Një gazetar amerikan u vra nga forcat ushtarake ruse në qytetin Irpin të Ukrainës. Qyteti ndodhet shumë pranë Kievit. Lajmi u njoftua nga shefi i policisë rajonale të Kievit, Andriy Nyebytov i cili bëri gjithashtu të ditur se është plagosur edhe një tjetër gazetar.
Zoti Nyebytov tha fillimisht se gazetari amerikan punonte për gazetën New York Times. Megjithatë gazeta tha se ai kishte punuar më parë për të, por jo aktualisht.
Sipas The Times gazetari quhet Brent Renaud.
“Jemi thellësisht të pikëlluar nga lajmi për vdekjen e Brent Renaud-it. Brent ishte një fotograf dhe regjisor i talentuar që ka kontribuar për New York Times më parë”, thuhej në një deklaratë të postuar në Twitter nga zëdhënësi i gazetës.
“Megjithëse ai kishte kontribuar për The Times në të kaluarën (së fundmi në 2015), ai nuk ishte me detyrë për gazetën në Ukrainë”, shtohej në deklaratë.
Zoti Nyebytov tha se gazetari ishte qëlluar nga forcat ruse në Irpin, por nuk dha detaje rreth incidentit. Ai nuk publikoi ndërkohë emrin e gazetarit të plagosur.
“Një gazetar tjetër u plagos. Aktualisht po përpiqemi ta nxjerrim atë nga zona ku po zhvillohen luftime”, tha ai në një deklaratë.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply