![]()
Partitë politike shqiptare të dielën në mbrëmje kanë vijuar me takimet dhe tubimet zgjedhore me qytetarët.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka mbajtur tubimin e radhës në Strugë. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti theksoi se komuna dhe kryetari i ardhshëm i Strugës duhet të jetë në shërbim të qytetarëve.
“Ne do të jemi në shërbim të qytetarëve dhe nuk jemi frikësuar nga bashkëqytetarët tanë maqedonas, sepse kemi kërkuar barazi”, theksoi Ahmeti.
Ai ka bërë të ditur se në rrethin e dytë zgjedhor do të përkrahet kandidati shqiptarë për Strugën. “Kryetari i ardhshëm i Strugës duhet të mbajë përgjegjësi për Strugën dhe ai duhet të përkujdeset për të gjithë qytetarët pavarësisht përcaktimeve të tyre politike”, theksoi Ahmeti. Kandidati për Strugën, Arben Labënishti premtoi se programi i tij përmban një komunë me themele të shëndosha, vende të reja politike dhe projekte zhvillimore. Sipas tij, Struga ka qenë dhe do të jetë e shqiptarëve.
Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka mbajtur tubimin në komunën e Sarajit. Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi para banorëve ka theksuar se në takimet me banorët e kësaj komune ka hasur në shumë banorë të pakënaqur dhe që jetojnë në kushte të mjerueshme. “Unë ftoj të gjithë shqiptarët dhe të kësaj komune që të votojnë programin e PDSH-së që ofron një alternativë të vërtetë për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve”, theksoi Thaçi.
Kandidati për komunën e Shkupit, Bekim Fazliu ka theksuar se edhe pse Saraji është pjesë e Shkupit, viteve të fundit ka qenë i anashkaluar nga projektet e qendrës dhe se asnjë projekt nuk është realizur në këtë komunë.
Kandidati i PDSH-së për Sarajin, Hazbi Nuredini ka akuzuar kundërkandidatët e tij për premtime të rrejshme dhe për dështimin e plotë në zhvillimin e kësaj komune.
“Kam vizituar shumë vendbanime dhe nuk kam dëgjuar asnjë fjalë të mirë për gjendjen e tyre. Andaj më 24 mars duhet mbështetur PDSH dhe do të ndryshojë gjendja e kësaj komune”, theksoi Nuredini.
Ndërkohë, Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) ka mbajtur tubimin e radhës në Forinë të Gostivarit. “Investime në planin infrastrukturor, zhvillim ekonomik dhe në sfera të tjera të komunës, ndriçimi i rrugëve, rrjeti i ujësjellësit, shkollat dhe projektet e tjera”, janë pjesë e programit zgjedhor të liderit të RDK-së, Rufi Osmani, i cili është pjesë e garës për komunën e Gostivarit.
Kandidati Rufi Osmani në fjalën e tij theksoi se programi i RDK përmban shumë projekte të rëndësishme për Gostivarit dhe banorët e saj. Ai përmendi se për mandatin e ardhshëm janë siguruar 20 milion euro për nevojat e qytetarëve dhe zhvillimin e projekteve. Rufi Osmani apeloi që banorët e Forinës të mbështesin kandidaturën e tij dhe kandidatët e RDK.
Kandidati për këshilltarë komunal nga RDK, Murtezan Selimi theksoi se përveç projekteve zhvillimore dhe infrastrukturore, është paraparë edhe hapja e një zyreje për bujqit, për paraqitjen e projekteve dhe kërkesave të tyre. Sipas tij, RDK ofron projekte për turizmin malor dhe vëmendje të veçantë për sportin. (INA)
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply