Në Shqipëri, rastet me Covid 19 po rregjistrojnë rritje të ndjeshme, kur zyrtarisht është pranuar se varianti Delta po qarkullon gjerësisht në vend. Megjithatë, shifrat mbeten ende në nivele jo shqetësuese. Në tre ditët e fundit, numri i të prekurve kërceu nga 25 të tillë më 2 Gusht, në 132 të infektuar në 24 orët e fundit, sipas të dhënave të bëra publike të enjten nga Ministria e Shëndetësisë.
Rastet e reja janë identifikuar në më shumë se një të tretën e Bashkive të vendit: 42 raste në Tiranë, 19 raste në Shkodër, 13 raste në Vau i Dejës, 10 raste në Elbasan, 8 raste në Kamëz, 6 raste në Vlorë, 5 raste në Krujë, Fier, 4 raste në Sarandë, 3 raste në Lushnje, Kuçovë, 2 raste në Korçë, Kavajë, Pogradec, 1 rast në Lezhë, Has, Mirditë, Mat, Gjirokastër, Memaliaj, Gramsh, Poliçan.
Infektimet e shtuara nuk kanë sjellë viktima. Rasti i fundit i një vdekjeje është i datës 28 Korrik. Megjithatë shtrimet në spitale po njohin një rritje thuajse të përditshme. Nga 20 pacientë që merrnin trajtim të specializuar dy ditë më parë, këtë të enjte ishin 26 të shtruar.
Në total numri i të rasteve aktive ka shkuar në 642 persona të prekur. Më shumë se një e treta, ose 242 raste janë vetëm në Tiranë. Kryeqyteti pasohet nga Shkodra me 88 raste dhe Elbasani e Vlora me 61 dhe 59 persona aktivë. Qarku me vetëm 1 rast është ai i Dibrës.
Autoritetet nuk kanë paralajmëruar ndonjë ashpërsim të masave kufizuese, por vijojnë t’i bëjnë thirrje popullatës për t’u vaksinuar. Muaji gusht do të jetë muaj i hapur i vaksinimit për të gjitha grupmoshat +18 vjeç, për të kryer vaksinën kudo në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqëndruar duke u paraqitur me kartën e identitetit.
Të dhënat e të enjtes, flasin për afro 1 milion e 230 mijë vaksinime. Në total janë 687.768 persona të vaksinuar, ose 24.5 përqind e popullsisë rezidente, nga të cilët 541.637 persona, ose 19.3 përqind e popullsisë, ka marrë të dyja dozat.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply