Antonija Kolobariç, një 16-vjeçare kroate, dhe i dashuri i saj Randjeloviç Urosh, një 17-vjeçar serb, ecnin dorë për dore, duke veshur flamujt e tyre shtetërorë gjatë një parade që feston 50 vjetorin e lëvizjes Bota e Bashkuar në Mostar, Bosnjë e Herzegovinë (BiH), ku ata studiojnë.
Një grua iu afrua dhe e pyeti Kolobariçin se si ajo guxonte të ecte pranë një serbi. Në përgjigje të kësaj, Kolobariçi puthi Randjeloviçin, ndërsa një mik që ishte me ata u bëri një foto.
Imazhi gjeti rrugën e tij në internet dhe shpejt u bë një sensacion i mediave sociale. Qytetarë dhe analistë nga BiH, Kroacia dhe Serbia thonë se puthja mund të ketë domethënie historike.
Radmila Nakarada, një profesoreshë e shkencave politike dhe drejtuese e Qendrës për Studime të Paqes në Universitetin e Beogradit, tha se fotoja ka një ndikim pozitiv mbi të rinjtë, duke i inkurajuar ata të krijojnë lidhje pa “kërkuar më thellë” në biografinë etnike.
“Puthja inkurajon brezin e ri të tejkalojë ndasitë … si dhe për të protestuar kundër pasojave të luftës duke mos paragjykuar dashurinë dhe miqësinë, dhe për të shkuar përpara drejt të ardhmes, e cila do të jetë në përputhje me standardet e tyre, por jo sipas atyre të kaluara”, tha Nakarada përSETimes.
Sanja Latemkina, 22 vjeçe, studente e drejtësisë nga Zagrebi, tha se ajo do të kishte bërë të njëjtën gjë si Kolobariçi dhe Randjeloviçi nëse do ta gjente veten në një situatë të ngjashme.
“Edhe unë jam një fëmijë nga një martesë e përzier dhe unë nuk shoh ku qëndron problemi kur dikush është me kombësi apo fe të ndryshme”, tha Latemkina për SETimes. “Çfarë mund të jetë më e bukur se dashuria dhe rinia? Unë mendoj se gjeneratat e reja mund të fshijnë ngadalë efektet e një periudhe të gjatë politike dhe marrëdhëniesh të këqija mes kombeve të Ballkanit, dhe ky akt është me të vërtetë kontribut në këtë tendencë”.
“Antonija dhe Uroshi nuk kanë kafshuar karremin e urrejtjes të përhapur rrotull tyre. Ata arritën me sukses të gjejnë një copë ajër të pastër e të pa-korruptuar në Ballkan”, tha për SETimes Mile Juriç, një mësues 34-vjeçar nga Beogradi.
Për Bojan Bojiç, 28 vjeç, stilist nga Beogradi, puthja është një provë e ngjashmërive të shumta që lidhin kroatët dhe serbët.
“Unë shpresoj se, më në fund, ne të dy do të kemi guxim dhe do të jemi të gatshëm të themi hapur se sa të afërt dhe të lidhur fort jemi. Të gjithë ne e dimë se sa kroatët e duan Beogradin dhe sa serbët e duan bregdetin e Kroacisë”, tha Bojiç për Setimes.
Edhe qytetarët e vjetër që kanë jetuar në Jugosllavi, u prekën nga fotoja.
“Ne kemi jetuar bashkë dhe askush nuk e vriste mendjen për emrin, kombësinë apo fenë e tjetrit. Alma, Kreso, Kiril, Ivana — ishte njësoj”, tha për SETimes Olga Katuriç, 76 vjeçe, një avokate në pension nga Beogradi. “Kjo puthje është gjëja më e bukur që kam parë për gati 25 vjet. Ajo zgjon shpresat e mia për një të ardhme të përbashkët”.
Miodrag Zhivanovic, një profesor i sociologjisë dhe filozofisë në Universitetin e Banja-Lukës, reflekton mbi famën e fotos.
“Në pamje të parë duket shumë e bukur, por nëse ne e mendojmë mirë, mund të arrijmë në përfundimin se situata nuk është e bukur. Ajo thjesht tregon se sa ne të ndarë thellësisht jemi si shoqëri, dhe do të na duhet shumë kohë për të bërë që këto gjëra të bëhen normale dhe të mos jenë lajm i bujshëm”, tha Zhivanoviç përSETimes.
Nakarada paralajmëroi se puthja mund të jetojë më gjatë se vetëm nëse ajo është ndiqet nga gjeste të tjera inkurajuese.
“Disa shembuj janë përpjekjet për të rimarrë shtëpitë në Kroaci nga refugjatët serbë, përhapja e gjeste në favor të bashkëjetesës në vend të jetës paralele në tri bashkësi etnike në Bosnjë … [Pa veprime të tilla], puthja do të anulohet nga hidhërimi dhe pakënaqësitë të cilat janë ende të pranishme”, tha ajo.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply