Papa Françesku autorizoi dje Kongregatën për Çështjet e Shenjtorëve të bëjë të njohur dekretet për shpalljen e 63 të Lumëve e 7 Shërbëtorëve të rinj të Zotit. Ndër ta, dallohen martirët e Luftës Civile spanjolle, ata të regjimeve komuniste të Evropës Lindore dhe të nazizmit. Veçojmë të riun seminarist italian Rolando Rivi, vrarë barbarisht nga partizanët në vitin 1945. Akoma adoleshent, në moshën 14 vjeçare, u martirizua duke dëshmuar dashurinë e tij të pamatë për Jezu Krishtin, si shumë meshtarë, murgesha e laikë shqiptarë gjatë komunizmit.
Ndër të lumët e rinj është pikërisht një shqiptar, pavarësisht se i lindur në Stamboll të Turqisë, më 25 dhjetor 1873 e martir në Bukuresht të Rumanisë, më 16 maj 1954. Dekreti njeh martirizimin e Shërbëtorit të Zotit Vladimir Gjika, meshtar dioqezan. Familja e tij, e mirënjohur në Shqipëri, e ka origjinën nga Përmeti, nga ku është larguar në vitet 1500-1600 për t’u vendosur në lagjen Fanar të Kostandinopojës. Gjatë sundimit të perandorisë osmane, të ndihmuar nga pashallarë shqiptarë në oborrin e Sulltanit, anëtarët e kësaj familjeje qeverisën si princa, për vite me radhë Moldavinë dhe Vllahinë. Por i dhanë botës edhe njerëz të kulturës, si për shembull, Elena Gjikën, apo Dora d’Istria. Nga kjo familje rrjedh edhe mons. Vladimir Gjika, i cili lindi si princ ortodoks, për t’u shuguruar meshtar katolik, në moshën 50-vjeçare. Deri atëherë, ai mori pjesë aktive në jetën shoqërore e politike të Rumanisë gjatë Luftës I Botërore e punoi shumë për bashkimin e vendit, në Paris, Romë e Vatikan, si delegat i Këshillit Kombëtar Rumun. Pas vitit 1923, kur u shugurua meshtar, Vladimir Gjika u dërgua nga Kisha Katolike në Sidnej të Australisë, në Budapest, në Dublin e Buenos Aires, ku mori pjesë në kongrese eukaristike ndërkombëtare. Gjithashtu, ndërmori misione kishtare në Japoni, Kinë e në Cejlon. Bekonte gjithnjë me një nga gjembat e kurorës së Jezusit e ndër mrekullitë, që i atribuohen ndërhyrjes së tij, është shërimi i shumë njerëzve dhe lindja e trashëgimtarit të fronit japonez.
U shua, më 17 maj 1954, pas shumë torturash të tmerrshme, në një burg komunist të Rumanisë. Zhak Mariten pati thënë për të: “Princ në botë e për një thirrje më të lartë, Meshtar i Krishtit”. Tani martir, në nderimet e elterit!
antonian.tv
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply