1 Maj 2022 – Nëna gjen djalin pas 47 vitesh. I kishin thënë që Rudini i saj kishte ndërruar jetë rreth moshës 4 vjeçare por zemra e saj e ndiente që kjo nuk ishte e vërtetë. Njëlloj si në ditën e parë kur e lindi, edhe sot që është rritur ajo e ka përqafuar me të njëjtin emocion. Lotët nuk kanë pushuar teksa Hekria ka shtërnguar fort Rudinin i cili sot mban emrin Altin. Tek “Ka një mesazh për ty”, i pari që është futur në studio ka qenë Altini megjithse ai ishte surpriza. U pa e arsyeshme nga produksioni që ai të mësonte i pari se prania në program lidhej me kërkesën që kishte bërë nëna e tij biologjike për t’a gjetur. I surprizuar por deri diku i përgatitur që një ditë kjo ngjarje do ndodhte, Altini ka rrëfyer se e ka mësuar faktin se është i adoptuar pasi kishte mbaruar ushtrinë. Natyrisht që është habitur por kjo nuk e ka penguar që të vazhdojë t’i dojë e t’i respektojë akoma më shumë prindërit që e rritën. Edhe pasi u martua e u bë me dy fëmijë, Altini e mbajti këtë histori të veçuar në familje. Pas ftesës nga ana e produksionit të emisionit, ai mori bekimin e nënës adoptuese që të vinte në studio sepse me siguri e kishte kërkuar nëna biologjike. Dhe e vërteta ashtu ishte.
Hekria kishte ardhur enkas nga Italia për të mësuar të vërtetën rreth djalit të saj, pas pesë vitesh që stafi po kryente vazhdimisht kërkime. Ajo kurrë nuk e ka ditur që Rudini i saj për të cilin i thanë se ka vdekur, në fakt ishte adoptuar në të njëjtin qytet ku jetonte dhe ajo, në Durrës. Gjithë jetën e ka kërkuar, privatisht dhe nëpër emisione të tjera televizive por pa mundur kurrë të gjejë një gjurmë të tij. Ajo nuk e dinte as faktin më emocionues që çdo fjalë të historisë së saj po e dëgjonte ai nga krahu tjetër i murit të studios. Mes lotësh që nuk i pushonin, Hekria ka treguar sesi një dashuri e dështuar në moshë adoleshence i shkaktoi tragjedi e dhimbje pafund. Në moshën 16 vjeçare ajo sjell në jetë Rudinin, i cili lindi me datë 14 dhjetor 1974 por zyrtarisht u regjistrua tre ditë më vonë. E lindi në Ishëm, shumë larg vendbanimit të saj në Kavajë sepse babai nuk e pranonte kurrë një “turp” të tillë nga vajza. Për dy vite ajo ishte e padëshiruar nga familja e saj dhe u detyrua që të jetonte bashkë me Rudinin në shtëpinë e fëmijës në Durrës. Lante rroba në lavanderi, shiste deri dhe qumështin e gjirit për foshnjat e tjera që të mblidhte ndonjë lek për të blerë ushqime e veshje për djalin e saj. Më pas ajo u zhvendos për dy vite të tjera në banesën e dajës së saj duke e lënë Rudinin në Shtëpinë e Fëmijës në Durrës por që e shihte herë pas here. Katër vite pasi kishte lindur djalin, arriti që me ndihmën e dajës të bëjë “paqe” me babain e saj e të rikthehet në familje. Shkonte dhe e shihte fshehurazi djalin por një ditë i’a prenë hovin tek dera e befotrofit sepse dikush i tha me arrogancë “përse ke ardhur? Djali jot ka vdekur”. Kjo ka qenë dita më e zezë e gjithë jetës së Hekries. Me zemrën e një nëne, ajo e ndiente se djalin e kishte gjallë dhe dikush mund t’a kishte adoptuar.
Pas pak kohësh, ajo gjeti dashurinë e vërtetë. U martua me një zotëri i cili e dinte historinë e saj dhe e përkrahu gjithmonë që t’a gjente djalin. Hekria lindi tre fëmijë të tjerë, djalin Lorenc dhe dy vajzat Denada e Greta. Magjia në gjithë këtë histori qëndron në faktin se si Rudini dhe dy fëmijët e tjerë në radhë, të tre kanë të njëjtën datë lindje: 14 dhjetor. Mes ngashërimesh ajo tregoi se çdo datëlindje fëmijët e saj e kujtojnë dhe Rudinin dhe urojnë që të jetë viti i fundit që festojnë pa të. Sot lutjet e tyre janë dëgjuar.
Hekries për pak sa nuk i ka rënë të fikët kur e ka parë djalin nga ana tjetër e studios. Gjatë gjithë kohës, Rudini apo siç quhet tani Altini, ka qenë duke lotuar. Që në krye të herës ai është shprehur se kurrë nuk e ka gjykuar nënën biologjike pa e ditur historinë e vërtetë. Sot janë zbuluar të gjitha sekretet dhe plagët janë hapur për t’u mjekuar dhe mbyllur përfundimisht. I martuar e me dy fëmijë, me nënën e mrekullueshme që e rriti, me nënën biologjike e me vëllain e dy motrat, Altini apo Rudini, nuk ka sesi të jetë më me fat. Heret apo vonë, çdo gjë shkon në vendin e vet. Sot ishte dita e Hekries dhe Altinit që nuk do harrohet kurrë!
Pas pesë vitesh intensive kërkimesh, “Gjurmët e Jetës” përmbushën sërish një mision të madh: të bashkojnë pjestarët e një gjaku që jeta i ndau padrejtësisht.
Nëse keni histori të ngjashme, na shkruani në inbox në rrjetet tona sociale ose në email: gjurmetejetes@gmail.com
Linku i emisionit ne YouTube: https://www.youtube.com/watch?v=iW6PL6cOVT0



Burimi/Facebook


Leave a Reply