Videoklipi i këngës “Identitet”, me të cilën Shqipëria do të përfaqësohet në Malmo të Suedisë, është publikuar ditën e hënë në faqen zyrtare të Eurovision. “Versioni final i këngës me të cilën Shqipëria do të garojë në garën më të madhe të këngës evropiane është sjellë në publik e riorkestruar”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kënga është shkurtuar në tre minuta, nga katër e dhjetë sekonda që ishte kur dyshja, Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko, e këndoi për herë të parë “live” në Festivalin e Radiotelevizionit Shqiptar. “Identitet” – që do të prezantohet në gjysmëfinalen e dytë të “Eurosong” në Malmo të Suedisë më 15 maj të këtij viti – është ripërpunuar dhe incizuar në studion “Kingside”.
Në faqen zyrtare të “Eurovisionit”, videoklipi është shoqëruar me përshkrim: “Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko do të përfaqësojnë Shqipërinë në ‘Eurovision’, me këngën ‘Identitet’. Kjo këngë gërsheton elementet etno me muzikën rock, e interpretuar nga Bledar Sejko, vokal e kitarë, dhe këngëtari Adrian Lulgjuraj, ka triumfuar në edicionin e 51-të të Festivalit të Radiotelevizionit Shqiptar, në dhjetor të vitit të kaluar.


Leave a Reply