët ë Shqipërisë dhe Kosovës kanë shtetet e tyre, ndërsa ata të Maqedonisë jo. Prandaj bashkimi i dy shteteve në një shtet është i më i lehtë se bashkimi i dy apo më shumë popujve, pa shtet, në një shtet, qoftë edhe kur ata janë një popull. Në këtë logjikë, dy shtete demokratike, normale, të begata, paqësore dhe ekonomikisht të vetëmjaftueshme mund të bashkohen më shpejt se dy popuj, të cilët nuk japin prova se kanë aftësi të plota shtetformuese. Ky paragjykim i ka shoqëruar shqiptarët në shekuj. Nëse kanë apo jo aftësi për të mbajtur një shtet. Ky paragjykim është sot po aq i justifikueshëm. Të gjithë ata që e kanë, ne i ndihmojmë çdo ditë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Korrupsion më shumë se ekonomi, zgjedhje të diskutueshme më shumë se demokraci, mungesë reformash më shumë se emancipim, polarizim më shumë se drejtësi, anarki më shumë se unitet, krahinalizëm më shumë se solidaritet kombëtar. Kjo është Shqipëria. Në shembullin tonë shkon edhe Kosova. Prandaj pyetja mbetet.
A mund të bashkohen dy shtete të vogla dhe të dobëta për të krijuar një shtet të madh edhe me të dobët? Kush e cenon më shumë paqen dhe begatinë e një bashkësie, dy qenie të dobëta, të uritura por të vogla apo një qenie e madhe shumë e dobët dhe prandaj problematike? Për çdo shqiptar, përfshi edhe mua, përgjigjja do ishte e lehtë, por e pamjaftueshme dhe jo bindëse. Ne duam të bashkohemi dhe të tjerat i zgjidhim rrugës. Madje ne duam të bashkohemi që të gjitha të tjerat t’i zgjidhim rrugës. Ne duam të bashkohemi që t’i japim shtetit tonë cilësitë që nuk ia kemi dhënë dot të ndarë. Ligjin, Ekonominë, Drejtësinë, Demokracinë, Unitetin, Solidaritetin dhe Paqen me natyrën. Natyrisht. Por të tjerët nuk mendojnë si ne. Dhe nuk kanë faj. Nëse ka një fuqi që shtyn çështjen e bashkimit, fatkeqësisht janë vetë shqiptarët. Ka fuqi të cilat duan të na bashkojnë, por nuk munden. Sepse ne i pengojmë. Ka fuqi të cilat duan të na pengojnë dhe munden. Sepse ne i ndihmojmë. Dhe, me sa duket, do vazhdojmë t’i pengojmë të parët dhe t’i ndihmojmë të dytët.
Por ndoshta, nacionalizmi i shqiptarëve, që është më shumë popullor sesa shtetëror, mund të jetë i vlefshëm në vitet që vijnë, nëse ai synon dhe arrin të rregullojë shtetet e tyre. Nacionalizmi i shqiptarëve nuk ka për qëllim të rregullojë as Greqinë as Serbinë sepse nuk do, dhe as Europën sepse nuk mundet. Por Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë pa dyshim mund t’i bëjë tri shtete më të jetueshme.
E nëse e pranojmë se boshti, arsyeja, mjeti dhe qëllimi i këtij bashkimi është Shqipëria, duhet të pranojmë se pengesa më e madhe për bashkimin e shqiptarëve është vetë Shqipëria. Sekush prej nesh mund të imagjinojë një Shqipëri më të drejtë, më demokratike, më solidare, më të begatë, më të ditur dhe më të ndritur. A do ishte bashkimi më i lehtë dhe më i shpejtë në këto kushte? Pa dyshim. Një Shqipëri me e mirë mund të ishte dhe duhej të ishte më e madhe. Prandaj nacionalizmi shqiptar ka një detyrim para së gjithash. Ai duhet të rregullojë Shqipërinë për të rregulluar kombin. Shqipëria është mjeti dhe qëllimi. Rrugë tjetër nuk ka dhe s’ka pse të ketë.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply