Gentiana Zagoridha
Femra është qeliza e jetës e dashurisë dhe integrimit. Integrimi i femrës shqiptare në rrjedhën e epokës bashkëkohore del si domosdoshmëri që e kërkon koha. Një pjesë e femrave ndonëse në minorancë e barazojnë integrimin me logun e tyre të jashtëm, mjafton të vishesh trendi , të krihesh e të lyesh flokët bukur dhe je e integruar sipas tyre. Por jo, integrimi nënkupton diçka më tepër, integrimi nënkupton shkollim, punësim. Është në interesin e vetë emigranteve e sidomos femrave që në vendet ku jetojnë e punojnë të integrohen si një strukturë e civilizuar, dhe me këtë të dëshmojnë se janë të afta, të përballojnë sfidat që i imponon jeta, e pse jo të jenë shembuj në vendet ku jetojnë, duke prezantuar vlerat tona në sfera të ndryshme, ku kontributi i gjithë secilit do të çonte peshë, dhe do të tregonte se jemi njerëz liridashës, të punës dhe të prosperitetit. Është e vërtetë që femra sot ndodhet në udhëkryq, mes dy botësh; asaj të emancipuarës që urdhëron dhe asaj të kohës së “ zakonit “ që urdhërohet. Vetë ajo duhet të pranojë vlerat e reja për ndryshimin e rolit të saj në raportet ndër gjinore dhe sociale. Ajo duhet të ketë një vizion të qartë se ku do të arrijë dhe duhet ti kushtojë rëndësi gjërave të përditshme. Nuk ka rëndësi që një grua të tregojë vlerat e saj vetëm me vepra të mëdha, rëndësi ka që ato të jenë të përditshme. Edhe pse me shumicë të punësuar në disa sektor, nuk mund të thuhet ende se femra shqiptare në diasporë e kudo është e integruar mirë në jetën shoqërore të shteteve ku jetojnë. Integrimi i plotë do të vijë me kohë, sidomos gjenerata e re e cila po shkollohet në këto shtete. Por përpjekjet nuk duhet të mungojnë. Për këtë qëllim kudo nëpër botë ku ka shqiptarë janë ngritur dhe funksionojnë organizata të ndryshme shoqërore-kulturore nga intelektualë shqiptarë, madje një pjesë e konsiderueshme e tyre drejtohen nga intelektuale shqiptare siç janë : shoqata “Teutat Shqiptare” e cila është një shoqatë e lirë e femrave krijuese shqiptare, ose organizata “Pan Albanian Women” themeluese e së cilës është një grua intelektuale me origjinë nga qyteti i Korçës e quajtur Merita Bajraktari. Një shoqatë tjetër e drejtuar nga Fakrije Bajraktari është dhe ajo e “Hand i Hand” në Mamlö të Suedisë. Zenepe Luka është presidente e fondacionit “Nermin Vlora Faloski”. Linda Rragami është gjithashtu presidente e organizatës së gruas intelektuale shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar. Një emër shumë i njohur i artit shqiptar Liri Lushi është drejtuese e qendës për kulturë e integrim “Aleksandër Moisiu” në Zvicër. Të gjitha këto shoqata të iniciuara dhe të drejtuara nga këto gra intelektuale shqiptare kanë një qëllim të përbashkët, mbështetjen dhe fuqizimin e femrës shqiptare, edukimin e saj dhe çlirimin nga çdo lloj paragjykimi, ngritjen profesionale si dhe ti ofrojë ndihmë dhe orientim për punësim. Ndonëse roli i femrës edhe në ditët e sotme në aspektin social mbetet akoma i nënshtruar në shumë aspekte të tjera, femrat shqiptare kudo nëpër botë janë qeniet më aktive të njerëzimit, ushtrojnë profesione të ndryshme, janë pjesëmarrëse aktive në politikë, individ efikas i jetës kulturore. Këtë e dëshmojnë më së miri arritjet e këtyre grave shqiptare si: Vjollca Hajdari intelektuale dhe veprimtare e shquar në botën gjermane, e diplomuar në shkencat politike, ka magjistruar në publicistikë. Angazhimi i saj në institucionet e mediat gjermane ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në sensibilizimin e çështjes së Kosovës dhe asaj mbar shqiptare. Ylfete Fanaj deputetja e parë në Zvicër e cila ka lindur në Prizren. Ajo ka pas vetes një aktivitet të dendur jo vetëm në sferën e politikës por dhe angazhime të tjera në jetën shoqërore dhe organizatat joqeveritare. Ajo është njëkohësisht dhe kryetare e asociacionit Second’s në Zvicër. Shadije Hotjani që prej më se 40-vjetësh jeton e punon në Gjermani. E para dhe e vetmja mësuese shqiptare që punon në një shkollë gjermane në Mynih. Është njëkohësisht dhe nënkryetare e shoqatës së grave shqiptare në Mynih. Hasime Hoti laborante e kimisë në spitalin Rinnekoti të Espos në Finlandë.
Vazhdon studimet për shkenca juridike. Ka botuar një libër me poezi që titullohet : “Të vijë ai çast”. Mirela Bogdani politikane e suksesshme në Evropë e cila ka studiuar shkenca politike në Universitetin e Oxfordit. Ka ndjekur gjithashtu studime pasuniversitare në fushën e menaxhimit, administrimit dhe politikave të shëndetit publik në Universitetin e Bostonit USA, Universitetin e Londrës(UCL), UK dhe Universitetin George Washngton USA. Përveç angazhimit në politikë ajo është studiuese dhe autore e 4 librave, 1 në fushën e shëndetit publik dhe 3 në politikën e zgjerimit të BE-së. Rajmonda Mojsiu intelektualja që punon për integrimin e grave shqiptare në Amerikë e cila ka krijuar dhe forumin “Tefta Tashko Koço” nëpërmjet të cilit i ka afruar gratë shqiptare si kosherja që mbledh bletët për të krijuar hoje mjalti atdhedashurie. E sa e sa gra të tjera kudo nëpër botë të cilat fatkeqësisht nuk mund t’i përmendim dot të gjitha. E pra nuk ia vlen të marrësh shembullin e këtyre grave të shquara si frymëzim për një integrim sa më dinjitoz? Falë angazhimit të tyre sot femra shqiptare emigrante është përfshirë në emancipimin intensiv i cili është zhvilluar e akoma po zhvillohet në tri drejtime: emancipim politik, emancipim kulturor dhe integrimi i gruas në baza të barabarta në shoqëri. Por kaq nuk mjafton, duhet dhe bashkëpunimi juaj! Prandaj o femër e brishtë shqiptare, kudo që jeton nëpër botë, guxo, arsimohu dhe rruga e së ardhmes do të jetë e lirë. Ajo është shumë e madhe dhe me shumë korsi, ka vend për të gjithë. Ndiqeni pa frikë atë rrugë, ajo është rruga e jetës suaj! Një nënë e integruar rrit dhe edukon fëmijë të integruar, duke i bërë nder kështu vetes, kombit, madje dhe shtetit ku jeton. Le të shërbejë ky shkrim senzibilizues si inkurajim për të gjitha gratë shqiptare që jetojnë e punojnë nëpër botë, të bëjnë përpjekje për integrim duke besuar fort në aftësitë dhe intelektin e tyre.
AGJENCIONI FLORIPRESS
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply