Plazhi i Spillesë mund të jetë ndër të paktët, në të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë, ku është mbrojtur pylli me pisha, dhe e gjithë infrastruktura pritëse, është ndërtuar pas rrugës që lidh plazhin dhe pishat, me pjesën e tokave ku janë ndërtuar hotelet.
Është koha më e mirë për të shijuar atë pjesë të bregdetit, që edhe pse e fshehur, të falë gjithë qetësinë shpirtërore në këto ditë të ëmbla shtatori. Aty ku mes pishave të dendura, ku dielli nuk hyn dot aq lehtë, ju pret Spilleja, e madhe, e gjerë, plot gjelbërim e freski e gjithaq plot ngrohtësi, mbi rërën e pafund.
Gatimi, natyra, akomodimi, njohja me miq të rinj, shqiptarë nga të gjitha anët, si dhe koleksionimi i “gurëve me xixa” janë disa prej gjërave që mund të bëni. Është Spilleja, e ngrohtë dhe përkëdhelëse që ju pret
Jo vetëm Spille
Për një qëndrim të qetë e të rehatshëm, ju mund të kënaqeni edhe me atë që ofron Spilleja, të sigurt se keni marrë një dozë të mirë qetësie për këtë fund vere.
Por nëse doni alternativa të afërta, rreth e përqark Spillesë, mund të eksploroni plazhet që ju përmendëm më sipër, gjiret e Plazhit të Gjeneralit, Falezën e Bardhorit, unike në Shqipëri, si një monument natyre,
Gjirin e Forsilukut, Plazhin e Carrinës, ku kilometra të tëra shkëmbinjsh konglomeratikë hyjnë e dalin nëpër det, duke krijuar thyerje të mrekullueshme.
Ju këshillojmë ju që jeni koleksionistë, të vishni një palë atlete e të shpenzoni pa u lodhur kohën e bollshme të ditës akoma të gjatë, për të pasuruar koleksionet tuaja me zaje të të gjitha ngjyrave, të shijoni bukurinë e “gurëve me xixa”,
copëra shkëmbinjsh me forma nga më të mahnitshmet, guaska të rralla, kuaj deti, rrënjë shkurresh që duke u lëmuar prej ujit të detit që i rreh vazhdimisht, marrin forma të çuditshme zogjsh e kafshësh.
Bota e pasur e nënujit, e soditur me një palë syze të thjeshta e me një tub, do t’ju falë kënaqësi të pamasë. Alga të shumta e të shumëllojshme, leshterikë, copëra shkume deti, kërminj, oktapodë, gaforre të vogla e të mëdha, gjthçka poshtë e ndanë ujit, do të pasurojë syrin dhe shpirtin tuaj.
Po deshët turizëm kulturor, lëreni pas Spillenë dhe dilni në rrugën kryesore, të vizitoni kalanë e Bashtovës, aty ku tashmë komuna Gosë, në bashkëpunim me ente të ndryshme kulturore apo ministrinë e kulturës,
nuk lë rast pa festuar e mbledhur njerëz të interesuar, për të promovuar sa më shumë këtë monument kulturor mjaft interesant, pjesë e trashëgimisë së fisit të Matrëngajve. Arbëreshët e këtij fisi e ndërtuan këtë kala në mes të fushës, edhe si një fortifikatë por edhe si një qendër banimi të shekullit XV.
Të flasësh ende për detin në të hyrë të vjeshtës, kur koha është akoma e ngrohtë, por vera po mpaket e nuk e ka më joshjen e korrikut, është njësoj si të duash të kapesh pas kujtimeve të bukura,
për të provuar sadopak ndjesinë e magjishme që të kanë lënë kur i ke jetuar. Mirëpo ka shumë pushues që kërkojnë t’i shmangen rrëmetit të plazheve të tejmbushura, që duan ta shohin shtatorin si një “muaj qetësie” e që i gëzohen pikërisht këtyre rrezeve që nuk përvëlojnë por përkëdhelin, në agoni të verës.
Një plazh i tillë “përkedhelës”, është Spilleja, në bregdetin e Kavajës.
Si shkohet?
Për të shkuar në Spille, ju duhet të merrni rrugën në të djathtë të superstradës Kavajë-Rrogozhinë, aty ku nën infrastrukturën e rregulluar tashmë, ju orientojnë tabelat rrugore dhe turistike.
Është një rrugë e re prej 15 km, që të çon në plazhin shumë të frekuentuar nga pushuesit e shumtë që gjatë verës vijnë nga Korça, Elbasani, Berati, Kuçova, Peqini, Kavaja,
Rrogozhina dhe rrethinat, për të shijuar resurset kurative, ujin e kristaltë, rërën e bardhë, rrezet e diellit me perëndimet e tij magjepsëse, pyllnajën e pishave që të ftojnë për freski, karkalecin e rrallë,
peshkun e freskët, produktet bio, shërbimin e komunitetit vendas që në katërvjeçarin e fundit po shkon drejt cilësisë dhe sigurisht, akomodimin në hotelet e reja, që vit pas viti shtohen e shtojnë kapacitetet.
Rruga kalon, nëpër fshatrat Luz i Vogël, lë në të djathtë pyllin e Bedenit, ecën përmes Sharrdushkut, Grethit të Mesëm, dhe fshati i fundit para se të mbërrish në plazh, është Spilleja.
Luzi i vogël shtrihet i gjithi mes fushës, nëpër parcelat ku asnjëherë nuk do të mund të shihni toka të shkreta apo të pambjella e gjarpëron më pas drejt kodrinave të Sharrdushkut e Kryevidhit,
ku gërryerja e faktorëve natyrorë ka krijuar bokërrima të mrekullueshme plot thyerje e ngjyra. Është një udhëtim që do ta shijoni pa masë në çdo stinë të vitit.
Një natyrë e pastër, çuditërisht e papërlyer me plehra, e kuruar si një mozaik gjigant me copëza të hirta, të kafenjta, të gjelbra, e në pranverë edhe plot ngjyra të tjera ku mbretëron e verdha aromëmirë e gjineshtrave.
Natura e ruajtur si dikur
Përmes shtëpive, thuajse të gjitha të reja të fshatrave të zonës së Kavajës, varen vilet e rrushit që pret të hyjë nëpër butet fermentuese të verës e rakisë, shegët, që gati këpusin degët e tejmbushura, fiqtë e fundit, që janë edhe më të ëmblit,
kumbullat që shpeshherë presin dorën e kalimtarëve, se të zotët nuk i vjelin më veçse për raki. E kur t’ju duket se ky udhëtim mbi kurrize kodrinash lozonjare, nuk do të marrë fund kurrë, në majën më të lartë të këtyre kodrinave,
diku pranë fshatit Greth i Mesëm, do t’ju shfaqet befasisht deti, që është fjongoja e gjatë kaltëroshe që kurorëzon mrekullisht gjithë ç’patë nëpër rrugën e bukur. Aty nuk mund të rrini pa u ngopur me frymë,
duke parë gropat shumëformëshe të kodrinave dhe detin në sfond, që ka shkrirë i gjithi me qiellin e është strukur në gjirin e stërmadh të kodrave. Duket sikur mjaft që të duash e mund të hidhesh.
Por në fakt rruga fillon e zbret, e nuk do të ndalet së zbrituri, derisa të mbërrijë në det, aty ku mes pishave të dendura ku dielli nuk hyn dot aq lehtë, ju pret Spilleja, e madhe, e gjerë, plot gjelbërim e freski e gjithaq plot ngrohtësi, mbi rërën e pafund.
Plazhi është disa kilometra i gjatë, e përshkohet fund e krye nga kurora pishash dhjetëravjeçare, të cilat gjatë periudhës së tranzicionit patën fatin e madh jo vetëm që të jetonin, por edhe të mos bezdiseshin nga ndërtesat e shumta, hotelet e pallatet shumëkatëshe, ashtu si motrat e tyre në Durrës e Golem.
Plazhi i Spillesë mund të jetë ndër të paktët, për të mos thënë i vetmi në të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë, që nuk preu as edhe një pishë, e jo vetëm kaq, por e gjithë infrastruktura pritëse, është ndërtuar pas rrugës që lidh plazhin dhe pishat, me pjesën e tokave ku janë ndërtuar hotelet.
Komuniteti i biznesit të kësaj zone dhe komuna e Spillesë, e ruajtën me fanatizëm strukturën e plazhit, duke mos lejuar as sot ndërtime tullash e llaçi, mes pemëve, e duke lejuar vetëm ndonjë verandë druri, a tendë prej cope, që intonohen shumë mirë me ambientin e që mund të hiqen kollaj.
Ju mund të uleni e të pushoni mes pishave, ashtu siç mund të keni bërë dikur (vetëm se jemi të bindur që përbërja e shportave të piknikut, nuk është e njëjtë me atë të dikurshmen), të pushoni në freskinë e jashtëzakonshme e nën aromën dehëse të pishave të buta.
Tashmë rruga që lidh plazhin me hotelet është asfaltuar, duke e shmangur edhe prej këtej pluhurin bezdisës, që makinat e pushuesve e ngrinin në mënyrë të pashmangshme, duke penalizuar këmbësorët e shumtë. Rruga e asfaltuar e lidh plazhin në dy drejtime, edhe në hyrje të tij,
aty ku qendra e plazhit popullohet jo vetëm nga pushuesit por edhe nga shitësit ambulantë, edhe në dalje, një segment i cili të nxjerr në mes të pyllit të Xhepit, pjesë e plazhit të Spillesë.
Nga një fshat i dikurshëm bujqësor, Spilleja është kthyer sot në një fshat turistik, që pret pushues nga e gjithë Shqipëria e Mesme dhe Juglindore. Banorët e rinj të Spillesë, thuajse të gjithë emigrantë në perëndim, por edhe biznesmenë nga Tirana dhe Elbasani,
kanë ditur të dallojnë që larg vlerat turistike dhe kuruese të këtij plazhi të mrekullueshëm, dhe hodhën aty themelet e hoteleve të para me kushte modeste por komode për të gjithë pushuesit. E mbi të gjitha me çmime jo të larta. Sot kushtet e këtyre strukturave kanë ardhur duke u përmirësuar e duke rritur kapacitetin,
në raport të drejtë me kërkesat e pushuesve. Kombësia dhe përkatësia vendore e pushuesve është rritur shumë vitet e fundit në Spille, ku tashmë gjatë verës “zbarkojnë” shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, por edhe shumë të huaj, fillimisht miq të emigrantëve, të cilët vizitojnë “shtëpitë”
dhe provojnë mikpritjen e miqve të tyre shqiptarë, me të cilët ndajnë tashmë prej vitesh përvojat e përditshme të jetës.
Plazhi zemërgjerë
Vija bregdetare e Spillesë, është mjaft e gjerë, nga pesëdhjetë, në dyqind metra gjerësi dhe disa kilometra e gjatë. Rëra e plazhit, nuk është thjesht qetësuese, ajo është edhe mjaft kuruese dhe shumë pushues vijnë aty vetëm për të.
Deti shtrihet pafund në pjesën jugore, deri në grykëderdhjen e Shkumbinit, ndërsa në veri, ndahet me Plazhin e Gjeneralit, duke u lidhur me të edhe me një rrugë të shkurtër por që nuk është e këshillueshme për të gjitha llojet e makinave.
Plazhi ranor përfundon pikërisht në veri, aty ku pastaj vazhdojnë brigjet e përziera të plazheve që vendësit e quajnë Guri i Lëmutë (i lëmuar), Plazhi i Gjeneralit, Gjiri i Forsilukut etj. Megjithëse në verë tashmë Spilleja popullohet shumë, për shkak edhe të rregullimit të rrugës,
hapësira është aq e madhe sa ka vend të lirshëm edhe për ata që duan të rrinë mënjanë, e të mos përzihen me njerëzit e shumtë. Ndarja e masivit të pyjeve, me hapësira të vogla boshe, ku përrenj të vegjël çajnë përmes fushës e derdhen në det,
krijon mundësinë që të zgjidhni vendin tuaj të preferuar. Në plazh nuk ka zhurma ekstreme, nuk ka disko me altoparlantë shurdhues, ka vetëm përplasje dallgësh dhe zhurma ere që futet mes pishave. Tek-tuk, bare të vegjël, larg njëri-tjetrit mund t’ju ofrojnë në hapësira modeste pije e birrë të ftohtë, ose ndonjë produkt zgare.
Akomodimi
Luli është ndër të parët që ndërtoi hotelin e tij në Spille. Vitet e gjata në emigrim, puna e tij si ndërtues (bashkë me dy vëllezërit e tjerë Paridin dhe Petritin, kanë ngritur një kompani ndërtimi në Itali), dhe përvoja në perëndim, kishin pjekur kushtet për të hedhur themelet e para të turizmit,
duke filluar nga më e rëndësishmja; mikpritja. Hoteli hodhi shtat shumë shpejt, ata ishin ndërtues me përvojë dhe nuk u duhej shumë kohë për këtë, dhe që në fillim shumë miq të tij të huaj, e përgëzuan, madje erdhën ta vizitojnë në Shqipëri. Tani, ai çdo vit vjen në fillim të verës, e largohet në fund të shtatorit,
bashkë me materialet promocionale, të cilat i shpërndan në Itali gjatë dimrit, për t’u kthyer në verë me miq të rinj. Përvojën e kuzhinës mesdhetare, e italiane, e ka përshtatur në restorantin e hotelit, duke e gërshetuar me gatimet tradicionale, për të cilat nuk duhet të shkojë shumë larg;
e ëma gatuan pa u lodhur, për të gjithë pushuesit që e porosisin se për drekë duan perimet e stinës në furrë, ndonjë pulë fshati apo byrekë të ndryshëm, që ajo i “qan”, siç i thonë edhe pushuesit.
Në oborrin e hotelit është një parajsë e vërtetë e gjelbëruar, ku ta ka ënda të rrish edhe gjatë ditës për të larguar vapën, por edhe mbrëmjeve të freskëta. Edhe kjo parasjë shumëngjyrëshe, është meritë e mamasë së Lulit.
Luli nuk është thjesht i kënaqur, ai është i lumtur, pas kaq vitesh punë në Shqipëri e Itali, ka shtuar jo vetëm biznesin, por edhe familjen e tij. Fëmijët e shumtë mbushin me gëzim jo vetëm oborrin por edhe gjyshërit, madje, edhe pushuesit e hotelit.
Natyrisht, bashkëshortet e djemve, janë të përkushtuara ashtu si burrat e tyre, në mbarëvajtjen e këtij biznesi familjar, ku secili ka detyrat e tij. Për efekt edhe të përvojës në Itali, hoteli është pagëzuar me emrin “Tre Fratelli”.
Ndërsa Bashkimi (Baçi) është “më i ri” në Spille, ai e ka ndërtuar hotelin e tij vetëm vitet e fundit, duke e sjellë përvojën nga vitet e gjata të punës në turizëm, në Ishujt e Greqisë. Sanija, bashkëshortja e tij, është një “maniake” e luleve dhe e pastërtisë.
Ajo ka mbjellë aq shumë lule e ka vendosur aq shumë vazo në ambientet e hotelit, sa pothuajse nuk ke ku të kalosh. Ajo thotë se gjelbërimi dhe pastërtia ishin A-ja e hoteleve në Greqi, pa vënë në diskutim sigurisht shërbimin dhe kushtet.
Klientët janë shumë të kënaqur, edhe me shërbimin edhe me ambientet e hotelit me arkitekturë interesante, por edhe me ambientin miqësor që krijohet çdo natë, me muzikë të bukur. Familja është e gjitha e angazhuar, madje edhe vajza e vogël që nuk është as 10 vjeç,
ndihmon motrën dhe vëllanë më të madh, që gjërat të shkojnë sa më mirë. Ata qëndrojnë në hotel deri në mes të shtatorit kur edhe fillon shkolla, por nëse doni ta vizitoni Spillenë në çdo kohë, bashkëshortët ju presin me krahë hapur, në hotelin e tyre të quajtur Basana,
mjaft që t’i lajmëroni.Ja pra se si ju që doni ende pushime, të cilat nuk janë vetëm det, ose jo vetëm thjesht det, mund të vini e të zbuloni një e nga një segmentet e bukura të plazheve të Shqipërisë, të cilat kanë zbuluar mjaft kilometra të vëna në dispozicion të popullimit,
urbanizimit e teknologjisë, por gjithsesi ende ruajnë të paprekura me fanatizëm shumë bukuri e të fshehta të natyrës. Ato ju presin juve, që të shkoni t’i zbuloni e t’i shijoni.
Shqip.al
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply