(Kemi nevojë të njohim mendjet e ndritura të kombit, për tia kundërvënë vulgut, maskarenjve dhe hajdutëve që na kanë zënë sytë dhe frymën)Ky është Mirash Ivanaj. Një intelektual me përmasat e një heroi kombëtar. Për ata që s’e njohin, është themeluesi i arsimit modern shqiptar.
Ai ka lindur më 12 mars të vitit1891, në krahinën e Plavës dhe Gucisë. Në 1913 fitoi një bursë që jepte shteti Italian dhe u rregjistrua në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Universitetin Mbretëror të Romës. Në ato vite në Romë flitej shumë shpesh për dy studentë të shkëlqyer, një shqiptar dhe një izraelit, që Universiteti i Romës nuk kishte patur të tillë në qindvjeçarin e fundit. Shqiptari ishte ky. Në vitin 1921 mbrojti tezën e diplomës, me pikët maksimale. Pas gjuhësisë u arsimua për drejtësi, ku u diplomua sërish me pikët maksimale.
Mirash Ivanaj këthehet në Shqipëri në korrik të vitit 1923, me dy diploma universitare të vlerësuara shkëlqyeshëm në Universitetin e Romёs, pasi kishte refuzuar ftesën për të punuar si asistent pedagog atje.
Nё shkurt tё vitit 1925 mori detyrёn e drejtorit tё Gjimnazit Shtetёror tё Shkodrёs, ku nxënësit regjistroheshin direkt edhe në vit të dytë, sipas gjatësisë. Në 2 vjet e bëri një shkollë model për kohën.
Në 1928-29 pёr herё tё parё aplikoi provimin e maturës shtetërore.
Pas suksesit me këtë gjimnaz, i prezanton Mbretit Zog platformën për ndërtimin e sistemit të arsimit kombëtar. Zogu ia pranon dhe e emëron ministër të arsimit, në 1933.
Para se të merrte detyrën, shkruan dorëheqjen dhe ia lë mbretit në tavolinë. “Do ta firmos, nëse dikush më ndërhyn në punën time” – i tha.
Përcakton tri shtyllat e arsimit
1- Shkolla duhet të jetë kombëtare
2- Kujdesi për arsimin duhet të jetë monopol i shtetit
3- Shkolla jonё duhet tё japё edukatё qytetare e laike sepse qёllimi i shkollёs ёshtё qё tё formojё qytetarë tё lirё e me edukatё dhe formim shkencor e teknik bashkёkohor.
Ai përcaktoi arsimin bazë 8-vjecar.
E beri arsimin fillor 5-vjecar, të detyrueshëm dhe falas.
Hapi shkollën femërore pedagogjike “Nëna Mbretëreshe” – një nga bazat e krijimit të shtresës së inteligjencës femërore në Shqipëri.
Në 1936 Mbreti Zog i nështrohet italianëve dhe lejon shkolla private italiane, jashtë programit të kontrolluar nga Ministria e Arismit. Ivanaj nënshkruan dorëheqjen që ia kishte lënë në tavolinë.
Emigron në Turqi dhe rikthehet në 1945 të vazhdojë kontributin në arsim, ku fillon të japë mësim në shkollën pedagogjike të vajzave, ish Instituti Femëror “Nëna Mbretëreshë” që kishte hapur në 1933.
Shumë shpejt e arrestojnë, e dergjin nëpër burgje dhe në 1953 vdes 12 ditë para se të përfundonte dënimin.
Diktatura e zhvilloi sistemin arsëimor në rrugën që kishte shtruar Ivanaj. Ai sistem vazhdon të mbetet edhe sot në strukturën bazë.
Që nga ajo kohë e deri sot, asnjë qeveri, asnjë regjim, demokratik e dikatorial, nuk ka arritur të ketë një ministër arsimi në përmasat e gjysmës së Mirash Ivanajt.
Sot ky kolos i mendimit dhe arsimit, strategu që shtroi rrugën e një sistemi arsimor modern në një vend mesjetar, ku 95% e popullisë nuk dinin të shkruanin, është tërësisht i harruar.
Asnjë shkollë nuk e mban emrin e tij. Asnjë institucion. Memorja historike është thuajse bosh për jetën, veprën dhe fatin e këtij njeriu, që për kontributin në arsim, mund të krahasohet me atë të Islamil Qemalit në shpalljen e pavarësisë.
(P.S: Për këtë jetëshkrim të shkurtër, kam shfrytëzuar materiale të shkruara nga Prof. Dr. Dritan Spahiu).
Burimi/Facebook/Autori


Leave a Reply