Të martën në Bruksel, Kosova dhe Serbia u pajtuan rreth zbatimit të marrëveshjes për energjinë, nëntë vjet pas nënshkrimit të saj.
I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Mirolslav Lajçak, shkroi se “Kosova dhe Serbia sapo kanë miratuar Udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjeve për energjinë, në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, shkroi ai.
Very pleased to announce that Kosovo and Serbia just adopted the Energy Agreements’ Implementation Roadmap in the framework of the EU-facilitated Dialogue. This is a major step forward. pic.twitter.com/QbY3W7uyrs
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) June 21, 2022
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, shkroi menjëherë se “kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës”.
We finally adopted the Implementation Roadmap on Energy Agreements of 2013 & 2015. This enables billing of electricity in 4 Northern Municipalities of Kosova, under Kosova laws and regulatory system. pic.twitter.com/39xvPCB1Ym
— Besnik Bislimi (@BislimiBesnik) June 21, 2022
Marrëveshja për energjinë ishte arritur në vitin 2013 dhe më pas qe konfirmuar në vitin 2015.
Marrëveshja e vitit 2013 parasheh që përveç Kompanisë për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike – KEDS, të licencohet edhe një kompani tjetër për shpërndarjen e energjisë elektrike.
Sipas udhërrëfyesit të dakorduar të martën, Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) do t’i jap licencë kompanisë serbe, “Drustvo Elektrosever D.O.O.” dhe do të sigurohet që puna e asaj kompanie zhvillohet në përputhje me ligjet e Kosovës.
——————————–
Çfarë përmban udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes për energjinë?
1. Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) do të lëshojë një licencë furnizimi për Elektroseverin. ZRRE-ja do të sigurojë pajtueshmërinë me kushtet e përcaktuara me licencën e furnizimit, në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullativ të Kosovës.
2. Brenda shtatë ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do të njoftojë KEDS-in dhe KOSTT-in për të dhënat më të reja të konsumatorëve, përmes Bashkimit Evropian.
3. Brenda 10 ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektroseveri do të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KEDS-in dhe KOSTT-in për të operuar në tregun energjetik të Kosovës. Marrëveshja kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSTT-in, marrëveshja për detyrimin e bilancit me KOSTT-in, marrëveshja për kyçje me KEDS-in dhe një marrëveshje komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të shpërndarjes (faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe lidhja fizike e konsumatorit të ri) në katër komunat veriore me shumicë serbe, sipas paragrafit 1 të nenit 5 të marrëveshjes së vitit 2013.
4. Brenda 15 ditësh nga nënshkrimi marrëveshjeve të nevojshme me KOSTT-in, Elektroseveri do të pajisjet me Kodin e Identifikimit të Energjisë (EIC) për të kryer veprimtaritë e parashikuara me licencë.
5. Në përputhje me nenin 14 të marrëveshjes për energjinë të vitit 2015, brenda periudhës 30 ditëshe nga lëshimi i licencës për furnizim, KEDS-i dhe KOSTT-i (nën ndërmjetësimin e BE-së, nëse ka nevojë) do të kenë qasje te nënstacioni i Vallaçit, si dhe në infrastrukturën tjetër të shpërndarjes
6. Brenda 45 ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, KOSTT-i dhe KEDS-i pas konsultimit me Elektroseverin do të dorëzojë në ZRRE planin e investimeve dhe kostot e kërkuara të mirëmbajtjes dhe humbjet e rrjetit, bazuar në shqyrtimin e plotë të infrastrukturës ekzistuese
7. Brenda 21 ditësh pas dorëzimit të planit të investimit dhe kostos së kërkuar të mirëmbajtjes dhe humbjeve të rrjetit, ZRRE-ja do të aprovojë në parim këto plane, kostot dhe humbjet.
8. Në rast të mosveprimit sipas kushteve të caktuara pas 100 ditësh të lëshimit të licencës, ZRRE-ja mund të vendosë për pezullim apo tërheqje të licencës për Elektroseverin, në konsultim paraprak ndërmjet palëve, e të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, brenda një afati kohor prej 15 ditësh. BE-ja do të ofrojë opinion të ekspertëve, nëse kërkohet të paktën nga njëra palë.
9. Zbatimi i suksesshëm i udhërrëfyesit është pa paragjykim ndaj detyrimit të palëve për të zbatuar plotësisht marrëveshjet energjetike të vitit 2013 dhe 2015.
—————————————–
Që nga përfundimi i luftës së vitit 1999, banorët e katër komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës, Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviçit nuk i paguajnë faturat e energjisë elektrike.
Deri në vitin 2017, shpenzimet e energjisë në atë zonë janë mbuluar nga faturat e qytetarëve në pjesën tjetër të Kosovës, ndërsa nga 2017, paguhen përmes buxhetit të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e mirëpriti marrëveshjen, duke e cilësuar një padrejtësi e madhe që i është bërë vendit me dëmtim të buxhetit nga mospagesa e energjisë elektrike në veri.
Marrëveshja u mirëprit edhe nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas të cilit kjo marrëveshjeje, nuk prek sovranitetin energjetik të Kosovës.
Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, përgëzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç për dakordimin e së martës. “Ky është një hap i madh dhe i rëndësishëm përpara për bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja dhe do të ketë rezultate konkrete për të gjithë qytetarët”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Spoke to @avucic and @albinkurti to congratulate them on reaching an agreement on the energy roadmap today.This is a big & important step forward in the EU-facilitated Dialogue and will deliver concrete results for all citizens. We look forward to continue working on next steps https://t.co/5r2jS0SX8n
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) June 21, 2022
Ambasada amerikane në Kosovë mirëpriti dakordimin e sotëm, duke nënvizuar se kjo është dëshmi që kur Kosova dhe Serbia angazhohen me kreativitet, atëherë përfitojnë qytetarët e dy shteteve. “Shtetet e Bashkuara u bjënë thirrje të dy vendeve të vazhdojnë të ndërtojnë mbi këtë sukses me një angazhim urgjent dhe të hapur në bisedimet e lehtësuara nga BE-ja”, thuhet në një postim në rrjetet sociale të ambasadës amerikane në Prishtinë.
Today’s energy roadmap agreement is proof that when Kosovo & Serbia engage with creativity & flexibility, citizens in both countries benefit. The U.S. urges both countries to continue to build on this success through urgent, open engagement in the EU-facilitated Dialogue.
— U.S. Embassy Pristina (@USEmbPristina) June 21, 2022
Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011 dhe që atëherë janë arritur një varg marrëveshjesh.
Serbia e mbështetur nga Rusia, kundërshton pavarësinë e Kosovës që është njohur nga shumica e vendeve perëndimore. Por të dyja vendet aspirojnë integrimet evropiane që janë të kushtëzuara nga normalizimi i marrëdhënieve që për perëndimin nënkupton njohjen e ndërsjellë.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply