Prof. Jup Kastrati – Artisti Serafin Fanko – Drejtori i Teatrit “Migjeni” të asaj kohe Isa Alibali, në kujtimet e këtij të fundit. Një episod sa njëmijë fjalë: fuqia intelektuale e prof. Kastratit, ndërgjegja profesionale e Fankos dhe Alibalit. Episod/krenari për ne bashkëqytetarët e tyre!
Në vitin 1979, regjisori i mirënjohur Serafin Fanko, ngarkohet me një detyrë të rëndësishme për atë kohë: të vejë në skenë një dramë në teatrin shqiptar të Shkupit. Raste të tilla ishin tepër të rralla, kështu që kjo detyrë ishte ngjarje jo vetëm për Serafinin, por nderë edhe për teatrin e Shkodrës.
Serafin Fanko ishte i gëzuar që po i jepej rasti të vinte në skenë një dramë në një trupë teatrore jashtë vendit. Një ditë, sapo kishte marrë njoftimin, bëjmë një bisedë për këtë problem.
– Cilën dramë do të vesh në skenë? – e pyes, sepse, kur i ishte bërë ftesa, ishte përcaktuar edhe drama dhe i ishte dërguar libri, ku ishte botuar ajo.
– Dramën “NITA” e Josip Relës – m’u përgjegj Serafini. Më foli pak për dramën, që sapo e kishte lexuar.
Mua diçka m’u kujtua. Nuk ishte autor i panjohur. Menjëherë më shkoi mendja te profesori ynë i letersisë në Universitetin e Tiranës, Prof. Vehbi Bala, kur na kishte folur për shkrimtarin nga Xara e Dalmacisë, Josip Relën, i cili kishte qenë për një kohë mësues në shkollat e Kosovës dhe kishte shkruar mjaft vepra letrare, por shumë pak të njohura tek ne. Koha bën punën e vet e unë kisha marrë drejtim tjetër në jetë, dhe nga ana tjetër nuk kishim patur raste të tjera të njiheshim me veprat e këtij shkrimtari shqiptar. U bëra kurioz për të ditur më shumë për të. Këtë dëshirë e vura re edhe te Serafini, aq më tepër se atij i duhej të thellohej shumë më tepër për këtë figurë dhe veprat e tij, veçanërisht për dramën “Nita”. Gjithmonë duhet të pyesish atë që di. Prandaj më lindi një mendim. Marr në telefon profesorin tonë të nderuar, shkencëtarin e shquar, Prof. Dr. Jup Kastrati (Mësues i Popullit e Mjeshtër i Madh i Punës).
– Profesor – i them, pasi u përshëndeta më te. – Serafini është ngarkuar për të vënë në skenë dramën “Nita” të Josip Relës në teatrin e Shkupit. A mund të na jepni, ju lutem, ndonjë të dhënë më shumë për këtë autor e për këtë dramë?!
Së bashku me Serafinin po dëgjonim Prof. Jupin që filloi të flasë menjëherë. Na tregoi hollsisht jetën e shkrimtarit, veprat që ka shkruar, të gjitha, pa përjashtuar asnjë, dhe pastaj kaloi te drama “Nita”, së cilës i bëri një analizë të hollësishme. Unë po mbaja ndonjë shenim, Serafini po dëgjonte me vemendje ligjërimin e profesorit në telefon, që dukej sikur po jepte leksion në auditor.
Vështronim njëri tjetrin dhe çuditeshim, me të vërtetë çuditeshim me këtë erudicion, me këto njohuri të thella, të cilat prof. Jup Kastrati po na i thoshte pa luajtur nga vendi i tij i punës. Ne e dinim pozicionin e telefonit të shtëpisë së tij dhe u bindëm se të gjitha këto po na i thoshte pa patur shenime përpara. Biseda telefonike zgjati më shumë se 20 minuta dhe po ndjenim kënaqsi se në anën tjetër të telefonit kishim një njeri që tregonte bukur dhe fliste saktë e me pasion. Kur përfunduam bisedën dhe e falenderuam, e pyes Serafinin:
– Po kësaj ç’i thua?!
Serafini u mendua pak, sepse, me sa vura re, donte të gjente fjalët e përshtatëshme:
– Shkencëtar i vertetë, erudit i rrallë, njohës i thellë…kujtesë fenomenale…
Kishte për të thënë më, i ngrohur nga ato që dëgjoi nga goja e profesorit tonë të nderuar, por, siç dihet, fjalët e shkurta kanë kuptim të gjatë. Prandaj nuk e zgjati më.
Ai “foli” më tej me vënien në skenë me nivel shumë të lartë të kësaj drame në teatrin e Shkupit. Atje korri sukses të plotë. Shpesh herë, gjatë punës, i kujtohej profesor Jupi…
Arti krijon, shkenca zbulon. Krijon edhe shkenca, zbulon edhe arti…
Ky qe thelbi i bisedës që bëmë me Serafinin, duke perifrazuar O.Paskalin, pas kësaj ngjarjeje që nuk e harrojmë kurrë.
Nga libri “Mirënjoje” te Isa Alibali
Marre nga Spartak Alibali
Burimi/Facebook/Gegnisht
Leave a Reply